Si ndikon kultura në mënyrën se si perceptohet ndjenja e mërzisë, depresioni, ankthi apo ndjekja e terapisë psikologjike, psikiatrike?
Në shumë shoqëri tradicionale shpesh dhimbja nuk ka emër, ne hasim ndjenjën e turpit në shëndetin mendor dhe ende vazhdon e mbetet si tabu. Ndjenja e ankthit, depresionit apo nevoja për të ndjekur një terapi psikologjike, psikiatrike, shpesh tek shoqëritë sidomos ato në Ballkan shihen si dobësi, ka pasur dhe kemi raste ku e quajnë personin si të çmendur.
Nga paragjykimet e tilla njerëzit sot mundohen ta fshehin vuajtjen emocionale që kanë brenda tyre dhe duke vepruar sikur nuk kanë asgjë nga frika për të mos u paragjykuar nga familjarët dhe të tjerët, pikërisht kjo heshtje atyre u krijon një mur të thellë mes individit me familjen, me rrethin dhe shoqërinë, duke i munguar edhe ndihma që i duhet, sepse heziton edhe ta kërkoj.
Në shoqërinë tonë tradicionale thonë se burri duhet të jetë i fortë, nuk i ka hije…dhe gruaja duhet të duroj sepse ashtu janë mësuar vazhdimisht duke i shtypur ndjenjat dhe emocionet e brendshme derisa vjen një moment që personi më nuk arrin të kontrolloj as veten në veprime që bën. Heshtja vërtet është ar dhe e dobishme por, duhet ditur kur të heshtim, asnjëherë në raste kur duhet kërkuar ndihmë nëse zgjidhjen nuk mund ta bëjmë vet.
Gradualisht heshtja fillon e vret ngadalë pasi që personi bën izolim social dhe fillon e ndjen veten fajtor pse është në atë gjendje, në të cilën ndodhet, nga heshtja personi nuk arrin as të trajtohet profesionalisht, dhe vuajtja e brendshme që ja krijon vetes sjell shpesh herë edhe pasoja tragjike, duke e lënduar veten, pastaj të tjerët më pas edhe veten, apo vetëm veten. Andaj duhet pasur kujdes sepse persona të tillë edhe kur qeshin ata janë në siklet, edhe kur qajnë nuk e din pse qajnë, dhe nëse ne nuk dimë të lexojmë personin dhe ndryshimin tek individi atëherë sjell pasoja edhe për ne, edhe për rrethin, shoqërinë, familjen.

Fatmirësisht gjeneratat e reja dhe disa njerëz që janë më të vetëdijshëm ata tanimë e shohin si normale të trajtohet shëndeti mendor dhe nuk është më tabu, ashtu edhe duhet të jetë sepse kurrë as nuk është dashur të jetë problem e as të duket si gjendje për tu ndjerë i turpëruar, por fatkeqësisht për shumë të tjerë kjo gjendje duhet të kalohet në heshtje, dhe duhet mbajtur sekret.
Kjo gjë duhet ndryshuar sepse ndihma nuk është dobësi, përkundrazi në raste të tilla është guxim të flasësh, të diskutosh me persona të besueshëm. Shoqëritë tradicionale duhet dhe kanë nevojë që ta kuptojnë se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik, dhe dashuria për veten nuk është aspak çështje egoizmi.
Në shoqërinë tonë shpesh herë kemi has në raste ku shëndeti mendor duhet fshehur dhe jo treguar. Një njeri që ndjen ankth, depresion, stres, lodhje emocionale, gjykohet me fjalë: “ çka po të mungon? “ ti krejt të mirat i ke?, “ mos i thuaj dikujt qysh je”, “kaq i dobët je a”, “e çka ndodhi pse shtiresh para tjerëve”, “ti hiq nuk qenke mirë” etj.
Nga këto fjalë personi edhe më shumë mbyllet në vete, vuan edhe nga gjykimi edhe nga vuajtja që i shkaktohet dhe ndihet i huaj në shtëpinë e vet, në rrethin e vet, në ambientin e punës e gjithkund. Në vend të ndihmës ai merr edhe më shumë goditje, gjykohet dhe duket që buzëqesh por, ai person brenda është edhe më i thyer. Prandaj duhet zgjedhur me shumë kujdes fjalët që flasim gjithmonë jo vetëm në rast të dikujt, kur jemi në dijeni për diçka të caktuar.
Besoj që, secilit prej nesh na ka ndodhur të paktën njëherë të udhëtojmë në autobus, tren, aeroplan, anije, veturë që një i panjohur të na flas lirshëm dhe të na tregoj çdo hallë, problem, presion që ka në të gjitha aspektet e jetës, dhe në momentin që duhet të largohemi ai person na uron, na falënderon për faktin që e dëgjuam, e këshilluam dhe u munduam sado pak më fjalë të ja zbusim gjendjen, dhe ai të ndihet shumë më mirë e më vonë të na vjen një falënderim që falë asaj dite, nuk ka menduar më të keqen për veten dhe familjen, e as rrethin e shoqërinë.
Andaj kur kemi apo takojmë persona të tillë, ndonëse mund të kemi edhe në familje tona ne duhet të jemi pranë tyre nëse jo me ndonjë mundësi tjetër, të paktën mos ti gjykojmë, por të jemi pranë tyre më fjalë të mira, edhe më prezencë fizike po të na jepet mundësia, sepse ka edhe raste kur nuk duan por, duhet të mos u ‘a marrim për të keq, as të prishim raport përkundrazi të jemi të vetëdijshëm se dikush është duke kaluar diçka që ne nuk e dimë, dhe me gjithë të tjerët ai person nuk mund ta flasë se ka frikë pikërisht nga gjykimi dhe bulëzimit që i bëhet.
Kështu që shoqëria jonë duhet të edukohet qysh nga familja, rrethi, të arsimohet, të kuptojmë se bota është me plotë ngjyra, secili prej nesh zgjedh ngjyrat që dëshiron, dhe ato ngjyra kontribuojnë në kombinimin e një mendje, zemre, shpirti dhe bote më të bukur më të lulëzuar. Të vetëdijesohemi që të ndihesh i lodhur, i mërzitur me krejt ngjyrat e bukura që ka jeta nuk është gjë e keqe është më se normale, duhet të ndryshojmë ngjyrat sikur edhe stinët dhe të shohim me sytë e zemrës sa më pastër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

