FB

November 9, 2021 | 8:20

Kur mendimi i të tjerëve është ligj… Si të ndaloni së kërkuari gjithmonë miratim

Në një rast, Steve Jobs tha: “Mos lejoni që zhurma e mendimeve të njerëzve të tjerë të heshtë zërin tuaj të brendshëm”. Një fjali e mençur, e lehtë për t’u kuptuar, por e vështirë për t’u zbatuar pasi na pëlqen të kënaqim ose të ndihemi të pëlqyer. Secili në një moment të caktuar të jetës, ndjen nevojën për të marrë miratimin e të tjerëve. Kjo nevojë për miratim nuk është gjë e keqe, për sa kohë që nuk rritet në mënyrë disproporcionale deri në pikën që mirëqenia juaj personale varet vetëm nga ajo që mendojnë të tjerët. Një problem që ndonjëherë e përjetojmë pa e kuptuar, gjë që padyshim na pengon të ecim përpara.

Nga vjen nevoja për miratim?

Përpara se të analizohet nevoja patologjike për miratim është e rëndësishme të kuptohet se nga vjen kjo varësi. Duhet të kujtojmë se jemi qenie shoqërore, se e ndërtojmë personin tonë nëpërmjet marrëdhënieve me të tjerët dhe se për këtë arsye është logjike që vlerësimi i të tjerëve të ndikojë në perceptimin që kemi për veten. Për shembull, një nënë që i thotë gjithmonë fëmijës së saj se është i padobishëm, se është i paaftë dhe se nuk do të arrijë kurrë asgjë të mirë në jetë, ka të ngjarë të prodhojë një të rritur me vetëbesim të ulët dhe një ndjenjë të shtrembëruar për veten, një i rritur që mund të ketë nevojë përherë për miratimin e të tjerëve për të vërtetuar egon e tij.

Imazhi ynë përbëhet nga reagime që marrim vazhdimisht nga të tjerët, ndaj është normale që në disa rrethana të kemi nevojë për miratim social; kjo na bën të ndihemi më të sigurt, na siguron se po shkojmë në drejtimin e duhur. Gjithashtu, nëse jemi të sinqertë, të gjithëve na pëlqen të duartrokitemi dhe të marrim fjalë lavdërimi dhe vlerësimi na bën të ndihemi mirë. Megjithatë, kur ne i nënshtrojmë të gjitha vendimet dhe sjelljet tona në gjykimin e të tjerëve, atëherë kemi një problem.

Varësia nga gjykimi i të tjerëve

Në momentin që bëhemi të varur nga gjykimi i të tjerëve është sikur po dorëzojmë frenat e jetës sonë. Kjo do të thotë që kur dikush na miraton ne jemi euforikë, por kur nuk aprovohemi, jeta jonë shpërbëhet, ndihemi të fundosur sepse kemi vënë vlerën tonë emocionale në duart e të tjerëve.

Ndërkohë, ne të gjithë duhet të jemi më vigjilentë për mënyrat e shumta që përdorim për të fshehur veten dhe për t’u ndjerë të miratuar. Këtu janë shenjat paralajmëruese:

  • Të qenit shumë miqësor kur nuk pajtohemi me mendimet e të tjerëve

Nuk po them që kur nuk pajtohemi me dikë duhet të përvetësojmë sjellje të dhunshme dhe të bëjmë me çdo kusht të mbizotërojë mendimi ynë, por është normale të vendosim pak pasion për të mbrojtur këndvështrimin tonë.

  • Asnjëherë nuk thoni jo

Nëse nuk mund të thoni jo dhe po sakrifikoni vazhdimisht nevojat tuaja për ato të të tjerëve, ka të ngjarë të ketë nevojë për miratim në rrënjë.

  • Ndryshoni mënyrën tuaj të të menduarit për t’u përpjekur të jeni miqësor dhe të këndshëm

Vlen të kujtojmë se ndryshimi i mendjes është jo vetëm normal, por edhe një shenjë inteligjence dhe fleksibiliteti, vetëm kur argumentet e tjetrit na kanë bindur.

  • Ndiheni të trishtuar ose të shqetësuar kur të tjerët nuk i miratojnë idetë dhe sjelljet tuaja

Natyrisht, kur nuk hasim asnjë mbështetje, nuk do të jemi të lumtur, por nëse trishtimi që ndiejmë është joproporcional, ndoshta ka nevojë për miratim në bazë.

Si të shpëtojmë nga nevoja patologjike për miratim?

Njerëzit kanë mendime, vlera, shije shumë subjektive dhe do të jetë e pamundur të kemi miratimin dhe vlerësimin e kujtdo që takojmë. Gjithashtu, të tjerët nuk na njohin siç e njohim ne veten tonë. Më në fund, ne e kuptojmë se shumica e njerëzve janë më të interesuar të fitojnë njohje sesa t’ua japin atë të tjerëve. Për të gjitha këto arsye, bëhet shumë e rrezikshme të bazojmë mirëqenien, vetëvlerësimin, lumturinë tonë në miratimin e të tjerëve. Nevoja për miratim luftohet duke ndryshuar besimet që e mbështesin atë:

  1. Kuptoni që nuk mund t’i kënaqni kurrë të gjithë

Secili person është unik, ka shijet dhe preferencat e veta, kështu që nuk mund të gjejmë gjithmonë pika të mjaftueshme konvergjence, nuk mund të vlerësohemi gjithmonë, mbi të gjitha, jo gjithmonë duhet ta kemi këtë pritshmëri.

  1. Unë jam po aq i rëndësishëm sa të tjerët

Mendimi ynë ka rëndësi sepse në fund të fundit, kush na njeh më mirë se ne? Njerëzit mund të na kritikojnë ose të na japin këshilla, por jemi ne ata që i marrim vendimet.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk janë gjykimet e të tjerëve që përcaktojnë vlerën apo mirësinë tonë

Normalisht, ata që vazhdimisht kanë nevojë për miratim, ngatërrojnë “Unë” me sjelljet e tyre. D.m.th fakti që kemi gabuar duke bërë diçka nuk do të thotë se jemi njerëz të paaftë apo jo inteligjent, thjesht do të thotë se kemi bërë një gabim. Të jesh ndryshe nuk do të thotë të jesh më i mirë apo më keq se të tjerët.

Kërkimi për miratim fsheh nevojën e dikujt për t’u parë, dashur, qetësuar, marrë seriozisht. Ju filloni ta merrni seriozisht veten dhe përpiquni ta ktheni të gjithë vëmendjen që tani përqendroni te të tjerët tek ajo që është e vlefshme për ju. Nuk ka të bëjë me pritjen për rezultate të mira ose besimin në qëllimet tuaja. Suksesi autentik është forca që vjen duke u parë në pasqyrë dhe duke ditur se keni dëgjuar zërin tuaj për herë të parë.

 

 

Burimi / https://psicoadvisor.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top