Nuk ka gjë më të mrekullueshme për njerëzimin se t’i bjerë sëmundja e pashërueshme. Nuk ka shtëpi më të zymtë se ajo pa një mace. Kur bie fjala për të vënë në punë trurin, njerëzit tkurren dhe mendojnë se si të mendojnë. Përgjigja që kërkojnë ndodh të mos vijë, prandaj ata orvaten të gjejnë forma të tjera të të menduarit. Dalin shëtitje, vihen në punë, gatuajnë, mërzisin njëri-tjetrin deri në atë pikë saqë nuk durojnë më të pamenduarën, e flasin, e flasin, deri sa të gjitha derdhen e lumet bymehen, gati të shpërthejnë. Jo të gjithë duan të notojnë, për të mos thënë që shumë prej tyre nuk dinë, kanë të ftohtë ta mendojnë.
*Rea Shundi, Vëzhguese dhe mendimtare kritike, analizuese, punuese në grup dhe e udhëhequr nga aftësive e veta; Certifikata: Diplomacia Globale – Universiteti i Londrës, Nëntor 2017
Ka disa prej atyre njerëzve të njerëzishëm që nuk e kanë problem se janë të tillë. Kjo lë të thuhet se ka edhe të tjerë, të atillë që, e kanë problem të shfaqin veten si njerëz. Ka njerëz që mendojnë se duke qenë në rregull me veten dhe me të tjerët, mund të jenë në rregull përgjithmonë; kjo do të thotë për njerëzit e tjerë së janë të atillë, në të kundërt. Pra, njerëzit që nuk duan të jenë, që janë, që kanë frikë të mos jenë dhe që duan të bëhen njerëz më të mirë; njerëz, që mundohen të ulin zërin kur të gjithë të tjerët po bërtasin. Njerëz që kërkojnë një balancë midis dy muresh. Midis dy muresh, ku ka boshllëk, ata kërkojnë sëmundjen. Njerëz që dinë të gjejnë veten, sepse vetëm veten njohin, për të mos i humbur fillin tjetrës.
Ka vende të zhvilluara në botë që e mbajnë veten për të tillë dhe e gëzojnë statusin e tyre për shkak të atyre shteteve që nuk e njohin zhvillimin. Kur fillojmë të flasim për sëmundje, për fjalë të reja, për pandemi, për heroizëm, për besim në Zot, për uri, për sakrificë, për lejueshmëri e përshtatshmëri, nuk flasim për faktin konkret. Ne nuk jemi ende të aftë të flasim për gjëra konkrete, sepse mbase asgjë konkrete nuk është e tillë për të tjerët që nuk e pohojnë. Pra, një mjek, thotë se ka krizë, përpara se të thotë autori i librit se po e shkruan, përpara se shefi i kryefjalës të thotë se po mendon për të zgjidhur problemin.
A është familja qeliza e shoqërisë? A është më pak, më mirë? A jemi ne të larë nga mëkatet po të rrëfehemi? A i lajmë ne dhëmbët kur ushqehemi? A ka një njeri në botë të ngjashëm me njëri-tjetrin? Më saktë, a ka një problem njerëzor që nuk është edhe problem universal?
Sikundër, a ka shtet që mund të mendojë për xhepin e tij, pa menduar më parë për shtetet e tjera? Jo. Jo. Jo. Dhe jo! Por po të themi po, kemi filluar të hymë më mirë në temë.
Dëshira për të thënë jo, ndjenja për të shkuar kundër diçkaje, është forca jonë universale, po njëlloj me të kundërtën e saj, për t’u pajtuar me veten. Ne nuk mund të jemi ata që jemi, pa e ditur me siguri, me të njëjtën forcë, se ka edhe gjëra të tjera që janë. Kemi nevojë të dëgjohemi, të dukemi, në një shkallë të kundërt me ato të tjerat që flasin, që dëgjohen, që edhe duken. Sikur edhe një Zot të thotë se, nuk jeni të lirë¸ ne do duam ta kompromentojmë.
Jemi të lirë, dhe kjo nuk na shkon për mbarë!
Ne nuk duam të themi se jemi, duam të dukemi, e duam të vëmë veten tonë re në betejë.
Duke iu kthyer boshllëkut midis dy mureve, i jemi kthyer fillimit të punimeve për jetën. Ku nuk ka diell të bjerë, nuk ka sy të dyshimtë, sepse nuk ka as njerëz të nënshtruar, nuk ka fjalë, nuk ka asgjë që nuk ekziston. Ka vetëm vetmi.
E pra, për të mposhtur të keqen më të madhe, vetminë, njeriu shpik lloj-lloj ilaçesh. E kur ilaçeve u kalon efekti, njeriu shpik sëmundje.
Tani, njeriu më i sëmurë, më i dërrmuar, më i ndërvarur nga mashtrimet e tij se më parë, ka gjetur shpëtim sërish, duke mos menduar për asgjë. Duke pritur, më në fund, nga qielli, i kanë ardhur përgjigje, të cilat do të kishin ardhur gjithsesi edhe në mungesë të një problemi kaq të madh për të. Njeriu, në përballje me madhështinë, e emërton atë, për ta kornizuar, gjë që më pas ndodh të tejshkojë në varësi.
Njeri, në përballje me madhështinë që tanimë e ka emërtuar, shpjeguar, kornizuar, ri-emërtuar, ri-krijuar, e quan atë të vetën, meqë e ka përtypur me veten e tij. Njeriu, nuk ka mundur të pranojë madhështinë e tij, nëse nuk ka pranuar madhështinë e asgjësë; nëse nuk pranon dot madhështinë; nëse nuk mbyll sytë kur dielli i prek sytë. Nëse nuk lejon që një madhështi, të ketë të njëjtën forcë me të. Prandaj ai i vihet kundër si i marrë, deri në momentin, që forca e madhërishme tjetër kundërsulmon.
Tani kemi ndalur. Tani jemi ndalur. Tani jemi të vetëdijshëm kolektivisht. Tani, jemi të marrë me licence. Tani, jemi të zgjuar. Tani, e njohim diellin më mirë. Tani, jemi në ajër. Tani, kemi një shtëpi. Shtëpia jonë, shtëpia jonë, ka qenë gjithmonë, qelizë e shoqërisë. Dhe qelizat janë si njerëzit – gjithmonë në bashkëveprim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.