Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
Vera ka kaluar dhe… fillon dhe viti i ri shkollor. Në përgjithësi, shtatori është një muaj ku të rinj dhe të mëdhenj duhet të përshtaten me një përditshmëri të re. Sigurisht që ka shumë prindër që kanë shqetësime, kryesisht me fëmijët që janë në klasat e para të shkollës fillore. Kështu që nga fillimi i vitit shkollor por edhe gjatë tij, një fëmijë i vogël do të përjetojë disa vështirësi në shkollë, sepse përfaqëson një nga ndryshimet më të rëndësishme në jetën e tij të përditshme.
Do të ketë zgjim në mëngjes, një çantë plot me tekste, orë të gjata në tavolinë, materiale të mjaftueshme për të lexuar në shtëpi dhe në shkollë, përshtatje me një mjedis të ri dhe rregullat e sjelljes. Të paktën në muajt e parë ata do të kenë ndryshime që herët a vonë do t’i pranojnë dhe do t’u përshtaten ngadalë. Ata do të krijojnë miqësi dhe do të angazhohen në aktivitete të ndryshme. Nxënësit e rritur e dinë pak a shumë se me çfarë duhet të përballen në shkollë.
Cilat janë vështirësitë me të cilat përballen fëmijët e vegjël? Si mund t’i ndihmonin prindërit?
Ngurrimi është problemi më i zakonshëm. Disa nëna thonë se leximi me fëmijën e tyre në shtëpi është një makth pasi vetë fëmijët tregojnë një sjellje negative ndaj të mësuarit. Një përqindje e fëmijëve të vegjël (p.sh. fëmijët e klasave të para) hezitojnë të shkojnë në shkollë. Kjo mund të jetë për faktin se rutina e tyre e përditshme ndryshon, ata hyjnë në botën e letrave dhe studimit. Shumë herë fëmijët nuk ndihen gati për një fillim të tillë, si rezultat i të cilit ndjejnë frikë dhe manifestojnë një sjellje negative. Ja disa këshilla për ta ndihmuar fëmijën tuaj të lexojë dhe të përshtatet me shkollën: Së pari, mund të flisni me mësuesit e fëmijës tuaj. Ata e dinë dhe kanë krijuar një imazh se si fëmija sillet ndaj shokëve të klasës dhe ndaj mësuesve. Apo nëse i ndodh diçka në shkollë (si p.sh. bullizmi).
Disa fëmijë janë disi të ngadalshëm për t’u përshtatur me kushtet e reja dhe me mjedisin e shkollës. Për pasojë ndjejnë frikë, refuzim apo edhe tallje nga shokët e klasës dhe nga mësuesit e tyre. Këta janë disa nga faktorët kryesorë që mund ta bëjnë fëmijën të ngurrojë të shkojë në shkollë dhe të lexojë, por edhe të mos ketë përqendrim apo vëmendje. Në raste të tilla, fëmijët ndihen të bllokuar dhe nuk mund ta shprehin atë që ndjejnë dhe atë që po kalojnë. Ata janë në një gjendje konfuzioni dhe të paaftë për të shpjeguar shqetësimet e tyre. Kjo shpesh bën që fëmijët të sillen në mënyrë të padëshirueshme ndaj prindërve të tyre dhe gjithashtu ndaj palëve të treta.
Shumë herë fëmijët ngurrojnë të studiojnë në shtëpi (refuzojnë të lexojnë vetë) si rrjedhojë duan të tërheqin vëmendjen e të rriturve. Kjo mund të tregojë se ata ndjejnë mungesë vëmendjeje dhe dashurie. Kjo gjë është shumë e rëndësishme dhe kërkon vëmendje. Nëse si prindër keni vënë re diçka të tillë, do të ishte mirë të kërkoni ndihmë nga një specialist (dhe nëse keni mundësi) të parandaloni traumat psikologjike dhe sëmundjet psikosomatike. Shumë prindër punojnë dhe ndonjëherë nuk mund të kalojnë shumë kohë me fëmijët e tyre. Por kjo ndonjëherë çon në sjellje negative nga ana e fëmijëve. Prindër, rishikoni orarin tuaj dhe kushtojini më shumë vëmendje nevojave të fëmijës suaj!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.