Në gjithë rrjedhën e historisë kemi të faktuar se kohët e vështira, ato të lidhura me tranzicione politike, sociale si dhe kriza ekonomike apo sëmundje globale të tilla si pandemitë, kanë rezultuar në vendosjen e regjimeve autokratike apo diktaturave, por në raste të tilla si ajo e depresionit të madh në SHBA kanë pasuar edhe me një lulëzim ekonomik të menjëhershëm.
Nga Arsejda GJYLI, Lektore në Shkencat Politike, Analiste
Padyshim se momente të tilla prekin çdo aspekt të jetës, fillimisht aspektin ekonomik, i cili shpesh shoqërohet me inflacion, përmbysje të rendeve ekzistuese ekonomike si edhe me zhvlerësim të parasë. Në këtë situatë dëmi më i madh ekonomik është humbja e menjëhershme e pasurisë, e cila shoqërohet me një problem të madh social, atë të depresionit masiv shoqëror. Zhvlerësimi i parasë sjell ndryshime në shtresëzimin shoqëror, sjelljet shoqërore, konceptet psikologjike por mbi të gjitha në edukimin dhe arsimimin e shoqërisë. Një krizë edhe më të thellë po jetojmë aktualisht me rastin e pandemisë globale. Njëjtë si në rastet e depresioneve ekonomike, tanimë përballemi me depresionin social, problematikat socio-ekonomike por edhe me një ngërç të madh në funksionimin e sistemit arsimor.
Arsimimi është një komponent themelor në edukimin dhe emancipimin shoqëror, i cili nuk mundet të ndalojë së funksionuari e rrjedhimisht as të pësojë regres. Në të tilla kushte, për arsye objektive por edhe për disa të tjera politike dhe propagandistike, sistemi arsimor ka hasur vështirësi në implementimin e metodologjisë online të mësimdhënies pa një trajnim paraprak dhe një parapërgatitje të sfidave që do sillte ky sistem. Ajo që shihet si një problematikë edhe më e madhe është fakti se çështja e pandemisë nuk po merr një zgjidhje përfundimtare, e në këto rrethana edhe mënyra e vijimësisë së mësimdhënies mbetet një sfidë në vazhdim. Tërë sistemi është tjetërsuar, ndryshime rrënjësore ka në qasjen që kanë nxënësit dhe studentët ndaj të nxënit, metodologjinë e mësuesve në mësimdhënie. Vendosja e një marrëdhënieje edhe më komplekse në trinomin prind-mësues-nxënës, gjë e cila sjell sfida të vazhdueshme dhe pasoja psikosociale.
Në këtë optikë, pritet që ky vit i ri akademik të sjellë përmirësime sa i takon sfidave dhe ngërçeve që pandemia ka krijuar në sistemin arsimor dhe procesin e mësimdhënies. Ndryshimet pozitive mund të sjellin një përmirësim të metodologjisë së mësimdhënies e cila është implementuar që nga viti i kaluar. Në mungesë të një zgjidhjeje definitive disa reflektime mbi sfidat e krijuara padyshim janë në shërbim të një klime më të mirë të mësimdhënies për vitin e ri akademik.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 171
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.