FB

June 23, 2025 | 15:30

Kur fjalët s’mjaftojnë për të ushqyer realitetin

 

Në vitin 2025, Kosova po përjeton një krizë të heshtur, por shumë të rëndë atë të rritjes së pakontrolluar të çmimeve, që po e zbraz jetën e qytetarit, po e zbraz tavolinën, dhe mbi të gjitha, po e zbraz vendin nga njerëzit.

albina-hyseni

Në çdo dyqan, çdo pompë karburanti apo në çdo faturë të rrymës, qytetari i thjeshtë ballafaqohet me çmime që rriten në mënyrë të egër, shpesh pa arsye të qarta dhe pa paralajmërim. Dhe justifikimi i vetëm që dëgjohet është: “Ka luftë në botë.” Por a është kjo një arsye e mjaftueshme për të bërë jetën në Kosovë të papërballueshme?

 

Kur kriza globale përdoret si mbulesë për papërgjegjshmërinë vendore

Luftërat në Ukrainë, Lindjen e Mesme apo krizat në tregjet ndërkombëtare mund të kenë ndikim në ekonominë globale, por ato nuk justifikojnë rritjen e egër të çmimeve në një shtet si Kosova, ku qytetarët janë të pambrojtur dhe të varur plotësisht nga importi. Shteti nuk guxon të lejojë që tregu të bëjë çfarë të dojë, ndërsa qytetari të mbetet peng i krizës. Në shtetet serioze, në kohë të tilla, qeveritë vendosin masa mbrojtëse, subvencione, ngrijnë çmimet për produktet jetike, dhe ndihmojnë shtresat më të goditura.

Në Kosovë, ndodh e kundërta: shteti hesht, çmimet ngrihen, qytetari varfërohet, dhe askush nuk mban përgjegjësi.

 

Nafta, rryma, ushqimet tani më janë beteja e përditshme për mbijetesë

Çdo litër naftë, çdo kilovat rrymë dhe çdo bukë në tryezë është bërë një barrë. E ndërsa qytetarët mendojnë si të paguajnë faturat, klasa politike jeton në rehati, e përqendruar në kalkulime elektorale dhe ruajtjen e pushtetit. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ekonomike. Kjo është dhunë sociale e heshtur sepse kur një nënë nuk ka mundësi të blejë qumësht për fëmijën, apo një i moshuar nuk ka si ta paguajë barnatoren, atëherë nuk kemi më vetëm krizë ekonomike por kemi krizë të ndërgjegjes shtetërore.

foto

Ana e shëndetit është një krizë që sëmurë dhe vret në heshtje

Në këtë realitet të zymtë, shëndetësia është kthyer në luks. Spitalet publike janë të mbingarkuara, barnat mungojnë, shërbimet janë të dobëta, dhe një pjesë e madhe e personelit shëndetësor ka ikur nga vendi. Shumë qytetarë nuk kërkojnë më trajtim sepse nuk e përballojnë dot financiarisht. Por më keq akoma, varfëria po prodhon sëmundje si ushqimi i dobët, stresi kronik, mungesa e trajtimit të duhur po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e sëmundjeve kronike, kardiovaskulare, kanceroze e psikologjike.

 

Ana psikologjike është po ashtu, kur pasiguria kthehet në sëmundje mendore

Një vend që nuk siguron as jetesë minimale për qytetarët e vet, nxit izolimin, depresionin, ankthin, vetminë dhe shpresën e humbur. Sot në Kosovë, shumë të rinj jetojnë në dëshpërim të heshtur, pa mundësi reale për të ndërtuar një të ardhme. Fëmijët rriten duke parë prindër të lodhur, ndërsa të moshuarit jetojnë me frikën e dimrit dhe ilaçit të munguar. Shoqëria po lodhet shpirtërisht. Shëndeti mendor nuk është më luks është plagë publike.

 

Pse ndodh kjo? Sepse mungon shteti funksional

Në vend të kontrollit të çmimeve ne kemi liberalizim pa kriter.

Në vend të subvencioneve ne kemi justifikime.

Në vend të zgjidhjeve ne kemi heshtje.

Sepse qeveria nuk matet me sa gjatë qëndron në pushtet, por me sa mirë mbron qytetarin e vet në kohë të vështira.

 

Koha për zgjim qytetar dhe përgjegjësi institucionale

Kosova nuk mund të jetë një vend ku çmimet e Evropës ballafaqohen me pagat e viteve ’90.

Nuk mund të jetë një shtet ku pensionistët jetojnë me 100 euro ndërkohë që fatura e rrymës kalon 80 euro. Është koha që institucionet të marrin përgjegjësitë e tyre seriozisht, të mbrojnë konsumatorin, të ndëshkojnë spekulimin dhe të ndërtojnë mekanizma që i shërbejnë qytetarit dhe jo tregtarit të pandërgjegjshëm.

Sepse kur, një shtet që nuk mbron qytetarin, s’ka asnjë arsye të kërkojë besnikëri prej tij.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top