Marrëdhënie

May 3, 2016 | 9:22

Kufijtë midis nuses & vjehrrës

Albana

Djali, mes dy grave të rëndësishme të jetës.

Pse është shpesh e ndërlikuar marrëdhënia Nuse-Vjehrrë, çfarë i bën që ta “urrejnë” njëra-tjetrën dhe të dëgjojmë jo rrallëherë për konflikte mes tyre?”

Kjo tematikë është tepër komplekse dhe në kontekste të ndryshme ekonomike e sociokulturore do analizohej ndryshe. Megjithatë, në pjesën më të madhe të kulturave marrëdhënia nuse-vjehrrë pritet të jetë e tensionuar, që do të thotë ne nuk habitemi nëse kjo marrëdhënie nuk shkon aq mirë, sa habitemi kur shkon shumë mirë. Thënie të ndryshme popullore që shpesh përcjellin copëza të kulturës vendëse tregojnë gjithashtu dhe specifikat apo mënyrat sesi është ndërtuar perceptimi rreth kësaj marrëdhënieje. Kur flasim për marrëdhënie, realisht flasim për bashkëveprim të dy apo më shumë personave, në këtë rast dy individëve. Produkti që përcillet nga marrëdhënia kërkon analizimin e dy këndvështrimeve. Në kulturën tonë, duke u nisur nga këndvështrimi i nuses shpesh ajo hyn në marrëdhënie me mendimin “A do më pëlqejë vjehrra?”, “A do jetë dakord me zgjedhjen e djalit?”. Në disa raste kur e ndrojtura vjen nga një status social larg pritshmërisë së vjehrrës, ankthi është edhe më i madh. Tensionet jo gjithmonë shfaqen në fillim, ato shfaqen pas martese, e sidomos kur ato përballen me jetën kolektive, pra të jetuarit së bashku. Këndvështrimi i vjehrrës nuk ka të bëjë me zgjedhjen, pra ajo as nuk zgjidhet e as nuk zgjedh. Në mënyrën e saj, ajo shqetësohet nëse djalit të saj do t’i ofrohet e njëjta përkujdesje ashtu si ajo “ia ka plotësuar”. Tensionet nisin kur vjehrra vëzhgon se çifti, ndoshta jo fizikisht, por mendërisht, ndahet për të jetuar bashkë, për të marrë vendimet bashkë. Shpesh kjo komentohet se “ajo (nusja) do të ndajë djalin nga familja”. Dhe kur shfaqen këto pasiguri, nusja fillon krijon përshtypjen se “familjarët ndërhyjnë në jetën tonë”. Shpesh problemi bëhet hamendësim dhe jo arsye konkrete, e duke hamendësuar shpesh, bindim veten që problemi mund të jetë vetëm ai. Ndër të tjera, tri janë akset, të cilat do të na mundësonin një marrëdhënie të shëndetshme midis dy figurave të grave më të dashura për djalin: Së pari, të dashura nuse, respektoni familjen tuaj, jini të vëmendshme për të mos nënvlerësuar kalanë e ndërtuar të një familjeje. Ju nuk hyni në këtë kala për të shembur muret, por për të ndihmuar në forcimin e tyre. Mos mendoni se vjehrra juaj duhet medoemos të manifestojë nënën tuaj – ajo është figura më e dashur e gruas për bashkëshortin tuaj, dhe nëse kjo i sjell lumturi atij, duhet t’ju influencojë pozitivisht edhe juve. Perceptimet e ndryshme që përcjell hendeku midis gjeneratave nuk iu bën ju më të mirë, thjesht të ndryshëm, dhe jo më pak të pavlera vjehrrat. Psikologët këshillojnë se një bashkëshorte që respekton familjen e tij, e sidomos nënën e tij, do jetë po kaq e vlefshme në familjen e tyre. Së dyti, të dashura nëna të djemve/vjehrra! Vajza në shtëpinë tuaj nuk lind kur ajo i bashkohet familjes suaj, ajo vjen me një bagazh historish, eksperiencash shpesh të ndryshme, dhe sa mirë që është kështu, pasi ndryshe nga kultura që pranojnë martesa brenda fisit, kultura jonë nuk e ka praktikuar një gjë të tillë. Ndaj dhe ajo çka manifestohet te nusja juaj padyshim do jetë e ndryshme nga juaja. Unë mendoj se një nuse që do familjen e saj, bashkëshortin e saj dhe beson te institucioni i familjes dhe martesës, nuk ka asnjë arsye pse duhet të përpiqet ta “ndajë” djalin nga familja e tij. Përkundrazi, ajo përpiqet ta inkurajojë atë të vazhdojë marrëdhënien e tij të ngushtë me ta. Nusja dhe vjehrra duhet të vlerësojnë me përulje dhe respekt atë çka ato përfaqësojnë si individ e jo si status, brenda kornizave të etikës edukative e kulturore. Nusja nuk mund të presë që vjehrra të ketë për detyrë angazhimin me fëmijët e saj, ashtu si vjehrra nuk mund të pretendojë të marrë vendime për familjen e djalit të saj. Vjehrra duhet të kuptojë se familja e parë për djalin tashmë është nusja dhe fëmijët e tij; ndërsa nusja duhet të bëjë çmos që kjo të mos i kujtohet vjehrrës shpesh. Shembuj që do demonstronin raste të ndryshme në këtë marrëdhënie gjenden pa limit, por në asnjë moment nuk do mund të anashkalonim faktin se ai që mban peshoren të balancuar është djali/ bashkëshorti, i cili që në fillim duhet të përkufizojë rolet dhe rëndësinë e secilës palë në funksion të harmonisë në familje, shoqëri. Djali është ndërmjetësuesi i një bashkëbisedimi të shëndoshë, i cili ashtu si bën të mundur prezantimin, lidhjen e këtyre dy grave të rëndësishme për jetën e tij, është pikërisht ai që në rast se do të ish i pakujdesshëm, do ndihmonte në prishjen e ekuilibrit. Thonë se Adami ish njeriu më me fat në botë, se nuk kish një vjehrrë, por ajo çfarë do shtoja është se e pafat qe edhe gruaja e tij, Eva, që nuk kish një vjehrrë.

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top