Marrëdhënie

February 27, 2019 | 8:05

Kur dashuria i ngjan një lisharëseje

Ekzistojnë marrëdhënie “të përhershme”, në të cilat njerëzit ndahen e bashkohen shumë herë, e që bllokojnë jetën e partnerit për vite të tëra. Përse ndodh kjo?

Të ngecur në një lisharëse: mund të jetë titulli i një libri, por në fakt është shprehja që e përshkruan më mirë gjendjen e atyre që janë në një lidhje e që nuk ia dalin “të zgjidhen”. Për këtë arsye, vazhdojnë bashkë deri në pafundësi mes ndarjesh të përkohshme dhe mes bashkimeve po ashtu të përkohshme. Një fenomen që ka ndikime të dukshme në jetën e dy protagonistëve. Lidhja lind si në çdo çift: me entuziazëm, ëndrra, projekte. Dhe si të gjitha çiftet e tjera, herë a vonë, ajo përballet me momente krize. Çiftet e tjera në këtë pikë të marrëdhënies, zgjedhin njërën nga dy rrugët klasike: ta kalojnë me sukses krizën apo të ndahen.

Nga ana tjetër, ky “tip” çifti, nuk e bën këtë gjë, por hyn, pa e kuptuar, në një rreth vicioz e rraskapitës. Por nga se karakterizohet ky rreth vicioz? Marrëdhënie të përhershme, ku partnerët ndahen e bashkohen shumë herë përgjatë kohës. Janë dashuritë “tërhiq e mos këput”, ato që i ngjajnë një lisharëseje, nga e cila çifti e ka të pamundur të zbresë. Një rast-simbol është ajo mes Liz Taylor dhe Richard Burton. Shkëndija u ndez në sheshxhirimin e filmit “Kleopatra” dhe menjëherë u bë lajm: të dy të lidhur, ajo ishte në martesën e pestë. U martuan në vitin 1964 dhe u divorcuan dhjetë vjet më pas, për t’u martuar sërish në 1975 e për t’u ndarë një vit më pas. Një “lisharëse” që mbahet mend gjatë.

Sipas statistikave, çiftet “tërhiq e mos këput” janë të paktën 30% e atyre që u drejtohen konsultave dhe shërbimeve të tipit psikologjik. Po përse disa çifte nuk rrinë dot pa u ndarë e bashkuar vazhdimisht? Për sa herë mund të bindim veten dhe të provojmë sërish, dhe kur vjen momenti për të lënë përfundimisht gjithçka pas krahëve? Nga se karakterizohet kjo sjellje?

Frikë nga vetmia

Priremi të trembemi para vështirësive të jetës. Përballë problemeve preferojmë të largohemi dhe këtu nuk bën përjashtim as jeta në çift. Është më e lehtë të themi “ndahemi” sesa të përveshim mëngët e të vëmë veten në diskutim për të kaluar një problem. Shumë shpesh, pas pamundësisë për të hedhur pas krahëve një histori, fshihet frika për të ndenjur vetëm. Shumë njerëz nuk e shohin dot veten vetëm dhe pa mbështetjen e një partneri, ndaj preferojnë të kënaqen e të qëndrojnë brenda një marrëdhënieje edhe kur nuk është ajo idealja. Ky është një kushtëzim që i përket edhe shumë meshkujve, të cilët janë ata që bëjnë më shpesh lojën “tërhiq e mos këput”, sepse i kanë idetë më pak të qarta për atë çka duan. Shpesh janë pikërisht ata që duan të qëndrojnë në një lidhje, sepse ndihen më komodë, edhe kur lidhja nuk është e kënaqshme, pasi sidoqoftë u ofron siguri.

Zgjedhje bashkëjetese

Nëse për disa është ekziston një vështirësi objektive për ta lënë partnerin, për të tjerë mund të bëhet fjalë për një zgjedhje bashkëjetese. Ndër dy njerëz që qëndrojnë së bashku prej kohësh, mund të ndodhë që në njëfarë pike, një nga të dy nuk është i bindur për marrëdhënien e të vendosë të ndahet. Është rasti për të bërë një xhiro jashtë çiftit dhe për të parë se çfarë ndodh, por më pas kthehen në folenë e sigurt, pasi kanë verifikuar se nuk ka ndonjë gjë më të mirë. Kur kjo gjë ndodh, është shenjë e një pakënaqësie thelbësore, që lidhet me mospërputhje karakteri ose thjesht me faktin se ndjenjat kanë ndryshuar, por nuk ka kurajë që ta mbyllë lidhjen një herë e përgjithmonë.

Gjithçka është perfekte, por…

Rikthimi i shkëndijës së dashurisë është shumë i shpeshtë edhe kur në brendësi të çiftit çdo gjë shkon mirë, përveç një aspekti. Ndoshta të dy partnerët duhen me të vërtetë, kanë të njëjtat shije, ndajnë të njëjtat vlera, por më pas nuk kanë një afërsi të kënaqshme seksuale dhe atëherë njëri nga të dy vendos të ndahet. Por pastaj, duke qenë se çdo gjë tjetër shkonte mirë, në njëfarë pike, të dy partnerët ndjenë mungesën e gjithçkaje që ndanin dhe mundohen të harrojnë çka nuk funksionon siç duhet. Për këtë arsye ritentojnë me shpresën se mund t’i sistemojnë gjërat.

Kur duhet të thoni “mjaft”

Ai që vuan më shumë nga kjo situatë ndarje- bashkim, pa dyshim është partneri, që është më i dashuruar se tjetri: vetëm për dashuri mund të pranojmë të na lënë vazhdimisht e më pas të ribashkohemi, duke lënduar zemrën sa herë që ndodh një situatë e tillë. Por kujdes: ndonjëherë nuk është dashuri, por një varësi e mirëfilltë nga ana e personit që ndihet më i brishtë dhe beson se ka pak mundësi të tjera për veten. Partneri tjetër e percepton këtë brishtësi dhe përfiton duke e përdorur atë sipas interesit të vet.

Po sa herë duhet të tentoni të bashkoheni? Varet shumë nga çdo histori e nga çdo çift. Nëse ndarja ka ndodhur për shkaqe madhore (për shembull: largësia, probleme familjare, etj.) dhe sidomos nëse nuk ka gabime të mëdha nga ana e njërit apo e tjetrit partner, atëherë mund të ketë kuptim që të rifilloni lidhjen e lënë përgjysmë, duke qenë se besimi reciprok ka mbetur i pacenuar.

Nëse shkëputja ka ndodh papritmas dhe në dukje pa asnjë arsye, këtu ndryshon puna. Të gjithëve mund t’u ndodhë të pendohen për partnerin, ndaj një ndarje e bashkim më pas hyn në kufijtë e normales, por nëse ndodh më shumë se dy-tri herë, atëherë ka diçka që nuk shkon dhe është rasti që të refektoni për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Pikërisht se nuk ka kuptim të vazhdoni të riprovoni pa ndryshuar asgjë, është e nevojshme ndihma e një psikoterapisti në çift. Shumë çifte shkojnë te psikoterapisti edhe për të marrë një ndihmë që të ndahen, sepse ndoshta nuk janë të sigurt për zgjedhjen e duhur ose nuk i kanë idetë e qarta dhe kanë nevojë për një ndihmë. Por zakonisht, ajo që e “thyen” këtë xhiro lisharëseje është pikërisht prania e një personi të tretë që i jep kurajë njërit prej të dyve që të mos kthehen më te partneri tjetër.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top