Në fokus

April 24, 2017 | 10:56

Produksioni i fundit kinematografik italian mbi emigrimin e shqiptarëve në vitet ’90, sjell premierën “ALTIN IN CITTÀ”

3

“Altin in città” është një dramë që trajton historinë e një emigranti shqiptar të larguar në vitet’ 90 drejt brigjeve italiane dhe përpjekjet e tij për t’ja dalë mbanë ngjarjeve që i ndryshojnë jetën.

Nga Dorina Hoxha Publiciste

Nga Dorina Hoxha
Publiciste

Premiera është një dramë e huazuar nga tranzicioni post-komunist në vitet ’90 në Shqipëri, një periudhë që rezultoi një sfidë e vështirë politike, ekonomike dhe shoqërore për shqiptarët. Destabiliteti politik i atyre viteve pati ndikim në aspektin ekonomik, psikologjik dhe social të qytetarëve shqiptarë, një pjesë e të cilëve gjeti si të vetmen shpëtim emigrimin drejt vendeve europiane. Ishte pranvera e vitit 1991 që shënoi në historinë shqiptare edhe fazën e parë të emigrimit në periudhën post-komuniste.  Në muajin mars  të vitit 1991 anije të mbushura me shtetas shqiptarë zbarkuan në brigjet e Jugut të Italisë kryesisht në Brindisi, Bari, Otranto. Historia e një tranzicioni që u ndryshoi jetën mijëra emigrantëve shqiptarë në përpjekje për t’u rimëkëmbur, premiera vihet në skenën italiane nga regjizori  Fabio Del Greco dhe studioja Monitore Film.

  1Rimi Beqiri, është aktori shqiptar që vjen në rolin e ‘Altinit’, personazhit kryesor të filmit, rreth të cilit vërtiten të gjitha ngjarjet.

Premiera “Altin in città” pritet të shfaqet në Itali me datë 27 Prill në kinema kryesore, në qytete si: Roma, Bologna, Rimini, Pescara, Lanciano dhe në shumë qytete të tjera në vijim.

Përpjekja për një të ardhme më të mirë vuri përballë sfidave të njëpasnjëshme  të emigrimit Altinin, një shkrimtar shqiptar që aspiroi të mbërrinte në Itali në mënyrë klandestine në një target të madh në vitet ’90 të tranzicionit shqiptar.  Altini punonte në një thertore kur ai u përzgjodh nga një audicion për  shkrimtarët, ai më në fund sheh një shans për të qenë i suksesshëm me librin e tij “Udhëtimi i Ismailit”. Një fillim suksesi që do t’i ndryshonte jetën Altinit, dhe që do të niste sagën e përpjekjeve të vështira për të mësuar anën e errët të këtij suksesi siç është  hakmarrja, vetmia dhe  varfëria e tejskajshme.

Filmi  hedh dritë mbi  përpjekjet e një individi për t’u rimëkëmbur  e për t’ja dalë mbanë në mënyrën më të sukseshme  në një vend të huaj. Ndonjëherë suksesi më i madh qëndron në arsyetimin  mbi raportin e asaj që ishe dhe që je, shumica ngelin në kurthin e egos. A përfaqëson Altini,  lirinë e ndrydhur të shqiptarëve në komunizëm, të cilët përballë një jete të zhvilluar kulturalisht, ekonomikisht dhe psikologjikisht shfaqen të ‘pangopur”?! Një personazh që njihet me të dyja anët e medaljes së një suksesi.

2Rimi Beqiri sjell në rolin e tij gjithashtu frymën e një shqiptari të larguar prej vitesh nga Shqipëria dhe përpjekjen e tij për t’ja dalë mbanë në kinematografinë italiane. 

Rimi Beqiri ka lindur në Tiranë, por prej vitesh është shkëputur të jetojë në Itali. Ai kreu studimet në Akademinë Ndërkombëtare për Aktrim në Romë, ku diplomohet si aktor dhe ndihmës regjizor. Prej disa vitesh ka arritur të depërtojë në kinematografinë dhe teatrin Italian nëpërmjet roleve të ndryshme të interpretuar prej tij disa prej të cilave janë: “ I Cesaroni 3”(2009); “Il Commissario Rex 7”(2014); “Un Passo del Cielo 3” (2015). Rimi Beqiri është pjesë gjithashtu e shumë produksioneve të filmave si: “Dov’e Sisifo”(2005); “The darkest Night”(2009); “ Reality News”(2011) me regji të Salvatore Vitiello;  në filmin aksion “ Connections: segment HOBO”(2013) me regji të Daniele Misischia; co-protagonist në dramën historike mbi jetën e poetes Vittoria Colonna “Festina Lente”(2016) me regji të Lucilla Colonna, filmi ka marrë vlersime të ndryshme në festival ndërkombëtare; në filimin dramatik “The Plastic Cardboard Sonata”(2015) me regji të Enrico Falcone dhe Piero Persello, filmi njëherësh është pjesë e festivaleve ndërkombëtare. Aktori shqiptarë Rimi Beqiri ka bashkëpunuar  edhe në Kosovë me aktorin e mirënjohur Halil Budakova dhe Çun Lajçi në filmin “Virus Extrem Contamination”(2016) me regji të Domiziano Cristopharo, ky prodhim pritet të dalë së shpejti edhe në kinemanë shqiptare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top