Çdo ditë kemi nevojë për diçka të re, e cila të mund të na nxjerrë nga monotonia apo rutina. Por vështirë të kesh kaq shpesh mundësi të tilla. Megjithatë e shtuna dhe e diela pushim, duhet të jenë të tilla që t’i mundin pesë ditët e tjera të punës. Ndaj shëtitja në një fundjavë më largoi nga frikërat e çastit, mendimet e këqija që të pushtojnë papritur, tensionin e së përditshmes dhe detyrimeve rutinë e krejt të bezdisshme. Në fakt, dita nis me ngarkesë. Dhe s’kish si ndodhte ndryshe, përderisa rrugët e Tiranës vazhdojnë të sistemohen e risistemohen, një punë që ngre vazhdimisht pluhur e rëndon trafikun, e që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë.
Por dikur ia dolëm të linim pas dhe autostradën që vazhdonte të “arnohej”. Iku stresi. Ia vlente ta gjeja veten larg atij ambienti, që natyrshëm me kalimin e kohës të bëhet monoton. Ika vërtet. Për një ditë ama. Por e thjeshtë për t’u kuptuar se pavarësisht kësaj, janë udhëtimet ato që të zhvendosin vëmendjen. Ndaj ky është shërbimi më i mirë për veten. Për fat moti ka ngrohur, e për pasojë edhe gjendja emocionale e shumicës prej nesh varet nga këto kushte klime. Unë e shijoj shumë diellin, edhe pse ai në këto ditë pranvere është i dëmshëm në njëfarë mase. Por ai më çel, më bën më të çlirët, më frymëzon, më motivon. Pa të do të ndihesha më shumë e vetmuar. Po flas në vetën e parë, por jam e bindur se kjo është e njëjtë edhe për ju. Një gjendje mëse e shpjegueshme për psikologët, mjekët, sociologët, e cila ka të bëjë me hormonin e lumturisë. Ambientet e mbyllura shpesh na bëjnë të jemi fort të angazhuar me punën dhe të mos mendojmë aspak për lumturinë që gjendet jashtë saj.
Drita, vetë rrezet e diellit, janë të afta të stimulojnë dhe përmirësojnë gjendjen tonë shpirtërore, dhe jo pak herë i mëshohet këtij fakti. Kur dalim tej zyrës e jemi shkëputur nga monitori apo letrat A4, ndjenja bëhet më pak monotone. Kjo ishte një përpjekje ndryshe për këtë sezon, në këtë fillim pranvere. U largova nga “burgu” i kryeqytetit. Zgjodha detin, aromën e tij ngacmuese mes jodit dhe kripës, flladin e freskët dhe qetësinë në paqe që ai të ofron. Rimora veten. Nuk isha më e lodhur. Mendimet rridhnin krejt lirshëm, pa pengesa. Ide të reja lindën. Isha më e qeshur. Efekti i natyrës, ecja bregut të detit, ngjyrat, argëtimi, më dhanë diçka të munguar për mirëqenien time. Për fat, kjo ndjesi më zgjat në kohë, më shërben fort, deri në mundësinë e radhës.
Botuar në revistën Psikologjia, 118
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.