“Më iku mendja nga inati dhe nuk dita se çfarë thashë e bëra”, është shprehje të cilën e përdorin njerëz të ndryshëm për të justifikuar veprimet e tyre të dhunshme kundrejt një tjetri, por sidomos me njerëz që i quajnë se i kanë nën vete dhe se ata duhet t’u binden dhe t’i bëjnë gjërat kur thotë “i nxehuri” dhe si thotë “i nxehuri” që po humbet durimin.
Nga Lira Gjika
Këtë shprehje e dëgjon nga burra kur i pushton inati me gratë e tyre e i dhunojnë, e dëgjon nga prindër kur nxehen me fëmijët e tyre e i dhunojnë fizikisht e emocionalisht, e dëgjon nga mësues kur nxehen me nxënësit që nuk u binden apo edukatorët që i ushqejnë me forcë fëmijët sidomos kur refuzojnë ushqimin, madje edhe kur fëmija e vjell ushqimin ato vazhdojnë ta ushqejnë me një lloj inati që të tremb.
Ky inat, që e pushton të rriturin sa humb kontrollin e vetes dhe harron, që është bashkëshort, prind apo mësues dhe edukatorë, por vetëm dëshiron të mposhtë “viktimën” tregon që inteligjenca emocionale e këtyre njerëzve lë shumë për të dëshiruar. Këta njerëz janë të paaftë për të menaxhuar veten dhe për pasojë akuzojnë tjetrin që e ka fajin pasi “u soll keq”. Këta të rritur që harrojnë deri frikën nga ligji tregon më së miri se si njerëzit kur i pushton inati, menjëherë u aktivizohet harresa dhe pësojnë anestezi emocionale ku dhembshuria bëhet e paaftë të influencojë mbi inatin që i ka pushtuar.
Këta të rritur kur i pushton inati harrojnë se kush janë dhe kë kanë përballë, ata i drejton vetëm inati edhe pse mund t’i duan shumë personat që dhunojnë. Ata janë të paaftë të menaxhojnë veten që të mos bien në kthetrat e paaftësisë së tyre për të vepruar nëpërmjet empatisë apo dhembshurisë. Këta njerëz nuk arrijnë të qetësojnë veten që të mos dhunojnë njerëzit apo fëmijët që i duan. Kur qetësohen i pushton ndjenja e fajit, por dëmi është bërë dhe për më tepër, nuk dinë të kërkojnë të falur, pasi mendojnë se nuk ishte faji i tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.