Zbulimi, inkurajimi, përkrahja dhe orientimi i nxënësve me dhunti dhe talent është shumë e rëndësishme jo vetëm për individët, por për mbarë ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë. Një aspekt është motivimi për karrierë profesionale, për të qenë të dobishëm në jetën shoqërore, për të qenë të rëndësishëm për sa i përket nivelit intelektual, po ashtu edhe për të zhvilluar oratorinë, si një e dhënë efikase për t`i orientuar nxënësit drejt një karriere të suksesshme.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S. Larti
Të gjitha këto, por edhe fusha të tjera, ku nxënësit kanë dhunti dhe talent, si në muzikë, pikturë, matematikë, fizikë, për zhvillimin e ekonomisë, zgjedhjen e fenomeneve shoqërore tej., ndikojnë së tepërmi në ecurinë dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe kulturor, të mbarë shoqërisë, për të ecur drejt mirëqenies, cilësisë së jetesë dhe për ta bërë atë sa më të sigurt dhe të lumtur.Kur flasim për zbulimin e talentit të fëmijës dhe nxitjen e imagjinatës së tij, si mësuesit, ashtu edhe prindërit duhet t’i kushtojnë vëmendje fëmijëve se çka u pëlqen atyre të bëjnë, si p.sh., cili është hobi i tyre si: vizatimi, piktura, puna me numra, muzika, letërsia, etj. Ndihmoni ata të zhvillojnë këto aftësi ose mjedisin ku mund t’i kryejnë apo avancojnë aktivitetet e tilla. Pra, merrni fëmijët tuaj në vende ku ata mund të mësojnë.
Cilësitë e një fëmije me dhunti / Konceptualiteti dhe përkufizimi i dhuntisë
Nisur nga këndvështrimi i hershem për dhuntitë, kanë qenë të fokusuara vetëm në inteligjencën si një karakteristikë që shfaqej te fëmija që nga lindja dhe e përcaktuar nga trashëgimia.
Ndërsa sot ekzistojnë këndvështrime shumë më të gjera, të veçanta të inteligjencës, si e aftësive, kreativitetit, dhe talentet që janë të përfshira në ide që përcaktojnë dhuntitë.
Marland e përkufizon dhuntinë: Fëmijët me dhunti janë ata që identifikohen nga persona të kualifikuar profesionalisht, të cilët në sajë të aftësive të shquara, janë të aftë për performancë të lartë. Këta janë fëmijë që kërkojnë programe dhe shërbime arsimore të diferencuara, përtej atyre të parashikuara zakonisht nga programi i rregullt shkollor.
Pra këta fëmijë ne këtë mënyrë arrijnë që të realizojnë formimin e tyre në aspektin e njohurive, teorike të qëndrueshme, shprehive praktike të vetëdijshme dhe për tu edukuar si qytetare të ardhshëm me kulture, për t`i shërbyer vetes, familjes dhe shoqërisë me devotshmëri dhe përkushtim.
Nxënësit, fëmijët ose të rinjtë (të arsimit fillor e deri të mesëm), që shfaqin aftësitë (kapacitetet) e tyre për arritjen e treguesve në fusha të tilla si: intelektuale, krijuese, artistike dhe udhëheqëse ose në fusha specifike dhe akademike që iu nevojiten me nivele të larta zhvillimeve ekonomike-shoqërore dhe shkencore (jo të zakonshme). Duke u arritur që të sigurohet një mbarëvajtje dhe realizim sa më i plotë të misionit të shkollës. Pra, si rezultat dhe i angazhimit të a tyre nxënësve që zhvillojnë plotësisht kapacitetet e tyre të aftësive (cilësohen si me dhunti ose të talentuar).
