Që në lashtësi ka ekzistuar koncepti që është identifikuar morali me artin, e mira me të bukurën, etikja me estetiken. Ky formulim vjen që nga teoria estetike e Aristotelit, i cili pranonte unitetin e plotë të artit me moralin, se e bukura dhe e moralshmja janë identike dhe se arti i shëndetshëm moralisht është mjet i fuqishëm i edukimit qytetar të njeriut.
Nga Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.Larti
Mendime argumentime për ndryshimin e veçorive të estetikës nga etika.
Sipas Aristotelit, arti është njohja e thellë e thelbit të sendeve, e karaktereve. Në këtë kuptim ai e ngre artin më lart se natyrën. Arti duhet të ketë bukuri, vlerë estetike, por këto janë të njëjta me vlerat etike morale. Bukuria është estetika e së mirës, kurse e mira e përgjithësuar ne veprat e artit fiton vlerë estetike dhe bëhet e bukur. Kështu sinteza e së mirës dhe e së bukurës realizohet përmes artit. Por virtyti(1) i shprehur në art bëhet një vlerë etike e bukur, vetëm në qoftë se trajtohet në një formë estetike dhe në qoftë se përpunohet estetikisht. Sipas Aristotelit, në art e mira i nënshtrohet së bukurës, e cila nuk është një anë e jashtme, por cilësi e brëndshme e së mirës. Ndryshe nga Platoni përmbajtjen e moralshme të artit Aristoteli e kupton si bukuri të brendshme të veprës në të cilën sjellja etike ka cilësi specifike estetike. Prandaj ai arrinte në përfundimin se vepra artistike duhet të humbasë dhe të shuhet dallimi midis etikës dhe estetikës.
Pra Aristoteli edhe se u përpoq të kapë lidhjet midis etikës e estetikës së mirës dhe së bukurës moralit dhe artit nuk arriti dot në atë nivel që vërtet etika dhe estetika kanë gjëra të përbashkëta por edhe kënde të ndryshme të orientimit sepse ato kanë vlera të veçanta ku secila ka të drejtën të quhet shkencë më vete.
Të njëjtin mendim kanë patur dhe estetët iluministë(2) ky grup që anonte nga racionalizimi, pranonin se arti në rrafshin moral duhej të karakterizohej nga një dedaktizëm i drejtpërdrejtë ose i tërthortë duke nxjerrë në pah shembuj, që mëshirojnë virtytin dhe përsosmërinë morale.
Ndërsa nga ana tjetër disa estetë (3) iluministë që anonin nga sensualizmi, shpallnin si burim themelor në art ngarkesën emocionale të cilat i lidhnin me ndjenjat morale. këto i mëshojnë pikëpamjes se ka harmoni të plotë midis natyrës dhe njerëzve, midis ndjenjës dhe intelektit, midis trupit e shpirtit, midis të jashtmes dhe të brendshmes, në këtë rast njësohet gati plotësisht etika dhe estetika.
Ndërsa një estet tjetër iluminist sensual, shpallte se bukuria është mirësia, por thelbi i saj është morali. Në këtë mënyrë estetika e iluminizmit shkon drejt estetizimit të moralit duke nënçmuar pavarësinë e fillesës estetike nga fillesa morale në veprat artistike.
Kanti thoshte se, pa u mbështetur në ide etike nuk mund të ketë shije, domethënë nuk mund të zhvillohet ndërgjegjja estetike e njeriut. Mirëpo sipas tij bukuria nuk është një me të moralshmen, ajo mund të ekzistojë vetëm si simbol i saj.
Sjellja morale sipas Kantit i nënshtrohet imperativitetit kategorik, ligjit të moralit dhe prandaj ajo e përjashton lirinë e zgjedhjes në sjellje, kurse bukuria nuk ngushtohet nga asnjë rregull. Këtu e shihte Kanti dallimin midis etikës dhe estetikës.
