Editorial

April 24, 2017 | 10:46

Ku po shkon shoqëria jonë?!

Lëvizja feministe që përfshiu perëndimin e Europës e pak më larg, që në fillim të shekullit të XX, i fitoi ca të drejta. Por sot në fillim të mijëvjeçarit të ri gruaja shqiptare është po aq e dhunuar sa dhe më parë. Ajo rrihet e vritet. I dhunojnë fëmijët, ia marrin, ndërsa ajo vijon të mbetet figura më e përvuajtur e një shoqërie të dhunshme, vrastare, të mërzitshme deri në palcë.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Kujt ia kemi borxh?

Në dhëmbët e idealizmit deri në budallallepsje se ky vend do ndryshojë, dimë të themi vetëm se fajin na e kanë institucionet, qeveria, ndërkombëtarët e agjenturat e huaja. Trishtimi gëlon brenda nesh thellë si vuajtëse e dëshmitare e ngjarjeve të frikshme.

Kujt t’ia vëmë fajin?

Në mes të ditës, në bash të vendit, një nëne i pritet jeta në mes. Një i çmendur pas makinës, shpejtësisë dhe idiotësisë së moshës, shkel këmbën mbi pedal duke i dhënë gaz deri në ekstazë, se ka qejf të bëjë një demonstrim masiv për spektatorët e kafeve përreth. Por ai mori një jetë. E shkeli atë. Pastaj kërciti e iku që t’i fshihej krimit të tij. “Vrau” dhe traumatizoi jetën e dy fëmijëve të mitur të saj. Por as që denjoi t’u jepte një ndihmë.

Në kryqëzimin e rrugës “Asim Vokshi” me rrugën “Jordan Misja”, një mjet, ka aksidentuar për vdekje shtetasen Dhurata Prifti, 37 vjeç, teksa po kalonte me dy fëmijët e saj të mitur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në kryqëzimin e rrugës “Asim Vokshi” me rrugën “Jordan Misja”, një mjet, ka aksidentuar për vdekje shtetasen Dhurata Prifti, 37 vjeç, teksa po kalonte me dy fëmijët e saj të mitur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

E kujt është përgjegjësia? E jona!

Po, po, pa dyshim e jona. Nuk na e kanë fajin institucionet, qeveria, ndërkombëtarët e agjenturat e huaja. Përgjegjësia është e jona që tolerojmë deri në injorancë nga mosdashja për t’u përfshirë në gjëra që na takojnë. Sepse po mësohemi të hedhim vetëm statuse në rrjete sociale dhe jo të reagojmë me forcë që një kriminel të marrë dënimin e merituar nga një drejtësi jo e korruptuar. E kështu, ngjarjet rrjedhin. Një fajtor bën pak vite heqje lirie dhe del e jeton sërish. Mëse normal të marrë sërish makinën e tij e t’i japi gaz sa të dojë, sepse koha e rehabilitimit shkurtohet aq shumë sa i duken si ditë vakance. Ndërkohë na duhet të përballemi sërish me të në rrugë, ne si këmbësorë, e ai në timon.

Kemi harruar veten.

Ua kemi lënë në dorë të paudhëve, ndoshta se ndihemi të lodhur. Në luftën e vazhdueshme ku në fasadë duket se pas një lufte të gjatë kemi fituar diçka, po aq kemi humbur për një sekondë të vetme. E sërish na duhet të ringrihemi. Në mos për veten, duhet të mendojmë për brezin që po rritet. Ata kanë jetën e tyre dhe s’duhet të guxojë kush t’ia presë në mes.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.110

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top