Marrëdhënie

May 20, 2016 | 7:16

Kur është çasti për t’u ndarë

Mosmarrëveshje, zhgënjime, ndjesi vetmie… ka momente në jetën në çift, kur pyesim veten nëse historia jonë ia vlen ende të jetohet. Disa pista reflektimi.

Kur fillon e vihet në diskutim të qenit në çift? Nganjëherë lind nga një shqetësim delikat, nga paaftësia për t’u sintonizuar, që e bën të pamundur përballjen pa inat. Tjetër herë nga një lloj lodhjeje, nga zhgënjimi, nga konstatimi se tjetri nuk është ai që mendonim. Shumë shpesh nga një ndjesi e thellë vetmie, nga përshtypja se nuk jemi më dy. Papritmas ndërgjegjësohemi dhe ideja për të thënë “mjaft”, larg arsyeve dhe dëshirës së mirë, na tundon. Është vetëm një moment i kapërcyeshëm vështirësie, apo historia jonë po bëhet pengesë për ecjen përpara…?

Bëni bilancin tuaj

Ana, menaxhere, me dy vajza, 40 vjeç tregon: “Kur humba punën, bazat e jetës sime u tronditën. Nga im shoq prisja solidaritet, mbështetje, përkundrazi, thoshte se isha bërë e padurueshme. Mbrëmjeve më donte të gëzuar dhe të gatshme për të bërë lozonjaren. Pastaj, pas një viti të tmerrshëm gjeta punë dhe njëkohësisht vetëvlerësimin që e pata humbur. Përditshmëria u kthye si më parë, por mes meje dhe tij ishte prishur ekuilibri. Reflektova gjatë dhe arrita në konkluzionin se nuk mund të mbështetesha tek ai në momente të vështira. Bëhej fjalë për të kuptuar se sa i rëndësishëm ishte për mua. Në fund, e lashë. Vetmia? Sigurisht, më rëndon. Por isha ndjerë pafundësisht e vetmuar atë vit që ish-i im më kishte treguar fytyrën e tij të vërtetë”.

Verifikoni bazën e marrëdhënies

Edhe pa përvoja kaq të qarta ndodh të ndjejmë peshën e dëshirave të papërmbushura, lëndimeve të vogla, zhgënjimeve. Dhe mendimi i zakonshëm është se partneri po ndryshon, se nuk është më burri që na ka bërë të biem në dashuri. “Shpesh nuk është kështu, – sqaron Giancarlo Ricci, psikanalist në Milano. – Tjetri s’ka asfare. Thjesht është fshirë iluzioni i të dashuruarit që e kishte shndërruar dikur, një njeri krejt normal, me egoizmin e tij, në një qenie shumë speciale. Kur kjo ndodh (dhe ndodh gjithnjë), çifti duhet të shohë në bazën e raportit. Mund të vazhdohet të rrihet së bashku edhe nëse tjetri nuk vazhdon të jetë aq i përsosur sa në ëndrrën tonë. Por duhet të ketë një projekt të përbashkët, momente për t’u ndarë së bashku”. Nëse shqetësimi vazhdon, duhet gjetur kurajë për të parë brenda, për të bërë disa pyetje. Duhet bërë një “check up” i çiftit, që ndoshta do të tregojë shenjat e një sëmundjeje ende jo edhe aq të rëndë. Ose ndoshta do mund të zbuloni që pjesa më e thellë e unit tonë e ka shpërfillur lidhjen. Dhe se jemi ndarë sakaq, pa e ditur.

Pyetje që duhen bërë

Janë disa pyetje që shpesh vështirë t’u jepet përgjigje e qartë. Por duke arsyetuar mund të gjendet çelësi për të hapur një portë sekrete. Më poshtë psikoanalisti Giancarlo Ricci, autori i “Sigmund Freud’’. ‘‘Babai i psikanalizës”, sugjeron disa pista për t’u ndjekur, për të parë brenda në mënyrë të thellë. Pa gënjyer veten. Sepse vetëdija është i vetmi instrument i vërtetë vlerësues…

1.Çfarë më mungon më shumë, çfarë kam humbur?