Në këtë drejtim ka shumë ide për raportet midis artit dhe moralit si esteticienët4 rusë të shekullit të XIX si Bjelinski, Herceni, Çernishevski dhe Dobroljubovi. Të gjithë këta i bashkonte ideja se arti është shkallë estetike e moralit, pra jeta e vërtetë morale nuk mund të egzistojë pa ndjenja të zhvilluara estetike. Prandaj çdo gjë që s’është me të vërtetë artistike nuk ka vlera estetike.
Dukuritë e marrëdhënieve morale, qëndrimet dhe sjelljet morale i janë nënshtruar në çdo kohë vlerësimit estetik. Jeta morale ka qenë e mbetet objekt interesimi për artin. Në vlerat e artit janë përfshirë gjithmonë idetë estetikisht morale dhe me to arti ka ushtruar një ndikim të fuqishën moralo-estetik mbi jetën shpirtërore të shoqërisë. Arti e ka përdorur dhe e përdor këtë raport duke krijuar figura njerëzore pozitive dhe negative, si mjet për të ushtruar ndikim moral për të zbuluar bukurinë e së mirës dhe shëmtimin e së keqes.
Si konkluzion mund të themi se; sado të lidhura të jenë etikja dhe estetikja, morali dhe arti, e mira dhe e bukura, ato nuk janë identike. Ato kanë dhe specifikën e tyre dallohen midis tyre, për nga struktura, funksioni dhe dinamika e zhvillimit. Madje ato mund të jenë dhe raporte jo të drejta si në jetën reale dhe në art. Sikur arti estetik dhe morali, të përkonin tërësisht nuk do të ekzistonte as morali sepse ekzistojnë të përveçuara njëra prej tjetrës, ndërgjegjja estetike dhe ndërgjegjja etike.
Estetika hyn gjithashtu në kontradiktë me etikën, kur synimi drejt të bukurës si sjellje s’është mbështetur në vetëdijen morale (etika si sjellje e jashtme ose shije tekanjoze të modës). Madje, midis etikës dhe estetikës ka edhe kontradikta të thella. E bukura dhe virtyti kanë forcë tërheqëse, por nga kjo s’mund të pranohet si e moralshme që një njeri të bjerë në dashuri me të gjithë bukuroshet. Nga ana tjetër ndeshen njerëz që e përbuzin bukurinë e vërtetë dhe virtytin duke u dhënë pas të ultës, të keqes, të veseve, dhe pëlqejnë diçka që s’ka vlera të mirëfillta morale dhe estetike, siç ka edhe njerëz që nuk janë të aftë të dallojnë bukurinë fizike nga ajo shpirtërore. Këto e shumë shembuj të tjerë tregojnë se etikja, morali dhe e bukura, arti, jo vetëm nuk përkojnë në çdo rast, por mund të jenë në marrëdhënie kontradiktore. Sa do që të japim shembuj dhe të vijmë sa më shumë afër të vërtetës se etika dhe estetika kanë gjëra të përbashkëta, por gjithsesi ato kanë dhe anë të specifikës së tyre. Dikush i quan si një fasule dy katilidone që ushqejnë një embrion dikush i quan si dy pasqyra njëra konvekse dhe tjetra konkave e të tjera mendime. Ato sot trajtohen veç e veç si shkenca të veçanta për të krijuar secila fushën e vet të interpretimit dhe konceptimit.
Etika (nga greqishtja Ethos-sjellje, zakon) shkenca e parimeve të moralit. Por kjo ka dhe fjalorin e saj si: shkencë etike, edukim etik, norma etike, përsosmëri etike etj.
Estetika (nga greqishtja Ais’thesis-aftësia për të ndierë).
Estetika është shkenca që studion të bukurën në natyrë dhe në jetën shoqërore, ajo ka ligjet e veta të përgjithshme si të krijimtarisë artistike e përvetësimit estetik. Pra dhe kjo shkencë ka terminologjinë e vet si: Teori estetike, kategori estetike, mendim estetik, vlerësim estetik, paraqitje estetike, kategori estetike, edukim estetik etj. Apo duke i parë nga ana tjetër e ndërtimit të filozofisë si:
Estetika: teori e së bukurës, teori fiziologjike e ndijimit të këndshëm. Teori e përcaktimit estetik (e ndjenjës së kënaqësisë estetike) teoria e krijimit estetik (e misterit të çdo krijimi njerëzor).
