Në një ditë të zakonshme, titujt e lajmeve mbushen me të njëjtat fjalë të rënda si vrasje, korrupsion, dhunë, shpërdorime, kërcënime, abuzime. Fillimisht këto fjalë trondisin, por me kalimin e kohës ato humbasin fuqinë. Statistikat bëhen më të zëshme se emocionet. Një vrasje nuk është më tragjedi unike, por rasti i pestë i muajit. Një aferë korruptive nuk është më skandal që trondit sistemin, por një emër tjetër në listë.
Psikologët e quajnë këtë desensibilizim, humbja graduale e reagimit emocional për shkak të ekspozimit të shpeshtë ndaj së njëjtës gjë. Është një proces i rrezikshëm sepse sa më shumë të përsëritet e keqja, aq më shumë shoqëria e sheh si të zakonshme. Dhe kur diçka bëhet e zakonshme, nuk luftohet më me të njëjtin zell.
Shifrat e tregojnë qartë këtë realitet. Raportet ndërkombëtare mbi perceptimin e korrupsionit, dhunës apo padrejtësisë shpesh mbeten të pandryshuara për vite të tëra pikërisht sepse reagimi shoqëror është i dobët. Njerëzit mësohen të jetojnë me problemin, në vend që të kërkojnë zgjidhje. Kjo është pika ku padrejtësia merr guxim, sepse e di se nuk ka më frikë nga indinjata kolektive.
Kur e keqja bëhet pjesë e përditshmërisë, ndodh një ironi e hidhur. Lajmet e mira papritur marrin një shkëlqim të pazakontë. Një akt solidariteti, një fitore e ndershme, një shembull i pastër integriteti bëhen si një oaz në mes të shkretëtirës. Por këto shembuj, edhe pse ekzistojnë, shpesh humbin në zhurmën e negativitetit që mbizotëron.
Ka raste ku një lajm i mirë ka ndryshuar realitetin e një komuniteti. Një qytet që bashkohet për të rindërtuar shtëpinë e një familjeje pas një fatkeqësie. Një grup të rinjsh që krijon një biznes social për të punësuar persona në nevojë. Një mësues që për vite të tëra ndihmon fëmijë të varfër të mësojnë falas, duke u dhënë atyre një mundësi të re në jetë. Këto janë histori që nuk mbushin aq shumë tituj, por kanë forcën për të ndryshuar mentalitete.
Nuk është thirrje për të heshtur për të keqen. Përkundrazi, është thirrje për ta balancuar narrativën publike. Shoqëria ka nevojë të shohë se përveç errësirës, ka edhe dritë. Sepse e mira, kur promovohet, nuk është thjesht histori, është frymëzim, shembull dhe model. Ajo i rikujton publikut se ka ende arsye për të reaguar, për të besuar dhe për të vepruar.
Nuk është vetëm çështje lajmesh, por çështje kulture, mentaliteti dhe të ardhmeje. Nëse lejojmë që vetëm e keqja të mbushë hapësirën publike, do të rritemi si një shoqëri e mpirë që nuk reagon më. Por nëse japim hapësirë për të mirën, atëherë kemi një shans për të rikthyer ndjeshmërinë, për të ringjallur shpresën dhe për të ndërtuar një realitet ku normalja nuk është tragjedi, por dinjitet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.