FB

March 26, 2021 | 8:15

Kur jeta të përball me njerëz të këqinj

 

Shpesh as nuk e kuptojmë se sa shumë ndikon një njeri i keq në humorin tonë, në zgjedhjet, vendimet dhe marrëdhënien që kemi me veten.

Kur dikush është i paaftë të dhurojë dashuri, është egoist dhe i përqendruar vetëm te vetja, ai është një njeri që gëzon nga trishtimi i të tjerëve. Këta lloj njerëzish hyjnë në jetën e të tjerëve si njolla të zeza dhe thithin gjithë energjinë jetësore, si të ishin vampirë. Këshilla jonë është që t’i dalloni këta njerëz negativë dhe t’i largoni nga jeta juaj. Po cilat janë tiparet e një njeriu të keq? Ndiqni këshillat e mëposhtme…

njeri-i-keq

1. Përbuzin të tjerët për t’u dukur më të mirë

Keni pasur ndonjëherë përshtypjen se duke zvogëluar dhe përbuzuar karakterin tuaj, punën, familjen, trupin, dikush tjetër është ndjerë për pasojë më i mirë se ju? Ndjenja e garimit – në këtë rast e sëmurë – që një njeri i keq ka nevojë ta nxjerrë në pah, ndodh sepse dëshiron që të ndihet më i mirë sesa ju. Kjo është një nga keqdashësitë më të mëdha, sepse rrënjoset në mënyrë dredharake në mendjen e të tjerëve. Në këtë mënyrë, një njeri i keq, ka gjithmonë nevojë të diskreditojë tjetrin për t’u dukur vetë më mirë. Një marrëdhënie e tillë, aspak e barabartë është mjaft e dëmshme.

 

2. Janë të pandershëm

Kur dikush nuk është i pastër, është shumë e lehtë që të kuptohet, mjafton të analizoni sytë e tij dhe të jeni të vëmendshëm për gjuhën e trupit. Nëse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, edhe falsiteti dhe ligësia e dikujt që gënjen del menjëherë në shesh. Një person i pandershëm, jo vetëm që mund të gënjejë dhe mashtrojë, por madje mund t’ju vendosë në situata të pakëndshme keqkuptimi, vetëm me qëllimin që të duket vetë njeriu më i ndershëm dhe më i sinqertë në botë. Me pak fjalë, kush gënjen, e bën me qëllimin që të dëmtojë këdo. Më mirë të largoheni me shpejtësinë e dritës nga njerëz të tillë.

 

3. Manipulojnë dhe përfitojnë nga mirësia e njerëzve

Si të bëni që ta përdorni një njeri tjetër kundër vullnetit të tij? Mjafton ta manipuloni. Manipuluesit ekzistojnë dhe janë të pajisur me një sjellje të natyrshme për të hyrë në zakonet e njerëzve dhe t’i kushtëzojnë ato në favor të tyre. Fatkeqësisht, mjeti thelbësor i një manipuluesi është ndjenja e fajit. Këta njerëz ndoshta janë më të poshtrit dhe helmuesit, sepse keqdashësia e tyre nuk shprehet në mënyrë objektive, por gjithmonë me një fasadë mirësie dhe qëllimesh të mira. Të çliroheni nga një manipulues nuk është e thjeshtë, por kur ta bëni, do të mund të kuptoni sa shumë ju ka dëmtuar.

 

4. Shkarkojnë përgjegjësitë e tyre tek të tjerët

Ekzistojnë ata njerëz të paaftë që të përgjigjen për gjërat që bëjnë, duke i shkarkuar përgjegjësitë e gabimeve të tyre tek të tjerët. Sigurisht, në bazë të kësaj sjelljeje fshihet një egoizëm i fortë, ndaj nëse veprimet e tyre kanë zhvillime negative, faji do të jetë gjithmonë i juaji. Përfitimi i tyre personal është se bëjnë gjithmonë atë që duan, duke mos i interesuar fare fakti që përparësitë e tyre mund të ndikojnë te njerëzit që kanë rreth e qark, ndaj është mirë të largoni këta persona që ju sjellin vetëm dëme të mëdha…

 

Tired woman

5. Nuk ndjejnë keqardhje dhe nuk dinë të kërkojnë falje

Kujt nuk i vjen keq, nuk ndien keqardhje kur bën një gabim apo dëmton me keqdashësi një person tjetër. Sigurisht, nuk ka as interes të kërkojë falje. Këta persona nuk interesohen as se mund të jenë të këqij, me shumë gjasa është natyrshëm pjesë e botës së tyre, mënyrës se si i mendojnë çështjet e jetës. Por kjo, për ata njerëz që janë humanë dhe kanë zemër, duket si një gjë e paimagjinueshme dhe shpresojnë që njerëz të tillë të ndryshojnë. Është e kotë: kush nuk di të përjetojë keqardhje, nuk di as të jetë autokritik, përveç rasteve kur nuhat se kjo gjë është për të mirën e tyre.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: NewsWorld

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top