Psikofakt

November 5, 2015 | 9:00

Përkufizime

MondiNga: Edmond Tupja

Ka plot përkufizime të martesës, por jo të gjitha të bëjnë të mendosh a të filozofosh lidhur me këtë dukuri shoqërore, sepse shumë syresh janë batuta, si, për shembull, “Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë saqë, nganjëherë, duhen tre veta për t’i mbajtur” apo “Martesa është  llotari, por ndërsa biletën e llotarisë ti e hedh pasi nuk ke fituar, bashkëshortin/en nuk e hedh dot aq lehtë”, si edhe përkufizimi i beqarit që Çarli Çaplini jep në kujtimet e tij: “Beqari është dikush që nuk e bën një herë të njëjtin gabim”. Gjithsesi, një gjë është e vërtetë: kur dy vetë martohen (me dashuri apo me mblesëri, pak rëndësi ka), ata do të përpiqen të zgjidhin bashkë ato probleme që nuk do t’u kishin dalë po të mos ishin martuar. Me sa duket, andrallat me të cilat përplaset çifti pas disa vjet martese, ia shkurtojnë jetën atij, dhe kjo në kundërshtim me atë çka vëren në trajtë aforizmi shkrimtari frëng Jules Renard kur shkruan se jeta e njeriut është e shkurtër, por atë e zgjasin hallet.

Mirëpo, paradoksalisht, vetëm nën dritën e këtij aforizmi mund të shpjegohet fakti përse njerëzit e divorcuar një herë vendosin një ditë të bukur që të martohen për herë të dytë, të tretë apo edhe të katërt. Duke përjashtuar rastet e atyre – meshkuj më shumë sesa femra (në Shqipëri të paktën) –, të cilët, papritur, e shohin veten në pozitë të vështirë pas humbjes së bashkëshortes/it, mund të pohohet se, në fund të fundit (veçse jo pa përjashtime), martesa e dytë (pse jo, edhe e treta apo e katërta) mund të konsiderohen si një orvatje (nganjëherë nga e keqja) për ta zgjatur jetën, që sidomos pas të gjashtëdhjetave, duket aq e shkurtër.

Si përfundim, martohesh për herë të parë apo të dytë, një gjë nuk mund të mohohet: “Le mariage doit incessamment combattre un monstre qui dévore tout : l’habitude”, shkruan Balzaku, pra, në shqipe, “Martesës i duhet detyrimisht të ndeshet me një përbindësh që përpin gjithçka: me rutinën”, prandaj një martesë e dytë, e tretë apo e katërt, ka, me mjaft gjasë, edhe ajo dobinë e saj. Sidoqoftë, logjikisht i bie që nëse, pa dalë aspak jashtë kornizës së martesës së parë, pjesëtarët e çiftit arrijnë ta rigjallërojnë marrëdhënien e tyre bashkëshortore, ta thyejnë pa tradhti të ndërsjelltë rutinën për t’u bërë e për të qëndruar pa luhajtje dashnorë të njëri-tjetrit, atëherë asnjëri syresh nuk ka nevojë për një martesë të dytë. Por a është vallë e mundur një gjë e tillë? Romani “Le Zèbre” (Zebra), i francezit Alexandre Jardin, na propozon një hero të pazakontë: 15 vjet pasi është martuar me Kamilën, Gaspar Egri vendos ta ripërtërijë flakën e dashurisë së kohëve të para të martesës së tij duke ia rifituar zemrën së shoqes. Dhe, falë disa marifeteve dhe dredhive të studiuara më së miri, ia del mbanë. A nuk është ky një shembull që duhet ndjekur nga çiftet e tejlodhur prej martesës së parë? Në rast mossuksesi, çiftet në fjalë kanë, natyrisht, të drejtën të ndahen për të shijuar një martesë të dytë, pse jo?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top