Krijimi i fjalës estetike
Fjalën estetikë e ka krijuar Baumgarteni më 1750 për të treguar një disiplinë të re, në studimin filozofik dhe shkencor të artit dhe të së bukurës. Natyrisht për këtë problem ka pasur shumë mendime që nga lashtësia të përhapura andej këndej kurse Baungarteni shtroi idenë për një disiplinë të re specifike dhe me funksion të veçantë.
Ai e ndan qartazi estetikën nga vetë arti, sepse arti është praktikë e ndarë ndërsa estetika refleksion mbi këtë praktikë dhe mbi veprat e saj. Nga dialektika e letërsisë dhe e arteve. Sepse estetika nuk vendos rregulla dhe nuk ka për qëllim të formojë poetë dhe artistë (pavarësisht se ajo u jep atyre njohuri të dobishme). Nga kritika, sepse kritika merret me vlerësimin e veprave ndërsa estetika është përshkruese, objektive dhe analitike. Nga psikologjia megjithëse midis të dy disiplinave ka pika takimi (p.sh. kur esteticieni analizon ndjenjat estetike prirjet e artistit reagimet e soditësit) estetika kufizohet vetëm në sferën e artit dhe në ndjenjën e së bukurës.
Nga morali (etika) sepse vetë qëllimet e tyre janë të dallueshme dhe vlerat estetike janë të pavarura nga vlerat morale, pavarësisht se ato mund të lartësojnë shpirtin e përderisa, arti nuk tkurret thjesht në një kënaqësi të shqisave). Mendimi për estetikën e sidomos përkufizimin e saj e kanë formuluar Kanti, Hegeli e mjaft të tjerë, por duke evoluar mendimin është arritur të marrin shpjegimin metaforik se ajo është një pemë. Estetika disiplinë refleksive e së bukurës, në kuptimin e përgjithshëm. Me fjalë të tjera estetika si një trung i madh do të ishte: filozofi dhe shkencë (si krijohen veprat e artit) – studimi mbi analogjitë (çka e bën estetika morfologjike).
Studimi mbi reagimet që ato shkaktojnë mbi gjykimet etike e mbi ndjeshmërinë estetike (çka e bën estetika psikologjike). Marrëdhëniet e tyre me shoqërinë (pra ç’ka merret estetika sociologjike) etj. Estetika pra është si të tëra këto pemë.
Çfarë përfaqëson termi “kategori estetike”?
Konceptimi me shtrirje të gjerë, që tregon lloje të ndryshme reagimesh emocionale dhe që përfaqëson mënyra të ndryshme, për njohjen e shkencës estetike në të gjithë botën. Si emërtim është relativisht i ri, por si proces vjen si një raport ndërmjet emocionalitetit të njeriut soditës dhe objektit të soditur, është tejet i hershëm. Në harkun e këtij procesi, që mbart një evolucion të gjatë e të shtrirë në kohë, dallohen dy etapa kryesore të formimit të konceptit “kategori estetikë”; shkolla emocionale (fillestare dhe intuitive estetike) dhe shkolla racionale (ajo e trajnimit të kategorisë estetike në mënyrë konceptuale). Pra termi kategori estetike, përfaqëson një emërtim për përshtypjet estetike që na përcjellin natyra, shoqëria dhe arti.