Në këtë kontekst në lidhje me dhuntinë përkufizojmë në mënyrën më të plotë: Të qenit e njeriut me dhunti, ka të bëjë me një nga shkallët më të larta të zhvillimit të aftësive. Dhuntia, është një tërësi harmonike e aftësive të veçanta, që lidhet, ndërvaren dhe ndërthuret, të cilat ndikojnë në kryerjen me sukses të veprimtarisë në një diapazon të gjerë. Kështu, p.sh., për të kryer me sukses detyrat mësimore, nxënësit i duhen shumë aftësi, siç janë perceptimi i qartë, kuptimi i shpejtë, vëmendja e përqendruar, kujtesa e pasur dhe e qëndrueshme, aftësi për të arsyetuar, të shprehurit qartë dhe bukur tej. Dhuntitë janë të përgjithshme, ato ndahen në: a. Intelektuale, dhe b. Artistike.
Dhuntitë janë edhe speciale, që lidhen me një lloj të caktuar krijimtarie. Shkalla më e lartë e dhuntive është talenti. Dhuntitë janë morale (shpirtërore) dhe artistike.
Përshkrimi i dhuntive / Vlerësimi dhe identifikimi
Fëmijët me dhunti të jashtëzakonshme mund të identifikohen në vitet e hershme të fëmijërisë (bebe që ecin vetë përpara se të bëhen 1 vjeç, flasin me fjali të plota përpara se të bëhen 2 vjeç, fillojnë të lexojnë përpara se të fillojnë kopshtin);
Vlerësimi dhe identifikimi duhet të përfshijë lloje të shumëfishta të vlerësimeve.
Matjet identifikuese janë të ndryshme si:
Testet e inteligjencës (përfshi matjet jo-verbale);
Testet e arritjes;
Testet e krijimtarisë;
Propozimet e mësuesve;
Propozimet e prindërve;
Propozimet e bashkëmoshatarëve;
Propozimet e vetë nxënësve;
Shembuj produktesh ose portofoli;
Performancat (muzikë, teatër, etj)
|
Karakteristika të përbashkëta të nxënësve me dhunti / Individët me dhunti me paaftësi
Nxënësit me dhunti me paaftësi janë në një risk të madh, shumë prej tyre nuk marrin as edukim special, as atë për të talentuarit;
Këta nxënës janë të referuar si dy herë të jashtëzakonshëm.(pasi shpesh organizatat e përdorin këtë term për nxënësit e talentuar me paaftësi në të mësuar)
Nxënësit me dhunti me paaftësi janë shpesh:
Të identifikuar si me dhunti, por jo të identifikuar me paaftësi, sepse dhuntia maskon paaftësinë;
Të identifikuar me një paaftësi, por jo të identifikuar me dhunti, sepse paaftësia maskon dhuntinë;
Të paidentifikuar në të gjitha, sepse çdo gjendje maskon tjetrën.
Karakteristikat e fëmijëve te talentuar / Konceptualiteti dhe përkufizimi për talentin
Konceptualiteti për talentin
Në ditët e sotme ka një arsye që shtrohet pyetja.. pse talenti nuk vlerësohet apo mbivlerësohet, por mitizohet si dikur..!? Në këtë kontekst i referohemi Malcolm Gladwell, i cili në vitin 2008, publikoi librin me titull: “Të Jashtëzakonshmit, Historia e Suksesit”, ku tregon arsyet dhe kushtet që i bënë të famshëm shume personalitete midis tyre dhe Moxartin. Ai arriti të zhbënte mitin që ekzistonte rreth talenteve të lindura, duke ia bashkangjitur talentit një sërë kushtesh, rastësish dhe arsyesh. Gjithashtu, ai arriti të shpjegonte se nuk mjafton vetëm talenti për të arritur sukses të jashtëzakonshëm, por një rol shumë të më madh luanin kushtet e jashtme, historia e personit, puna dhe përkushtimi i madh në zhvillimin e talentit, tej.
