Një zbulim me të vërtetë i rëndësishëm mbi Covid, i cili hap skenarë të rinj dhe konfirmon disa hipoteza të muajve të kaluar, vjen nga Instituti Francis Crick dhe Kolegji Universitar i Londrës.
Studiuesit kanë zbuluar se disa antitrupa, të krijuar nga sistemi imunitar gjatë infeksionit me koronavirusët e ftohjes, gjithashtu mund të ndikojnë në SARS-CoV-2 dhe mund të japin një shkallë mbrojtjeje ndaj llojit të ri viral.
Siç e dimë, në përgjigje të infeksionit me një virus, sistemi imunitar krijon antitrupa për ta luftuar atë. Këto antitrupa qëndrojnë në gjak për një periudhë pas infektimit dhe, në rast të ri-infektimit, janë në gjendje të luftojnë përsëri virusin.
Çfarë zbuluan studiuesit
Në artikullin e tyre, botuar në Science, shkencëtarët zbuluan se disa njerëz, veçanërisht fëmijët, kanë antitrupa reaktivë ndaj SARS-CoV-2 në gjakun e tyre, pavarësisht se nuk ishin infektuar kurrë me Covid. Këta antitrupa janë ndoshta rezultat i ekspozimit ndaj koronavirusëve të tjerë, të cilët shkaktojnë një ftohje të zakonshme dhe që kanë ngjashmëri strukturore me SARS-CoV-2.
Studiuesit e bënë këtë zbulim ndërsa zhvilluan teste shumë të ndjeshme të antitrupave për Covid-19. Ata krahasuan gjakun e pacientëve me Covid-19 me pacientët që nuk e kishin kaluar sëmundjen. Çuditërisht, ata zbuluan se disa njerëz që nuk ishin ekspozuar ndaj SARS-CoV-2 kishin antitrupa që do të kishin njohur virusin.
Për të konfirmuar rezultatet e tyre, ata analizuan mbi 300 mostra gjaku të mbledhur para pandemisë midis viteve 2011 dhe 2018. Pothuajse të gjithë kishin antitrupa që reaguan me koronavirusët e ftohjes së zakonshme, pasi të gjithë kanë qenë të ekspozuar ndaj këtyre viruseve të paktën një herë në jetë.
Sidoqoftë, një pjesë e vogël e dhuruesve të rritur, rreth 1 në 20, gjithashtu kishin antitrupa që reaguan në mënyrë të tërthortë me SARS-CoV-2 dhe kjo nuk ishte për shkak të infeksionit të fundit me një koronavirus të ftohjes së zakonshme.
Konkretisht, në mostrat e marra nga 50 gra shtatzëna në maj të vitit 2018, 10% kishin antitrupa “ndër-reaktive”. 21 nga 48 mostrat e gjakut të marra nga fëmijët e moshës 1 deri në 16 midis viteve 2011 dhe 2018. Në veçanti, antitrupa të tillë ndër-reaktivë janë gjetur shumë më shpesh në mostrat e gjakut të marra nga fëmijët midis moshës 6 dhe 16 vjeç.
Pse fëmijët sëmuren më pak seriozisht me Covid
“Rezultatet tona tregojnë se fëmijët kanë më shumë të ngjarë t’i kenë këto antitrupa ndër-reaktive sesa të rriturit. Nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar pse, por kjo mund të jetë për shkak se fëmijët janë më të ekspozuar ndaj koronavirusëve të tjerë”, tha autori kryesor i studimit Kevin Ng.
“Këto nivele më të larta që kemi parë tek fëmijët mund të ndihmojnë gjithashtu të shpjegojnë pse kanë më pak të ngjarë të sëmuren rëndë me Covid-19. Megjithatë, ende nuk ka prova që këta antitrupa parandalojnë ose përhapin infeksionin SARS-CoV-2 “.
Por është e rëndësishme të theksohet se ka ende shumë të panjohura që kërkojnë kërkime të mëtejshme. Për shembull, si ndryshon saktësisht imuniteti ndaj një Koronavirusi nga ekspozimi ndaj një tjetri? Apo pse zvogëlohet kjo veprimtari me kalimin e moshës? Në çdo rast, nuk mund të mendohet se njerëzit që kanë kaluar të ftohur kohët e fundit janë imun ndaj Covid.
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi quifinanza.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.