Konceptimi i së bukurës
Koncepti i së bukurës është ndër më të vështirat e të të gjitha estetikave të lashta, moderne, bashkëkohore. E bukura është një nga temat më madhore të estetikës, është kategoria estetike që qëndron në themel të çdo teorie estetike. Kjo fjalë rrjedh nga latinishtja –bellus- që do të thotë: elegant, i këndshëm, i dashur. Në një kuptim të parë, e bukura tregon bukurinë ose më saktë vlerën estetike të një objekti. Në një kuptim më të përparuar nga ana shkencore, e bukura është një cilësi estetike një ndër shumë të tjera, me tiparet e saj specifike dhe mjaft thelbësore për estetikën. Një funksion tjetër i së bukurës lidhet me kërkesën për të gjetur një kriter që t’i japë asaj pak a shumë një brendi normative. Në këtë rast, e bukur çmohet vetëm ajo që i përgjigjet një ideali estetik të mirë përcaktuar, me fjalë të tjera, që i përgjigjet atyre vlerave që i përkrah një person, një kategori njerzish apo një teori e caktuar. Për të bukurën kanë shprehur mendimet e tyre mjaft filozofë, esteticienë e artistë të shquar si:
Platoni: “E bukura është shkëlqimi i së vërtetës”
Aristoteli: “E bukura qëndron te madhështia që i nënshtrohet rregullit”
Gëte: “E bukura nuk është qëllimi në vetvete, por rezultat i një procesi dhe i një zhvillimi të arsyeshëm”
Hygoi: “E bukura qëndron te forma”
Santajana: “E bukura është kënaqësia që na jep diçka”
Ho Fan: “E bukura është ajo që përftohet nga një lëvizje e shpenguar, e rregullt dhe e lirë” si e të tjerë.
Lidhur me të bukurën mendimi njerëzor shkon drejt të bukurës absolute.
Kuptimi i kënaqësisë estetike
Përcaktimi i kënaqësisë estetike ka qenë tejembanë një problem, me të cilin është marrë teoria e estetikës, karakterizimi i saj nuk ka qenë diçka e lehtë, sepse, së bashku me të, futen në veprim edhe shumë faktorë psikologjikë, ndërmjet të cilave është e vështirë të veçosh e të karakterizosh kënaqësinë estetike.
Që të përcaktosh, se kur kemi kënaqësinë estetike nga një objekt me të vërtetë estetik, lipset të sqarohen disa probleme apo anë të saj me aspekte të tjera të perceptimit estetik si, për shembull, cili është raporti ndërmjet kënaqësisë estetike dhe qëndrimit estetik ndaj një paraqitjeje (veshjeje) me anën e një uniforme dhe kënaqësitë që u jep ajo të tjerëve në një mikromjedis; si dallohet kënaqësia estetike e përfituar nga shqisat nga kënaqësia estetike njohëse apo intelektuale; lipset, gjithashtu të mbahet parasysh se kënaqësia estetike është një ndjenjë e menjëhershme e atypëratyshme dhe jo objekt i ndonjë qëllimi të mëtejshëm apo e ndonjë vlerësimi në të ardhmen; dhe, së fundi, (çka është më e vështirë për t’u përballuar), lipset të kihet parasysh se, kënaqësia estetike nuk duhet të ngatërrohet me aspektet e paragjykimeve, të rëndësisë morale mesazhi politik etj, sepse në këtë mënyrë këto kënaqësi do të ishin jo estetike, sigurisht këto kanë ndihmat e veta, për shembull që punonjësin e veshin me pushtet ligjor e bëjnë person publik etj.
Veç këtyre kënaqësia estetike çmohet si produkt i së bukurës dhe jo të së këndshmes, të të pëlqyeshmes. Çka tregon natyrën që ka kjo kënaqësi. Kënaqësia nga e bukura është indiferent ndaj ekzistencës së objektit që e nxit. Ndërsa kënaqësia nga e këndshmja përkundrazi, lidhet drejtazi me objektin që e shkakton e që ngjall dëshirën për ta pasur atë, ose objekte të ngjashme me të. Me fjalë të tjera kënaqësia estetike është e lidhur me një miratim ndërsa kënaqësia shqisore me një prirje. Edhe diçka tjetër: kënaqësia nga e këndshmja dallohet nga e bukura edhe nga fakti se atë e gjejmë edhe te kafshët që s’kanë arsye, ndërsa ndjenja e bukurisë është pronë e njerëzve, si qenie të arsyeshme.
