Nuk e di si ndiheni ju, por unë, sa herë hyj në një restorant “all-you-can-eat”, ndjej një lloj rebelimi që më shpërthen brenda. Një ndjenjë e çuditshme anarkie. Përziej pastiçon me mishin “sweet and sour” jo sepse shkojnë bashkë, por sepse ashtu dua. Dhe me një buzëqeshje të fshehtë përballem me tavolinën.
Por pastaj…, ndodh diçka. Fillimisht është entuziazmi i lirisë. Askush nuk të ndalon, askush nuk të gjykon. Mund të hash çfarë të duash, si të duash, kur të duash. Kombinon të ëmblën me të kripurën, zhyt gishtat në salca, ndjek impulset e çastit…, derisa një çast, trupi yt nis të reagojë: stomaku ulërin, koka rëndon, dhe kopsa e pantallonave është gati të shpërthejë. Euforia zhduket. Mbetet vetëm një lloj lodhjeje e rëndë, një mjegull që nuk të lë të marrësh frymë. Dhe mendon: “Askush nuk më ndaloi…, por ndoshta dikush duhej ta kishte bërë.”
Ky imazh absurd por aq njerëzor është një metaforë e fuqishme për kohën ku po jetojmë. Një epokë ku çdo dëshirë individuale është ngritur në piedestal. Ku e drejta personale është shenjtëruar në një mënyrë që, në vend të të na çlirojë, po na dëmton.
Në thelb të kësaj kulture që po ndërtojmë qëndron një fjalë: fëmijocentrizmi. E kemi kthyer fëmijën në qendër të universit tonë, dhe çdo nevojë të tij e trajtojmë si një të drejtë absolute. Pa kufij, pa vonesa, pa “jo”-në që ndonjëherë është më edukative se një mijë “po”-ra. Prindërit kanë frikë të vendosin rregulla, mos i quajnë “autoritarë”. Mësuesit hezitojnë të korrigjojnë, mos i etiketojnë si “shtypës të vetëshprehjes”. Psikologët flasin për çlirim të impulsit fëmijëror, si të ishte një forcë e shenjtë, jo një burim që ka nevojë për kanalizim të kujdesshëm.
Por çfarë ndodh kur rritet një fëmijë që kurrë nuk ka dëgjuar fjalën “ndalo”? Ai rritet në një të rritur që hidhet në “bufenë e jetës” dhe nuk di ku të ndalojë. Që mendon se çdo dëshirë duhet të plotësohet, që çdo pengesë është padrejtësi, që çdo “jo” është dhunë. Dhe harron se e drejta pa përgjegjësi është thjesht iluzion. Liri pa vetëkontroll është një formë e re skllavërie.
Në përpjekje për të qenë “prindër të mirë”, kemi harruar të jemi udhëheqës. Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për dashuri, por për strukturë. Nuk mjafton pranimi, duhet edhe udhëzimi. Ata kanë nevojë për dikë që të guxojë të thotë “jo” dhe të mos ndihet fajtor për këtë.
Nëse vazhdojmë të ngatërrojmë dëshirën me të drejtën dhe të drejtën me domosdoshmërinë, do të rritim breza që nuk dinë të vendosin kufij as për veten, as për të tjerët. Shoqëria do të mbushet me individë të mbingarkuar nga vetja, që përplasen me njëri-tjetrin pa kuptuar pse dhëmbët i kanë nisur të rrjedhin gjak.
Sepse askush s’ua tregoi se ku ndalon ëmbëlsira. Dhe askush nuk u mësoi as si të ndalojnë, as pse duhet ta bëjnë këtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.