Po afron koha e kthimit të fëmijëve në bangat e shkollës. Shtatori shenjon fundin e pushimeve dhe fillimin e shkollës. Para se të fillojë viti i ri shkollor është mirë që t’i çojmë fëmijët për një vizitë tek okulisti.
Por cila është mosha e duhur për vizitën e parë tek okulisti? Edhe në mungesë të shenjave që na shqetësojnë, do të ishte ideale që ta çonim fëmijën për një vizitë kontroll që në vitin e parë të jetës: në fakt dallimi i menjëhershëm i një anormalie është i rëndësishëm për të penguar lindjen e problemeve të mëtejshme.
Pas vizitës së parë, mjeku duhet të kryejë, rreth vitit të tretë të lindjes një stereotest, për të verifikuar që të dy sytë funksionojnë siç duhet dhe, në rast anormalish, jep recetën për syzet e para, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për të korrigjuar në kohë problematikat e mundshme.
Një vizitë tjetër po aq e rëndësishme, duhet bërë në kohën kur fëmija hyn në parashkollor, pra rreth moshës 5-6 vjeç. Këto vizita bëhen në mënyrë që të kundërveproni ndaj të ashtuquajturës miopi shkollore.
Po cilat janë sjelljet që tregojnë për një problem me shikimin e fëmijëve në moshë shkollore? Shenjat mund të jenë të ndryshme: fëmija mbulon njërin sy kur lexon apo picërron sytë kur bën detyrat e shtëpisë, ka problem me të parët, humbet lehtësisht rreshtin kur largon shikimin, mban librin apo fletoren shumë afër, kapërcen rreshtat apo fjalët gjatë leximit. Nëse shfaq ndonjë apo disa prej këtyre shenjave është e rëndësishme të bëni një vizitë kontroll për të kuptuar në kohë anormalitë me shikimin.
Nëse vizita te specialisti tregon se fëmija ka anormali shikimi, prindërit gjenden përballë një zgjedhjeje: të gjejnë syzet e duhura. Po si? Syzet e një fëmije janë strukturalisht të ndryshme nga ato të një të rrituri dhe është thebësore që ato të respektojnë karakteristika të caktuara teknike, duke lënë më pak pas dore aspektin estetik.
Format dhe dimensionet duhet të mbulojnë siç duhet fushën e shikimit dhe të garantojnë që fëmija të shohë gjithmonë nëpërmjet lenteve. Materiali duhet të jenë antialergjik dhe delikat për lëkurën e fëmijës: deri në moshën 6-vjeçare këshillohen skelete me veshje gome apo material të pathyeshëm.
Më pas, vëmendje të madhe duhet t’i kushtojmë edhe zgjedhjes së lenteve, të cilat janë thelbësore për shikimin e fëmijëve. Duhet të ofrojnë mbrojtje nga rrezet e diellit, që janë të dëmshme për strukturën delikate të syrit.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.