Që një objekt të na shkaktojë kënaqësi, ai duhet të kënaqë një nevojë të natyrës sonë, që t’i përgjigjet një farë interesi. Pra që uniforma dhe gjithë elementët e tjerë që vendosen në uniformën e punonjësit të policisë – si gradat, shenjat dalluese të policisë së shtetit dhe shërbimit policor etj, që t’ju japin kënaqësi vetë policëve dhe publikut duhet të bazohen në kërkesat e “Ligjet për policinë e shtetit” të rregullores së uniformës, të cilat ngjallin interes por nga ana tjetër edhe për t’i respektuar pse jo edhe për t’iu bindur.
Synimet e edukimit estetik
Edukimi Estetik: Pjesë përbërëse e edukatës, e njohur dhe e ushtruar që në Lashtësi. “Letra mbi edukimin estetik të njeriut 1793 – 1795) nga Shileri. Sipas tij, edukimi estetik hap rrugën e lirisë për një botë më harmonike, ku ndjenjat dhe mendja të veprojnë së toku. Mendimi dhe ndjenja i korrespondojnë natyrës sonë të dyfishtë të cilat kanë marrë formë. – (Të menduarit është elementi përmes të cilit ne marrim pjesë në procesin universal kozmik), (Ndjenja është ajo përmes së cilës ne mundësohemi të tërhiqemi në kufijtë e qenies sonë), (Të menduarit na lidh me botën), (Ndjenjat na çojnë në vetvete dhe na bëjnë të veçantë). Një jetë ndjenje që është plotësisht e privuar nga mendimi gradualisht do të shkëpusë të gjitha lidhjen me botën. Në procesin e edukimit estetik marrin pjesë shumë faktorë si: familja, shkolla, rrethi shoqëror, natyra, teoria, morali, filmi, teatri, televizioni, propaganda, libri etj.
Ja disa nga objektivat e edukimit estetik:
1.Edukimi estetik synon të formojë te njerëzit koncepte e shije të mira estetike, të cilat u nevoiten atyre për të mbajtur qëndrim estetik të drejtë ndaj realitetit. Ai ka për qëllim të kultivojë dhe të rritë aftësitë e njerëzve për të perceptuar, shijuar e vlerësuar të bukurën jashtë sferës së artit, sepse, siç dihet ajo ze vend në një seri dukurish e objektesh të natyrës dhe të shoqërisë.
2.Edukimi estetik synon të rritë aftësitë krijuese tek njerëzit. Ky është objektivi i dytë dhe më i rëndësishëm i tij. Natyra artistike e njeriut lipset të kultivohet përmes edukimit estetik, me qëllim që ai të jetë pjesëmarrës aktiv në krijimin e së bukurës si në fushën materiale ashtu edhe në atë shpirtërore. Të gjitha shoqëritë, institucionet përpiqen që edukimi estetik të mos ia lenë spontanitetit. Një nga këto institucione është dhe policia ku estetika është e pranishme nëpërmjet programeve të formimit të punonjësve të policisë të të gjitha niveleve duke filluar nga Akademia dhe institucioni i policisë, por edhe gjithë nivelet e tjera të shtrirjes së policisë.
Argumente të tjera për veçoritë
Soren Kirtegardi (1813-1855) lindur në Kopenhagen, lidhur me veçoritë e etikës ndaj estetikës cilëson: Ndryshe nga njeriu Estetika që nuk ka standarde universale, por vetëm shijen e tij, ndërsa njeriu Etik i njeh vërtet dhe i pranon rregullat e zgjedhjes që formulon arsyeja. Rregullat morale i japin jetës së njeriut Etik elementet e qëndrueshmërisë. Për më tepër njeriu Etik i pranon kufizimet që imponon përgjegjësia morale ndaj jetës së tij. Ky filozof e ilustron kontrastin midis njeriut Estetik dhe njeriut Etik në qëndrimin e tyre ndaj sjelljes seksuale duke thënë se, ndërsa i pari u nënshtrohet impulseve të tij sa herë ekziston një tundim ndërsa njeriu Etik i pranon detyrimet e martesës si shprehje të arsyes. Don Zhuani është ekzemplari i njeriut Estetik (njeriu Etik është ai që tipizon Sokratin). Kur njeriu Etik, ka gjendjen e vetëmjaftueshmërisë morale, ai mban një qëndrim ndaj çështjes morale dhe siç argumenton Sokrati, që të njohësh të mirën do të thotë të bësh të mirën. Në pjesën më të madhe njeriu Etik e konsideron të keqen morale si produkt të injorancës ose të dobësisë së vullnetit.