Kohët e fundit ka shumë mënyra rreth kuptimit dhe njohjes së botës së fëmijës. Gjithashtu, edhe metodat e nxitjes së imagjinatës së tij kanë ndryshuar. Studimi i fëmijëve, pikëpamjet e tyre nga bota e tyre për jetën, fuqia, aftësitë, dhe të mësuarit e tyre, është bërë një fushë shumë e rëndësishme në psikologji. Pothuajse të gjithë janë dakord se ne duhet të dimë shumë më tepër sesa dimë për fëmijët dhe se si ata e perceptojnë botën, jetojnë, rriten, dhe mësojnë brenda saj.
Pyetja është, se si ta bëni këtë..? Të gjithë fëmijët kanë talente të veçanta që duhet të vërehen dhe stimulohen në mënyrë që ata të mësojnë mirë në shkollë dhe në jetën e tyre më vonë. Në të kaluarën, nxënësit e dobët, shpeshherë kanë qenë të anashkaluar nga shkolla, duke favorizuar dhe përzgjedhur nxënësit më të suksesshëm dhe duke mos zgjedhur shumë metoda për të nxitur imagjinatën apo thënë më mirë për të parë talentet edhe te nxënësit, të cilët janë konsideruar të dobët, por që faktikisht mund të kenë pasur prirje për ndonjë fushë të caktuar. Tani, megjithatë, shkollat janë duke përdorur metoda më të gjera dhe më të drejta për identifikimin e fëmijëve me talente të veçanta, me ç’rast mund të dalin talente specifike, mbase edhe në disa fusha që nuk kanë qenë të njohur ose identifikuara deri më sot.
Orientimi i nxënësve me talent është shumë e rëndësishme ku në këtë aspekt një nga këta është motivimi sidomos në fushën e karrierës profesionale. Një aspekt ky që i talentuari të jetë i dobishëm në jetën shoqërore, sikurse dhe për të qenë i rëndësishëm për sa i përket nivelit intelektual. Po ashtu edhe për të zhvilluar oratorinë, si një e dhënë efikase për t`i orientuar nxënësit drejt një karriere të suksesshme. Të gjitha këto, por edhe fusha të tjera, ku nxënësit kanë dhunti e talent si: në muzikë, pikturë, matematikë, fizikë, në drejtimin e zhvillimit të ekonomisë, konstatimi dhe zgjedhja e fenomeneve shoqërore tej. Gjithashtu këto ndikojnë së tepërmi në ecurinë dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe atij kulturor, të mbarë shoqërisë. Një shtysë reale për të rritur mirëqenien, cilësinë e jetesë, si dhe për ta bërë atë, sa më të siguritë dhe të lumtur.
Fëmijët me inteligjencë të lartë intrapersonale janë “mendimtarë”, edhe pse ata mund të shihet si “ëndërrimtarë”. Ata mund të duken të trembur dhe të tërhequr. Ata mund të mos reagojnë në klasë, por preferojnë të flasin me mësuesit në lidhje me temën, pas mësimit. Ata zakonisht kanë një ide të qartë në lidhje me të ardhmen e tyre dhe do t’i vendosin vetes objektiva dhe sfida personal. Ata janë të interesuar për historinë e jetës së tyre sa dhe arijnë që të mbajnë dhe ditar personal. Që nga momenti kur të zbulohet se në çfarë fushe fëmija është i mirë, kjo është një sprovë për të nxitur atë për të bërë edhe më të mirën në këtë gjë të veçantë, por kjo mund të jetë edhe e dëmshme nëse merret në ekstrem. Inkurajoni fëmijën tuaj për të vendosur objektiva për veten e tyre. Kjo do t’i ndihmojë ata për të ngritur qëllimin e tyre në nivelin më të lartë. Përparimet në aftësitë e nxënësve nxiten