Intimiteti i thellë, shkrirja në një

Mungesa e intimitetit të ditëve kur ndanit gjithçka, në të cilat ishte mirëkuptimi, besimi tek një njeri që mund të mbështeteni, është një ndjesi e dhimbshme. Përjetohet një ndjesi vetmie e thellë, sidomos kur krahasohet e tashmja me kohën kur çifti projektonte të ardhmen. E ardhmja ka mbërritur dhe ka shijen e zhgënjimit.

Interpretimi

Magjepsja ka mbaruar, princi nuk është më një princ. Është normale. Princat dhe princeshat nuk ekzistojnë. Duhet pranuar evolucioni i raportit. A jemi të aftë? Çfarë i japim në shkëmbim partnerit? Mjafton? Është e plotë për mirëqenien e çiftit tonë? Apo preferojmë të rinisim kërkimin, këtë herë me vetëdijen se tjetri nuk do të jetë i përsosur, por që ndoshta mospërsosmëritë e tij mund të pleksen mirë me tonat?

Kureshtja për tjetrin

Ndonjëherë një njeri gjen një ekuilibër vetjak dhe zbulon se i mjafton vetja. Nuk i intereson më partneri. Fakti nëse ai merr ose jo pjesë në vendime, është i papërfillshëm. Ka pak momente takimesh e përkimesh. Ai jeton në një botë ku ajo kurrë nuk ka hyrë, dhe e kundërta. Nuk zihen, nuk thonë asgjë.

Interpretimi

Kur secili kultivon në rend të parë individualitetin e vet, kur nuk ka projekte të përbashkëta, kriza është në ajër. Gjëja e parë për t’u kuptuar, në këtë rast, është nëse ka hapësirë (dhe dëshirë) për një partner në projektet e jetës. Ka njerëz që zbulojnë se preferojnë të jetojnë vetëm, përveç pranive rastësore. Nëse përkundrazi, jeta dyshe është një qëllim, lipsen gjetur projektet për t’u ndarë. Nëse prova sakaq është bërë, nëse përgjigjja vazhdon të jetë negative, atëherë është koha për të marrë një vendim.

2.Çfarë ju mban ende bashkë?

Fëmijët, respekti i ndërsjellë

Dobësohet pasioni, dashuria që të merrte frymën… mbeten fëmijët, detyrat, respekti reciprok. Por shpesh vihet re se në këtë mënyrë ekuilibri është në rrezik. Nuk duam ta kalojmë pjesën tjetër të jetës duke kryer nevoja dhe detyra. Afeksioni është shndërruar në rutinë. Ai, si shumë burra, kultivon individualitetin e tij; ajo mendon se një prani është më mirë se asgjë, se një familje është më mirë se asgjë. Por ndonjëherë ndjen një dëshirë të fortë për t’i hyrë një diskutimi sqarues, të ndodhë çfarë të ndodhë.

Interpretimi

Në këtë tip raporti ka zhgënjime dhe pakënaqësi. Nëse fëmijët bëhen ngrohtësia e vetme dhe detyrat një pikë referimi, konstruksioni bie. Mungon çimentimi i besimit. Nëse mbërrijnë ankesat reciproke, lidhja është e vështirë të shpëtohet.

Nuk është askush tjetër

Nuk bëhet fjalë për situata tradhtie, por dy personalitetet kanë pasur evolucione të ndryshme. Martesa që asaj i dukej kurorëzimi i një historie dashurie, shihet tashmë si një frenë. Nuk pranon të heqë dorë nga pasuria e emocioneve.

Interpretimi

Nuk përjashtohet që dashuria shndërrohet në një zakon: fitohet siguri, zbehet entuziazmi. Rutina ama e dobëson raportin dhe burrat nuk e vënë re. Gratë shpesh e kontrollojnë dhe shtresëzojnë vuajtjen. Pastaj lulëzon lodhja: vendimi për t’i dhënë fund bëhet një rrugë arratisjeje, shihet si një mundësi për ta gjetur tjetërkund stimulin e ri, në një shpresë për të ëndërruar akoma.