Në nivelin Etik është e mundur që individi ekzistues ta japë jetën e tij si bëri Sokrati për ligjin moral që ai e kuptoi në mënyrë racionale dhe më tej ai argumenton se njeriu bëhet i besueshëm kur ai si individ realizon veten e tij të vërtetë pra qëndrimin e tij Etik.
De Rada: “Shëndeti i plotë dhe jeta trupore e zhvilluar shkruan De Rada- është një e mirë për njeriun. Sendet e botës që janë të dobishme për atë quhen gjithashtu, të mira sepse i shërbejnë jetës”. Po fillesa që e ngre njeriun mbi botën shtazore është fillesa shpirtërore, kërkesat e së cilës plotësohen me anë të së vërtetës, të mirës dhe të bukurës. Kjo pikëpamje në historinë e mendimit filozofik ka pasur rëndësi, sepse është përdorur nga Baungratoni si argument për të diferencuar estetikën (si teori e njohjes shqisore të së bukurës) nga logjika (si teori e së vërtetës) dhe nga etika (si teori e së mirës) në këtë prizëm quan garanci Derada njeriun që priret nga e vërteta, nga e mira dhe nga e bukura. Ideali social-estetik i De Radës mbetet një thirrje drejt së bukurës… (estetikës). Duke e vënë të bukurën në qendër të idealit estetik në veprën e tij “parime të estetikës” vëmendjen kryesore ia kushton analizës së kësaj kategorie.
Ndaj teoria estetike e De Radës është pranuar si teori e së bukurës.
Përfundime
Gjithsesi problemi i përcaktimit të të bukurës ka evoluar duke filluar nga shekulli i XVIII e deri në ditët e sotme ku është përforcuar mendimi me mjaft argumente dhe del qartë përcaktimi se estetika është: “shkenca e të bukurës” dhe etika “shkenca e të mirës”. Këto dy shkenca sot trajtohen mjaft mirë duke u mbështetur sa në kuptimin filozofik dhe shkencor në sistemin tonë arsimor edukativ duke iu bërë një interpretim nisur dhe nga mendimi më i arrirë bashkëkohor nëpërmjet programeve dhe planeve mësimore. Në këtë kontekst gjejnë zbatim duke u aplikuar edhe në Akademinë Policore të mbështetura tek “ligji për policinë e shtetit” ku në kreun e V-të neni 26-të pika 2 theksohet: Paraqitja e jashtme (ana estetike) prezanton komunikimin (ana etike) dhe veprimet e punonjësit të policisë në publik (ana ligjore) përfaqësojnë autoritetin e shtetit.
Tek kodi i Etikës së Policisë së Shtetit ku qartazi shprehet ana estetike si: Punonjësit e policisë detyrohet të mbajnë uniformën në rregull në të cilën të dallohen qartë shenjat e veçanta personale dhe të shërbimit si dhe gradat. Po kështu dhe ana Etike si: punonjësit e policisë veprojnë me ndershmëri dhe paanësi… etj.
Këto dy shkenca në polici ndikojnë ndjeshëm në krijimin e shijeve Estetike dhe në përvetësimin dhe vënien në jetë të marrëdhënieve Etike, që punonjësi i policisë të ketë një pamje të jashtme të hijshme e brenda kërkesave të rregullores së uniformës si dhe për të qenë një njeri i edukuar i sjellshëm duke krijuar kështu figurën publike të dëshiruar nga të gjithë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.