edhe me lavdërim dhe inkurajim. Nxënësit dëshirojnë t’i bëjnë gjërat që ju pëlqejnë dhe me të cilat kënaqen, sidomos kur mësimi zhvillohet me një metodë kreative dhe interaktive që njëkohësisht është edhe argëtuese për ta. Ka shumë lojëra dhe aktivitete zbavitëse që do t’ju ndihmojnë për të zhvilluar aftësitë – qoftë mendore, fizike apo artistike. Së këndejmi, që nga zbulimi i talentit e deri te caktimi i objektivave dhe mbështetja e fëmijëve që të fitojnë besim në aftësitë e tyre, të gjitha këto elemente do të jenë stimuj për ta që të arrijnë suksese të mëdha në karrierën e tyre të zgjedhur, me ndihmën e mësuesve dhe prindërve konform talentit të tyre të lindur. Zbuloni interesimin dhe aftësinë e nxënësve
Individët (nxënësit), me talente intelektuale
Të shkallës së KI ndodhen individët me dhunti intelektuale. Personi me KI mbi 130 quhet me dhunti ose talent, megjithëse disa psikologe ashtu dhe disa edukatore pëlqejnë 140 si kufi të sipërm. Mësuesit shpesh i konsiderojnë nxënësit e shkëlqyer si kandidate për tu përfshirë në programe shkollore për te talentuarit.
Sternberg dhe Davidson (1985) shfaqen mendimin se individët e talentuar janë të aftë për të përdorur me efikasitet komponentët kognitive të inteligjencës (planifikimin e diçkaje dhe vlerësimin e saj, përvetësimin e informacionit të ri).
Në kundërshtim me atë që mendohet në përgjithësi, të talentuarit nuk janë gjithmonë “shkencëtarë” me mjekër, me syze te trasha (nga leximi 20 ore ne dite), thatime (ngaqë ushqehen keq sepse “harrojnë” edhe të hanë) dhe të dobët fizikisht (nga që kurrë nuk kane ngritur pesha më të mëdha se ajo e një libri). Në fakt njerëzit me KI të lart priren që të jenë më të mirët në shumë fusha si: sporti, profesionet, marrëdhëniet ndërpersonale dhe përparimi shkollor. Megjithatë Gardner (1983) vuri re se disa individë të talentuar i kryejnë punët po ashtu si edhe njerëzit me inteligjence normale. Një studim në të cilin u krahasuan nxënësit e talentuar me nxënësit e zakonshëm dhe nxënës me nevoja speciale, ky krahasim zbuloi se: të talentuarit prireshin që të arrinin më shumë pikë në shkollë e në vetë konceptin social ndërsa nxënësit me nevoja sociale në të mësuar arritën pikët më të ulta në të gjitha matjet (Colangelo, Kelly dhe Schrepfer, 1987).
Studimi më i shquar për fëmijët e talentuar u fillua nga psikologu Lewis Terman në vitet 1920. Ai zgjodhi mbi 1500 fëmijë me KI mbi 140 dhe e ndoqi zhvillimin e tyre deri në moshën e rritur. Terman zbuloi se si fëmijët ata në përgjithësi ishin më të shëndetshëm fizikisht, të adaptuar më mirë dhe më të lumtur se një grup kontrolli me fëmijët e tjerë (Terman, 1925).
Studimet në vazhdim treguan se këta fëmijë të talentuar u rriten për të qenë të rritur të suksesshëm (Goleman, 1980). Mbi të gjitha, grupi i këtyre fëmijëve ishte më i shëndetshëm, më i lumtur, më i suksesshëm dhe më i pasur se një individ mesatar.
Ndërsa për sa i përket zhvillimit të inteligjencës te fëmijët, Dr.Wingett profesor në universitetin e Amerikës Veriore thotë se në këtë fushë mund të flasim për 8 pjesë të ndryshme të inteligjencës.
