Në teori, darka e Krishtlindjeve është momenti i ngrohtësisë, i dritave që ndriçojnë dashurinë, i familjes që ribashkohet me buzëqeshje. Në praktikë, shumë herë ajo kthehet në një fushë të heshtur tensioni, ku çdo pyetje “e pafajshme” mund të ndizet si shkëndijë, çdo vërejtje si plagë e vjetër që rihapet.

Një fjali e thënë në nxitim, një krahasim i pavend, një kujtim që ringjall zemërimin e dikurshëm, dhe papritur, magjia e festës zëvendësohet me heshtje të ngarkuara, me sytë që shmangen nga njëri-tjetri. Në fakt, nuk janë festat që krijojnë konfliktet; ato vetëm i nxjerrin në dritë. Në tryezën e Krishtlindjeve mblidhen jo vetëm njerëzit, por edhe historitë e tyre, rolet e vjetra, plagët e pashëruara. Psikologjikisht, çdo familje funksionon si një sistem ku çdo anëtar ka rolin e vet emocional “pajtuesi”, “kritiku”, “humbësi i fjalës”, “ai që mban gjithçka nën kontroll”. Kur këto role ndërthuren në një mjedis emocional si festa, shpërthimi është i lehtë të ndodhë.
Si ta ruash qetësinë në ato momente?
1.Mos u bë pjesë e “valës” emocionale.
Kur toni rritet, frymëmarrja jote duhet të ngadalësohet. Një frymë e thellë është një kufi i butë mes teje dhe kaosit. Mos harro: nuk ke detyrimin të përgjigjesh menjëherë.
2.Mos e merr personal çdo fjalë.
Shpesh, ajo që njeriu thotë nuk është ajo që ndien për ty, por ajo që s’e ka ditur si ta shprehë ndryshe. Fjalia që të lëndon mund të jetë thirrje për afërsi, por e thënë keq.
3.Zgjidh heshtjen e shëndetshme.
Ndonjëherë qetësia nuk është dorëzim, por mençuri. Largoje veten për pak minuta — në kuzhinë, në ballkon, apo thjesht në një frymëmarrje të vetme — për të rimbledhur qetësinë.
4.Përkujto qëllimin e vërtetë të festës.
Krishtlindjet nuk janë një garë për të qenë familja perfekte. Janë një kujtesë për njerëzoren tonë të papërsosur, për dashurinë që ekziston pavarësisht gabimeve.
Në fund të fundit, qetësia nuk do të thotë mungesë emocionesh, por prani e vetëdijshme.
Nëse mund të ruash një grimë qetësie në mes të zhurmës, ke dhuruar një dhuratë të madhe — jo vetëm vetes, por gjithë familjes. Sepse qetësia, njësoj si drita e qiririt, shpërndahet pa zhurmë, por ndriçon gjithçka rreth e rrotull.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

