Në shoqëritë moderne, koncepti i lumturisë është shpesh i lidhur me arritjen, suksesin dhe posedimin. Lumturia përfytyrohet si një destinacion për t’u arritur, një shpërblim për ata që përmbushin një listë të gjatë pritshmërish shoqërore dhe personale. Kjo qasje e ka rrënjën në atë që psikologët pozitivë e quajnë “hedonizëm instrumental”, një ide që lumturia është produkti i një përpjekjeje të vazhdueshme për më shumë: më shumë sukses, më shumë njohje, më shumë siguri.

Megjithatë, siç vërejnë autorë si Russ Harris dhe Jon Kabat-Zinn, kjo qasje rezulton shpesh në një kontradiktë: sa më shumë ta ndjekim lumturinë, aq më shumë ajo na shmanget.
Në qendër të këtij reflektimi qëndron një përvojë ekzistenciale e zakonshme: pavarësisht se gjithçka duket “në vendin e vet”,një karrierë e suksesshme, një familje e dashur, miqësi të forta, individi përballet me ndjesinë e boshllëkut dhe shkëputjes. Ky boshllëk, që shpesh shfaqet në momente kur pritet të ndihemi më të përmbushur, është ajo që Viktor Frankl e quante “zbrazëti ekzistenciale”, një gjendje në të cilën jeta duket e pasuksesshme jo për mungesë të arritjeve, por për mungesë të kuptimit.
Iluzioni i ndjekjes së lumturisë
Kërkimi i pandërprerë për lumturinë shndërrohet shpesh në një garë pa fund. Psikologia amerikane Sonja Lyubomirsky, në kërkimet e saj mbi lumturinë, thekson se ndjekja e vazhdueshme e ndjenjës së mirë mund të bëhet vetë burim stresi, ankthi dhe zhgënjimi. Ajo e quan këtë “hedonic treadmill”, ose rutine hedoniste: sapo arrijmë një qëllim, kënaqësia zhduket dhe ne fillojmë të ndjekim tjetrin, gjithmonë në kërkim të diçkaje tjetër. Ky model është i ndërtuar mbi një supozim të gabuar: se lumturia është një objekt jashtë nesh, një trofe që fitohet përmes përpjekjes, disiplinës dhe sakrificës. Në realitet, siç sugjeron edhe psikologjia e mindfulness (vetëdijes së plotë), lumturia është më së shumti një nënprodukt i pranisë, i përfshirjes së plotë në përvojën e momentit.
Prania si zgjidhje psikologjike
Përballë kësaj ndjenje të zbrazëtisë dhe kërkimit të pafrytshëm, psikologjia bashkëkohore propozon një qasje tjetër: të ndalojmë së kërkuari lumturinë si qëllim në vetvete dhe të përqendrohemi në praninë. Autorë si Tara Brach dhe Eckhart Tolle e theksojnë rëndësinë e ndaljes dhe kthimit drejt brendësisë, duke kultivuar një vëmendje të qëllimshme ndaj të tashmes jo si shpëtim, por si mënyrë jetese. Prania nuk është një gjendje e thjeshtë relaksi, por një mënyrë e të jetuarit me vetëdije dhe përfshirje. Në këtë mënyrë, individi ndalon së funksionuari si menaxher i jetës së vet dhe bëhet protagonist i përvojës së tij. Ajo që ndryshon nuk është përmbajtja e jetës, puna, familja, sfidat, por mënyra se si këto përjetohen: jo përmes filtrave të suksesit apo dështimit, por përmes prezencës dhe pranimit.
Kthimi nga jeta si projekt në jetën si përvojë
Shumë burra, të ndikuar nga pritshmëritë kulturore dhe presionet shoqërore, e ndiejnë veten të detyruar të identifikohen me rolin e “siguruesit”, duke e matur vlerën e tyre përmes rezultateve të dukshme. Kjo është ajo që Brené Brown e quan “maskulinitet i brishtë”, një koncept që shfaqet përmes nevojës për të performuar, për të kontrolluar dhe për të fshehur pasiguritë. Në këtë kontekst, ndjesia e boshllëkut shpesh lidhet me ndarjen e thellë mes “bërjes” dhe “qenies”, mes funksionit dhe ndjenjës autentike të vetvetes. Martin Seligman, themeluesi i psikologjisë pozitive, e zhvendos fokusin nga lumturia si emocion i përkohshëm, drejt përmbushjes (eudaimonia), një gjendje që buron nga jeta me kuptim, përfshirje dhe angazhim të brendshëm me vlerat personale.
Praktikat që ushqejnë praninë dhe kënaqësinë autentike
Ndryshimi nuk vjen nga një ide, por nga një praktikë e përditshme. Zakonet mendore dhe emocionale që na mësojnë të vëzhgojmë, të ndalojmë, të ndiejmë dhe të zgjedhim me vetëdije janë ato që riformësojnë përvojën tonë jetësore. Disa prej këtyre praktikave përfshijnë:
Kontrolli i pranisë – Një formë e thjeshtë tokëzimi psikologjik që ndihmon individin të kthehet nga autopiloti i përditshmërisë drejt përjetimit të çastit. Praktika të ngjashme janë të përfshira në terapinë ACT (Acceptance and Commitment Therapy) dhe në trajnimet e MBCT (Mindfulness-Based Cognitive Therapy).
Mirënjohja për të voglat dhe të papërsosurat – Praktika që zgjerojnë spektrin e mirënjohjes përtej asaj që është vetëm “pozitive”, duke përfshirë edhe sfidat, gabimet apo momentet e zakonshme. Kjo është në përputhje me konkluzionet e Robert Emmons, studiues i njohur i mirënjohjes, i cili thekson fuqinë transformuese të saj në përmirësimin e mirëqenies psikologjike.
Veprim i udhëhequr nga vlerat – Në vend të përqendrimit të verbër në qëllime specifike, individi ftohet të veprojë në përputhje me vlerat e veta thelbësore. Ky është një parim kyç i psikoterapisë ACT, që e ndihmon individin të gjejë qëndrueshmëri dhe kuptim përtej rezultateve të paqëndrueshme.
Në përfundim, lumturia si pasojë, jo si qëllim
Ironia e madhe, siç theksojnë shumë autorë bashkëkohorë, qëndron në faktin se lumturia shfaqet kur ndalojmë së ndjekuri atë me ngulm. Është një flutur që nuk kapet me duar, por që ulet butë mbi supin e atij që ndalon dhe qëndron i qetë. Paqja e brendshme, në këtë kuptim, nuk është rezultati i shmangies së vështirësive, por pranimi i tyre si pjesë e pandashme e jetës njerëzore. Ky është një proces që nuk përfundon kurrë. Është një praktikë e vazhdueshme e kthimit tek vetja, tek momenti, tek vlerat që na japin kuptim. Në këtë rrugëtim, njeriu ndalon së kërkuari një formë të idealizuar lumturie dhe fillon të ndërtojë një marrëdhënie më të thellë, më të ndershme dhe më të qëndrueshme me vetveten dhe botën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