Ato janë:
fjalët (dëshira e madhe e fëmijëve për të lexuar, apo për të shkruar ),
numrat (mbizotërimi i dëshirës për matematikë),
figurat (dëshira për të vizatuar apo pikturuar),
muzika ( këndimi apo mësimi i ndonjë instrumenti muzikor),
trupi (aftësia për sporte të ndryshme),
natyra (dashuria për bimët dhe kafshët),
esenca e individit (dëgjimi i zërit të brendshëm) dhe
mjedisi (ata fëmijë që anojnë kah mjedisi, kanë aftësi për organizime grupore,etj)
Pra këto 8 fusha na orientojnë se cilin profesion jemi të aftë ta kryejmë. Një individ i shëndosh patjetër që njërën prej këtyre duhet ta posedoj. Mirëpo, është e rëndësishme të zbulojmë se cila prej këtyre fushave mbizotërojnë më shumë te fëmijët.
Gjithsesi, asgjë nuk mund të zëvendësojë eksplorimin e thjeshtë dhe të vjetër si dhe ndërveprimin për të ndihmuar fëmijën tuaj të lulëzojnë intelektualisht. “Bebet nuk mësojnë nga kukullat dhe as nga lodrat,” thotë Gopnik. “Ata mësojnë duke eksploruar botën dhe duke pasur njerëzit që i kushtojnë vëmendje atyre.”
Shoqata Nacionale e Edukimit ka pesë rekomandime për punën me këta nxënës:
Të bëhet akomodimi për pikat e forta akademike dhe dhuntitë e tyre;
Të bëhet akomodimi për pikat e dobëta ose paaftësitë e tyre;
Të jepen udhëzime direkt për të nxitur suksesin në klasë;
T’iu adresohen nevojave social/emocionale të nxënësve;
T’iu adresohen nevojave të sjelljes së nxënësve.
Përkufizimi për “talentin”
Dr. Weiner e përkufizon talentin si: “Një aftësi njohëse e lindur në të paktën në një fushë e cila është shumë më e madhe se kapaciteti i fëmijëve të tjerë në të njëjtën moshë dhe ka nevojë për vëmendje shtesë për të qenë në gjendje që të përmbushin potencialin e tyre”.
Sipas Dr.Weiner: Ja se si ta mësoni nëse fëmija juaj është i talentuar!
Në përgjithësi ata:
Janë zgjidhës të mirë të problemeve
Janë të ndjeshëm
Kanë vështirësi të bëjnë miq
Nuk janë të mirë në biseda të vogla
Ankohen për mërzinë
Janë shumë krijues
Nuk janë të motivuar nga notat
Për sa më sipër “Talentin” e përkufizojmë në mënyrë më të plotë:
“Talenti ka të bëjë me vetitë natyrore të veçanta që ka një njeri për të kuptuar e përvetësuar diçka shpejt e lehtë, pra duke pasur aftësi për të bërë diçka shumë mirë e në mënyrë krijuese. Pra është një zotësi e veçantë që e shquan atë njeri në një fushë të caktuar”.
Sistemi i identifikimit të talentit
Hapi 1. Nominimi i rezultatit të testit – Nxënësit me rezultate 92% e lart pranohen; Këta nxënës paraqesin afërsisht gjysmën e talentit të tyre.
Hapi 2. Nominimi i mësuesit – Mësuesit propozojnë nxënësit shtesë duke përdorur kritere të ngjashme si krijimtaria e jashtëzakonshme, motivimi, talentet, performanca ose potenciali.
Hapi 3. Rrugët alternative – Nxënës të tjerë janë marrë në konsideratë dhe propozuar nga prindërit, moshatarët, të propozuar nga vetja, testimet speciale (shkrim krijues, aftësi mekanike), produktet ose rishikimet e dosjes, etj. Pranimi përcaktohet nga shfaqja ose komiteti përzgjedhës.
