Nga Orjona Tresa
Mëngjes. Fillim marsi.
Nga nanuritja e përgjumtë ku ndieja vetëm tik-takun e dobët të orës më bëri të shkundesha krejt nga sinjali akustik i një mesazhi në rrjetin social Facebook. “Me siguri çështje pune” mendova në çastin e parë. Por jo. Ish krejt ndryshe nga çfarë mund të sillja ndër mend në ato pak sekonda. Në fakt, ishte një mesazh që e kisha pritur me ankth prej një kohe të gjatë. E kisha tejet të domosdoshme të dëgjoja, të merrja vesh se çfarë kishte ndodhur pas afro gjashtë vitesh heshtjeje. Jetoja me frikën e të pamundurës. Isha në ankth për fatin e një vogëlusheje, që në fakt, më gëzoi përmes fjalëve që mëma e saj më shkruante. Megi e kishte mundur të keqen, gëzonte shëndet të plotë! O Zot sa e frymëzuar u bëra atë mëngjes!
… Fillim nëntorin e vitit 2009, teksa mendoja për një personazh të veçantë, befas nënndërgjegjja më orientoi drejt një historie njerëzore. U bëra më e ndërgjegjshme të shkruaja një histori të tillë edhe kur u mbështeta nga stafi i “Psikologjisë” me të cilin bashkërisht ndajmë mendimet. Këmbët më çuan në dyert e pavijonit të Pediatrisë, në QSU “Nënë Tereza”. Aty u njoha me Megin, vogëlushen që sapo kish mbushur pesë vjet. Bashkë me nënën e saj Miranda, ishin vendosur prej tri muajsh në “strehëzën” e re, për t’u përballur me një sfidë të vështirë.
Në “luftë” për jetën.
Ka qenë një nga ditët më të vështira për mua. Përpjekjet nisën prej aty, nga ajo dhomëz e ftohtë, e bardhë, pa rafte, pa libra, pa ambient ku mund të luaje a të shihje televizor, me vetëm disa sende të nevojshme dhe një objekt kulti, nga ku nënë e bijë mund t’i dërgonin lutje Zotit për shpëtim. Nisi në këtë mënyrë një kalvar thirrjesh për ndihmë ndaj institucioneve shtetërore dhe joqeveritare. Megi mund të shpëtonte dhe duhej shpëtuar. Ishte vetëm në fillimin e jetës së saj.
Çfarë mund të bëja unë si gazetare? Ndoshta jo shumë, por gjithsesi… Nuk kisha ndër mend të dorëzohesha e as të tërhiqesha.
Sytë e vogëlushes më shfaqeshin çdo çast. E pra mundesha të paktën të sensibilizoja atë që mund ta konsideronte mesazhin tim të vlefshëm. Ndodhi që dhe shkrimi im të shkonte atje ku duhej. Mundi nuk shkoi kot. Shqetësimi që më ishte bërë nyje në gjoks kishte filluar të zhbëhej. Pati njerëz të cilët u treguan të gatshëm dhe që shpresës së vogëlushes dhe prindërve i dhanë jetë. Kurimi i saj mori udhë falë kësaj mbështetjeje njerëzore dhe një shoqate humanitare italiane që arriti të realizojë misionin e vyer, faljen e një jete. Dhe u desh vetëm një mesazh nga larg që të kuptoja edhe një herë sa e rëndësishme është jeta, dhe ndihma njerëzore ndaj atij që ka nevojë për të.
… Megi me sy të shkruar, sot është 11-vjeçe. Është e shëndetshme dhe ndjek në normalitet jetën. Vazhdon shkollën dhe ka krijuar shoqëri të re. Jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht. Mund ta shijojë atë me të gjitha ndjesitë, dëshirat dhe guximin për të ecur përpara. Megi është e lumtur. Sot edhe unë jam shumë e lumtur për të, për familjen e saj.
Megi ia doli mbanë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.