Shpesh nënvlerësojmë ndikimin që pushimet kanë në sistemin tonë nervor. Një javë larg stresit të përditshëm ndihmon jo vetëm në përmirësimin e humorit, por edhe në rritjen e empatisë, durimit dhe vetëkontrollit. Pushimi nuk është shpërdorim kohe, është mirëmbajtje për shëndetin mendor.
Me ardhjen e korrikut, dielli ndriçon më gjatë, ritmi i jetës ngadalësohet dhe natyra duket sikur na fton në një pushim të merituar. Kjo periudhë nuk është thjesht një moment për të ndryshuar destinacion, por një mundësi e artë për të ndryshuar gjendjen tonë mendore.
Nga këndvështrimi i psikologjisë, pushimet nuk janë thjesht një luks, por një nevojë thelbësore për mirëqenien mendore dhe emocionale. Ndërsa korriku sjell ditët më të gjata, dritën më të ndritshme dhe atmosferën më të ngrohtë të vitit, ai bëhet një ftesë natyrore për t’u ndalur, për të frymuar thellë dhe për të rigjetur veten përtej rutinës. Stresi i përditshëm, qoftë nga puna, qoftë nga angazhimet familjare, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin tonë mendor. Kërkimet psikologjike tregojnë se pushimi i rregullt përmirëson përqendrimin, ul nivelet e ankthit dhe ndihmon në parandalimin e djegies emocionale (burnout). Korriku, me ritmin e tij të ngadalësuar dhe atmosferën e lehtësuar, është periudha ideale për të rikthyer balancën. Por pse kemi nevojë për pushime? Ngarkesa në kohët e sotme, e cila matet me afate dhe nxitimi është norma, pushimi nuk duhet parë si luks, por si një nevojë psikologjike. Trupi lodhet, por është mendja ajo që më së shumti kërkon rimëkëmbje. Studimet psikologjike tregojnë se periudhat e rregullta të relaksimit ndihmojnë në: Uljen e stresit kronik, përmirësimin e gjumit, rritjen e kreativitetit dhe përqendrimit si dhe parandalimin e “burnout”-it emocional dhe profesional.
Relaksimi në natyrë, një terapi natyrale
Pushimet në verë shpesh lidhen me natyrën, detin, malet, fshatrat e qetë apo brigjet relaksuese. Këto nuk janë thjesht vende, por hapësira shërimi emocional. Tingujt e natyrës, freskia e mëngjesit, era e lehtë dhe largësia nga teknologjia ndihmojnë në rikthimin e ekuilibrit mendor. Vetëm 2-3 ditë në një ambient natyror mund të ulin kortizolin (hormoni i stresit), të përmirësojnë gjendjen shpirtërore dhe të rrisin ndjesinë e mirëqenies dhe pranisë në moment. Ndaj, në vend që t’i shohim pushimet si “shpërblim” pas një viti të lodhshëm, psikologjia moderne na fton t’i trajtojmë ato si akt i domosdoshëm vetëkujdesjeje. Marrja e kohës për të ndalur, reflektuar dhe rigjetur veten nuk është shenjë dobësie, por force.
Çfarë mund të bësh gjatë pushimeve për shëndetin mendor?
Shkëputu nga teknologjia – lejo trurin të “frymojë” pa ndërprerje të vazhdueshme!
Zgjidh aktivitete që të sjellin gëzim – leximi, noti, ecja e qetë apo meditimi.
Bëj pak, por me vetëdije – nuk ke pse të planifikosh gjithçka. Liria është çelësi i qetësisë.
Rioriento qëllimet – korriku është muaj i shkëlqyer për introspeksion dhe riformulim prioritetesh.
Nëse e shohim korrikun jo vetëm si muaj pushimesh, por si një mundësi për të riformatuar veten emocionalisht, atëherë ai bëhet shumë më tepër sesa një muaj kalendarik, bëhet një moment rikthimi tek vetvetja. Lejoje veten të relaksohet, të shkëputet dhe të rigjejë ekuilibrin e brendshëm. Sepse kujdesi për mendjen është kujdesi më i rëndësishëm që mund t’i bësh vetes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.