Hapi 4. Propozime speciale – Lista e nxënësve në hapat 1 deri në 3 u dërgohet të gjithë mësuesve, të cilët mund të propozojnë nxënësit shtesë; Kjo lejon rekomandimet nga dhoma burimore e mësuesve, nga mësuesit e mëparshëm dhe të tjerët të cilët mund të njohin nxënësit me dhunti të veçanta dhe talentet.
Hapi 5. Aksioni i informimit të propozimeve – Nxënësit që kanë interesa të veçanta rreth një teme të caktuar ose një dëshirë për të studiuar në mënyrë të pavarur, përfshihen.
Përshkrimi i njënxënësi të talentuar / Karakteristikat
Nxënësit e talentuar mund t`i shfaqin aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në 5 fusha si: aftësia intelektuale; zotësia akademike; të menduarit krijues dhe produktiv; aftësia udhëheqëse dhe talentet në fushën e arteve vizuale dhe realizuese;
Në libër, Gladwell thotë: “Për pothuajse një brez të tërë, psikologët kanë qenë në debate mbi pyetjen se a ekziston talenti i lindur në të vërtetë. Dhe përgjigja është “Po”..!. Por problemi me këtë pikëpamje është se sa më shumë që psikologët studiojnë individë të jashtëzakonshëm, aq më shumë binden se talenti luan një rol të vogël në arritjen e suksesit. Arritja është formulë e thjeshtë: talent + përgatitje (punë e madhe).”
Kjo është një arsye më shumë që më shtyn të punoj me entuziazëm me njerëz që janë të talentuar por nuk janë të orientuar të zhvillojnë talentet e tyre në mënyrën e duhur. Është një mendësi e gabuar, një set besimesh të pavërteta që i mban shumë njerëz larg arritjeve të mëdha, larg suksesit të merituar, larg zbulimit dhe vënies në jetë të talenteve të tyre.
Sipas Gardnerit: Inteligjencat e shumëfishta te nxënësit kanë të bëjnë me:
Zotësinë akademike që ndërthuret me talentet në fushën e shkencave, atë të matematikës, të aftësive në fushën hapësinore, etj);
Me shfaqjen e disa karakteristikave të përbashkëta, për sa i përket fushave të tyre me nivel të lartë dhe të veçanta (në dimensionet e të talentuarve përfshihen: motivimi, orientimi drejt detyrës dhe këmbëngulja e madhe).
Inteligjencat e shumëfishta të Gardnerit
Nr. | Inteligjenca dhe shpjegimi | Rezultatet e pirjeve për të rriturit |
1 | Gjuhësore: aftësia për të menduar në fjalë dhe përdorimit të gjuhës në mënyra komplekse; | Jurist, poet, folës publik, shkrimtar; |
2
|
Logjiko-matematike: aftësia të llogarisë, të përcaktojë sasinë, të ngrejë hipoteza dhe të njohë modele; | Inxhinier, matematikan, shkencëtar; |
3 | Hapësinore: aftësia e të menduarit në tre dimensione; | Arkitekt, artist, pilot, kirurg; |
4 | Trupore-kinestetike: aftësia të përdorë shkathtësitë e trupit dhe duarve; | Koreograf, alpinist, artizan i aftë; |
5 | Muzikore: Sensitiv ndaj ritmit, melodisë dhe tonit; | Inxhinier akustik, kompozitor, muzikant; |
6 | Interpersonale: aftësia të kuptojë dhe të veprojë në mënyrë produktive në veprimet dhe motivimet e të tjerëve; | Aktor, lider politik, mësues, terapist, agjent shitjeje; |
7 | Intrapersonale: aftësia të kuptojë ndjenjat dhe aftësitë e veta; | Autobiografi, individ sensitiv, vendimmarrës i mirë; |
8 | Natyrale: zgjuarsi për të vëzhguar modele,krijuar klasifikime dhe zhvilluar sisteme të kuptuari. | Arkeolog, fermer, gjuetar, arkitekt peizazhi |
Shenjat që tregojnë se fëmija juaj mund të bëhet një talent..!