3.Çfarë nuk mund të pranohet?

Të jesh thjesht një zonjë shtëpie…

Rrezik! Ka gjasa të jetë zgjidhja më komode për një burrë dembel: një kuzhiniere të mirë, të gatshme në shtrat. Së bashku flasin vetëm për nevojat shtëpiake. Ai nuk e ngre kurrë zërin, e megjithatë imponon vendimet e tij. Nëse ajo ka opinione të tjera, i minimizon. E ka bërë gjithnjë, paksa me shaka, por tani vë re se ka më shumë shkëputje, më pak ngrohtësi.

Interpretimi

Burri ka shpesh një pozicion dominues: është ai që vendos dhe zgjedh. Ajo mund edhe të jetë dakord, por jo për gjithnjë. Nëse gruaja rritet, nëse jeta e saj në raport e maturon, mundet ndonjëherë të pranojë ta vazhdojë raportin pa shprehur shqetësim. Nëse qëndron në heshtje, ekziston rreziku i shpërthimit, që të flasë vetëm për të thënë: Po iki.

Ta shohësh siç sheh të tjerat

Komente, vështrime, që lëndojnë. Ai sheh vajzat me të reja sikur ajo të mos jetë. I thërret “mami”, si fëmijët. I thotë në mënyrë këmbëngulëse: “Shko në palestër, bëj ndonjë dietë” dhe përdor një ton të papërshtatshëm. Ajo ndihet e gjykuar dhe lëkundet mes pasigurisë dhe zemërimit. Gruaja që ajo është bërë, me përvojat, me mëmësinë, nuk ka të bëjë aspak me të.

Interpretimi

Kjo e krahasimit është një lojë mizore. Ndoshta ajo është posesive (provokon reaksionin e partnerit), ndoshta nuk ndihet e vlerësuar dhe vuan më shumë. Pasi është bërë nënë, për shembull, përshkon një moment delikat, të ndryshimeve të seksualitetit dhe jetës në çift. Droja kundrejt trupit është shenjë e një çekuilibrimi të rëndësishëm. Të qenit e padëshiruar, është një nga motivet me të forta për të dalë nga një raport dhe për të shpëtuar individualitetin.

4.Arrij ta imagjinoj jetën time pa të?

Po, e mendoj shpesh. Disa fantazojnë se si do të ishte shtëpia e tyre nëse do të jetonin vetëm, mbi mënyrën tjetër të të jetuarit. E pranojnë dobësimin e dëshirës. Të tjera rivizatojnë kohët dhe zgjedhjet me një ndjesi të fortë lehtësimi: më në fund nuk do ta vras mendjen për askënd. Të tjera akoma jetojnë në krah të një pranie munguese. Merren me fëmijët, detyrat e shtëpisë, me punën, kanë miq të ndryshëm. Por përfytyrimi mbetet i mbyllur në një kënd dhe në peshore vihen më pak siguritë e përditshme. Pastaj, ka nga ata që e realizojnë një ëndërr të përsëritur: bëjnë gati valixhet, për t’u nisur për një udhëtim të gjatë me një biletë vetëm për vajtje.

Interpretimi

Të përfytyrosh nuk do të thotë të kalosh në fakte. Por kur një grua mendon se jeta e saj pa partnerin i jep një ndjesi lehtësimi, është momenti për të përfshirë një figurë “të tretë” (një terapeut) për të vlerësuar stadin e krizës. Të dy, nëse flasin mes tyre, ka të ngjarë që të përsërisin të njëjtat fraza, ajo do ta akuzojë e ai do të mbrohet. Kjo rrugë ndonjëherë ndihmon reflektimin, tjetër herë nxjerr në pah një siguri tashmë të pjekur. Atë të krizë së lamtumirës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top