Nga Arsa Bushi, gazetare
Kur një prind vendos të hyjë sërish në botën e takimeve pas një divorci, ndarjeje apo humbjeje, kjo nuk është vetëm një përvojë personale. Është një ndryshim që prek të gjithë familjen – dhe veçanërisht fëmijët, pavarësisht moshës së tyre. Nga një fëmijë i vogël që nuk kupton pse dikush i ri po shfaqet në shtëpi, te një adoleshent që ndjen zemërim apo konfuzion, apo edhe një i rritur që përjeton ndjenja lojaliteti ndaj prindit tjetër – reagimet janë të shumta dhe shpesh të ndërlikuara.

Psikologjia familjare e konsideron këtë si një tranzicion të rëndësishëm zhvillimor. Sipas teorisë së sistemeve familjare të propozuar nga Murray Bowen, familja funksionon si një sistem emocional ku çdo ndryshim në jetën e një anëtari ndikon tek të gjithë të tjerët. Kjo do të thotë se edhe një vendim personal si fillimi i takimeve mund të riformësojë marrëdhëniet familjare.
Si reagojnë fëmijët në mosha të ndryshme?
Fëmijët e moshës 3-10 vjeç e kuptojnë botën përmes stabilitetit dhe rutinës. Kur një person i ri hyn në jetën e prindit, ata mund të ndihen të pasigurt apo të frikësuar se po humbasin vëmendjen e prindit. Ato shpesh reagojnë me:
ndryshim në sjellje (p.sh. vështirësi në gjumë),
xhelozi,
ankth ndarjeje.
Ata mund të mos e kuptojnë konceptin e marrëdhënieve romantike, por ndiejnë ndryshimin emocional në ambient.
Fëmijët para-adoleshentë 10–13 vjeç fillojnë të kuptojnë më shumë për marrëdhëniet, por gjithashtu kanë një ndjenjë të fortë drejtësie dhe lojaliteti. Ata mund të ndihen sikur duhet të “zgjedhin anë” mes prindërve, sidomos pas një divorci.
Adoleshenca gjithashtu është një periudhë e ndërtimit të identitetit. Një marrëdhënie e re e prindit mund të shihet si kërcënim për strukturën familjare dhe mund të shkaktojë:
rezistencë,
zemërim,
izolim emocional,
konflikt të hapur me prindin.
Fëmijët e rritur +18 vjeç që dhe pse janë të pavarur, lidhja emocionale me prindërit mbetet e fortë. Ata mund të përjetojnë:
ndjenjë tradhtie ndaj prindit tjetër,
shqetësim për sigurinë apo zgjedhjet e prindit,
apo edhe gëzim kur shohin prindin të lumtur.
Studime nga American Psychological Association tregojnë se mënyra se si prezantohet partneri i ri ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën si fëmijët e përjetojnë këtë tranzicion.
Pse është kaq e rëndësishme mënyra si menaxhohet kjo situatë?
Kërkimet në teorinë e lidhjes (attachment theory), tregojnë se siguria emocionale e fëmijëve lidhet ngushtë me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve familjare. Kur një prind hyn në një marrëdhënie të re pa komunikim apo përgatitje emocionale, kjo mund të krijojë pasiguri dhe tension. Nga ana tjetër, një tranzicion i menaxhuar me kujdes – me transparencë, durim dhe respekt për emocionet e fëmijëve – mund të ndihmojë në ndërtimin e një dinamike të re familjare të shëndetshme.
Po çfarë mund të bëjnë prindërit?
Komunikim të hapur – në mënyrë të përshtatshme për moshën e fëmijës.
Prezantim gradual i partnerit të ri – pa imponim.
Respekt për ndjenjat e fëmijëve – edhe kur janë negative.
Ruajtje e rutinave familjare – për të krijuar siguri.
Mosdetyrim për pranimin e menjëhershëm – adaptimi kërkon kohë.
Ndërhyrja e një terapisti familjar gjithashtu mund të jetë e dobishme kur:
konfliktet bëhen të vazhdueshme,
komunikimi ndërpritet,
fëmijët shfaqin ankth, agresivitet apo izolim,
marrëdhëniet brenda familjes tensionohen ndjeshëm.
Fillimi i takimeve nga ana e prindërve nuk është fundi i familjes siç ka qenë më parë – është transformimi i saj. Familjet dhe dinamikat e saj zhvillohen me kalimin e kohës. Për fëmijët, kjo mund të jetë një sfidë, por edhe një mundësi për të mësuar mbi ndryshimin, pranimin dhe kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore. Dhe për prindërit, një hap drejt mirëqenies emocionale që, në fund të fundit, nga e cila përfiton i gjithë sistemi familjar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