Besoni se fëmija juaj 2 vjeç është shumë më i shkathët dhe i zgjuar se bashkëmoshatarët e tij, por gjithsesi nuk mund të jeni 100% i sigurt që do të jetë kështu edhe kur të rritet.
Sipas Shoqatës Kombëtare për Fëmijët e Talentuar, janë më se 11 shenja që shfaqen, të cilat tregojnë zgjuarsinë e fëmijës midis moshës 2-4 vjeç, por dhe shanse shumë të mëdha që ky fëmije kur të rritet mund të bëhet i talentuar si:
1.Ka kujtesë shumë të mirë.
2.Fillon të flasë me herët se fëmijët e tjerë dhe ka një fjalor shumë të pasur. Fëmijët fillojnë të thonë fjalët e para kur janë 15 muajsh. Ndërsa fëmijët e talentuar fillojnë të formojnë fjali, fraza dhe metafora shumë më herët se fëmijët e tjerë të të njëjtës moshë.
3.Bën shumë pyetje.
4.Është shumë i vëmendshëm në atë që thotë.
5.Shpreh interesim për aktivitete të ndryshme. I pëlqen muzika. Do të përdorë pajisjet elektronike. I pëlqen të luajë me lodra. Ose priret të fokusohet vetëm tek një fushë. Kontrollon nëpër libra foto me dinozaurët.
6. Është idealist, por shfaq edhe një shenjë arsyetimi që në moshë të vogël.
7.I pëlqen t’i lexojnë të tjerët librat ose t’i tregojnë përralla.
8.Është plot me imagjinatë. Ka raste kur fëmijët krijojnë edhe shokë imagjinarë
9.Është energjik.
10.Pjesa më e mirë: Ka një sens humori të paparë. Nëse fëmija juaj 2 vjeç bën shaka dhe përpiqet t’ju bëjë të qeshni, është një tjetër shenjë e të ardhmes së tij të talentuar.
Intuita është forma më e lartë e inteligjencës
Shumica e njerëzve do të thonë se një person logjik është më inteligjent për shkak të aftësisë së tij për të menduar logjikisht dhe për të vepruar në bazë të fakteve në rastin e një problemi.
Studiuesit, megjithatë, po zbulojnë se intuita është lloji më i rëndësishëm i inteligjencës. Intuita përkufizohet në Psikologji si një proces që e lejon njeriun të dijë diçka pa e menduar në mënyrë të vetëdijshme dhe analitike. Është zbatimi i informacionit të ruajtur në mendjen e pavetëdijshme dhe të ndërgjegjshme, mes logjikës dhe instinktit.
Intuita nxitet nga çdo ngjarje apo informacion që kërkon veprim dhe shoqërohet nga një ndjenjë e njohjes. Shumica e njerëzve janë të aftë të mendojnë intuitivisht. Për disa, të menduarit në mënyrë intuitive është përgjithësisht “paracaktimi i tyre”. Ata prej nesh që janë më të fortë me inteligjencën emocionale, duke parë një informacion, edhe pa vetëdije marrin informacion, dhe priren të punojnë me ato forca. Ata që kanë aftësi teknike më të bazuara në logjikë, kanë tendencë të analizojnë informacionin dhe të marrin vendime bazuar në fakte. Faktori kryesor që e bën intuitën inteligjencën më të rëndësishme bazohet thjesht në faktin se një kompjuter mund të logjikojë një person. Në vitet e ardhshme, shoqëria jonë do të bëhet teknologjikisht më e bazuar dhe e varur nga kompjuteri.
Osho thotë se intuita është e panjohshmja. Mistiku nënkupton atë që nuk njihet kurrë. Intuita në disa kuptime është njësoj si instinkti, në njëfarë kuptimi ndryshon absolutisht nga instinkti; në një tjetër mënyrë ndryshon absolutisht nga intelekti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.