FB

May 22, 2025 | 12:30

Kujdes nga “ethet e pranverës”: simptomat e stinës dhe pse nuk janë gjithmonë arsye për shqetësim

 

“Ethet e pranverës” është një shprehje e përhapur që nuk i referohet një gjendjeje mjekësore të saktë, por përshkruan një sërë shqetësimesh që shumë njerëz përjetojnë me ardhjen e stinës së ngrohtë. Lodhje, pagjumësi, nervozizëm apo ndryshime në humor janë disa prej simptomave më të zakonshme. Si t’i dalloni dhe çfarë mund të bëni për të lehtësuar këtë gjendje?

alergji-ne-pranvere

Pranvera: e bukur, por jo për të gjithë

Me ditët që zgjaten dhe motin që ngrohet, pranvera është zakonisht e mirëpritur. Por jo për të gjithë kjo stinë sjell vetëm gëzim. Shumë njerëz përjetojnë një ndjenjë lodhjeje të përgjithshme, rënie të humorit, shqetësime me gjumin apo edhe ankth të lehtë. Të tjerë, edhe pse më rrallë, mund të përballen me një gjendje më serioze si çrregullimi afektiv sezonal (ÇAS). Pikërisht për këtë gjendje të përgjithshme të lodhjes dhe paqëndrueshmërisë emocionale është krijuar termi popullor “ethet e pranverës”. Edhe pse nuk është një diagnozë zyrtare, ajo pasqyron mirë përvojën e përbashkët të shumë njerëzve gjatë kësaj periudhe.

 

Çfarë e shkakton këtë gjendje?

Sipas ekspertëve, faktorët që ndikojnë përfshijnë:

Ndryshimet në ritmin cirkadian – ora biologjike e trupit ndikohet nga ndryshimi i dritës dhe kalimi në orën verore, duke sjellë vështirësi në përshtatje.

Rritja e kortizolit – i quajtur edhe “hormoni i stresit”, nivelet e tij rriten në këtë periudhë për t’i dhënë trupit më shumë energji pas dimrit, por mund të kontribuojë edhe në ndjenja ankthi apo lodhjeje.

Alergjitë sezonalë – poleni dhe alergjenët e tjerë mund të sjellin vështirësi në frymëmarrje, sy të skuqur, fryrje apo ndjenjë të përgjithshme plogështie.

 

Simptomat më të zakonshme

Simptomat e “etheve të pranverës” ndryshojnë nga personi në person, por më të zakonshmet janë:

Lodhje fizike dhe mendore

Vështirësi në përqendrim

Pagjumësi ose gjumë i çrregullt

Ndryshime në oreks

Luhatje humori

Ankth ose nervozizëm

Probleme gastrointestinale (të përziera, fryrje, urth)

 

Si t’i lehtësoni simptomat?

Nëse nuk bëhet fjalë për një çrregullim të thellë, disa ndryshime në stilin e jetës mund të ndihmojnë:

Ushqehuni mirë: Zgjidhni një dietë të pasur me fruta, perime dhe drithëra integrale. Shmangni ushqimet e përpunuara dhe sheqernat e tepërt që rrisin inflamacionin dhe ndikojnë negativisht në energjinë tuaj.

Qëndroni aktivë: Lëvizja e përditshme dhe aktiviteti fizik i moderuar ndihmojnë në përmirësimin e humorit dhe energjisë.

Merrni dritë natyrale: Ekspozimi në diell ndihmon në prodhimin e vitaminës D, që lidhet ngushtë me gjendjen tonë emocionale.

Pini ujë mjaftueshëm: Dehidratimi i lehtë shpesh kalon pa u vënë re, por mund të ndikojë në përqendrim dhe mirëqenie.

 

Kur duhet të kërkoni ndihmë?

Nëse ndiheni vazhdimisht të lodhur, të pafuqishëm, ose nuk keni më interes për aktivitetet që zakonisht ju gëzojnë, mos e neglizhoni. Konsultohuni me mjekun për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një gjendje më serioze si depresioni sezonal.

Ethet e pranverës nuk janë gjithmonë të rënda apo shqetësuese, por janë një kujtesë që trupi dhe mendja jonë ndihen dhe reagojnë ndaj ndryshimeve të natyrës. Me pak kujdes dhe vëmendje ndaj nevojave tona, pranvera mund të kthehet sërish në një kohë rigjenerimi dhe energjie të re.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top