Mirëqenie

April 9, 2017 | 12:30

Krahasimi me të tjerët nuk na bën të lumtur

Lumturia ekziston dhe siç ka thënë psikologu i famshëm William James, kërkimi, arritja dhe ruajtja e kësaj ndjenje sublime janë motivet sekrete të çdo veprimi që ne ndërmarrim në jetë.

Diola Ajo çka e bën këtë ndjenjë në dukje të pakapshme për shumë njerëz, ndoshta vjen jo se ne nuk dimë ta fitojmë lumturinë, por ne nuk dimë ta mbajmë atë. Sado të lumtur të ndihemi në një moment të caktuar të jetës tonë, gjithmonë ekziston rreziku se kjo gjendje shpirtërore të përmbyset, gjë që sjellë perceptimin e ndjenjës së lumturisë si utopi.

Dy fenomene të studiuara gjerësisht nga psikologët: fenomeni i nivelit të përshtatjes dhe ai i deprivimit relativ ndihmojnë për të shpjeguar më mirë pse njerëzit shpesh nuk besojnë tek lumturia. Sipas nivelit të përshtatjes, ne kemi tendencën të krahasojmë përvojat tona aktuale me ato të mëparshme. Nëse gjendja jonë aktuale ka një ngritje, qoftë kjo ekonomike, sociale, emocionale, ne ndihemi më të lumtur. Por ndërsa koha kalon, ne përshtatemi me këtë nivel mirëqenieje, e konsiderojmë normal dhe kërkojmë diçka më të mirë për t’u ndier të lumtur.

Two young women in waiting room

Lumturia nuk është e lidhur vetëm me eksperiencat tona të mëparshme, por edhe me krahasimet që ne bëjmë me të tjerët. Ne e krahasojmë veten me të tjerët në mënyrë të vazhdueshme dhe sipas fenomenit të deprivimit relativ, kur krahasojmë veten me të tjerët që ndodhen në gjendje më të mjerueshme se tona, ky krahasim na bën të ndihemi më mirë. Ama është i paevitueshëm krahasimi me të tjerë, të cilët janë më mirë se ne, gjë që na bën të ndihemi të mjerueshëm. Pra edhe në këtë rast ndjenja e lumturisë nuk është e qëndrueshme.

Si rrjedhim, paaftësia për të arritur dhe mbajtur lumturinë bën që shpesh njerëzit të humbasin besimin tek lumturia. Psikologë të ndryshëm që studiojnë lumturinë thonë se lumturia, si niveli i kolesterolit, është një tipar gjenetikisht i transmetueshëm. Pra sa i lumtur është dikush varet pjesërisht nga aftësia për të qenë i lumtur, e trashëguar nga prindërit e tij. Kjo trashëgimi gjenetike si dhe fakti që shfaqjet e para të lumturisë shihen për herë të parë tek bebet e sapolindura, dëshmojnë se të gjithë ne kemi një prirje të lindur për të qenë të lumtur. Por njëkohësisht lumturia është dhe e mësuar, si e përkufizojmë dhe si e arrijmë ndryshon nga njëri tek tjetri. Dikush mund ta gjejë lumturinë duke qenë një nënë e mirë dhe një tjetër duke u bërë notare e shkëlqyer. Mënyra se si kërkojmë dhe e arrijmë lumturinë influencohet nga përvojat tona jetësore.

Leo Buscaglia, psikologu i famshëm i dashurisë, ka thënë se “jeta është një parajsë për ata që dashurojnë me pasion shumë gjëra, njerëzit, ushqimin, lulet, muzikën, vallëzimin, librat, një listë të pafund”. Në të vërtetë, studime të shumta tregojnë se për të qenë të lumtur është e rëndësishme t’u përkushtohesh njerëzve të dashur, një profesioni apo një hobi ku vë në përdorim aftësitë personale, të kuptosh që lumturia nuk blihet me para dhe të ndihmosh të tjerët. Gjithashtu, për të qenë i lumtur nganjëherë mjafton të sillesh i gëzueshëm, të buzëqeshësh, të mendosh në mënyrë optimiste dhe të kesh një vetëvlerësim të lartë. Mirëqenia ekonomike mund të lehtësojë punën e prindërve për të rritur fëmijë të lumtur, por nuk garanton nivele të larta lumturie. Është e vërtetë që të jetuarit në varfëri e vështirëson arritjen e lumturisë, por duhet pasur parasysh se fëmijët kanë më tepër nevojë për dashurinë dhe përkushtimin e prindërve për të qenë të lumtur se sa për të mira materiale. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top