Nga *Aurora Pirraku Nika
Ka pak tema më të dhimbshme në jetë se sa të përballesh me faktin që prindërit tanë, që na kanë rritur, kujdesur dhe dashur, një ditë mund të mos na njohin më. Demenca është një sëmundje që nuk prek vetëm individin, por edhe gjithë familjen përreth. Ajo na mëson për kufijtë e kujtesës njerëzore dhe na detyron të shohim përtej fjalëve, drejt emocioneve dhe lidhjeve që ende jetojnë brenda tyre.
Me përparimin e sëmundjes, aftësia për komunikim dëmtohet dhe shpesh është e vështirë për të afërmit të dinë si të sillen. Kërkohet durim, respekt dhe mirëkuptim. Por ka mënyra konkrete që mund ta bëjnë komunikimin më të lehtë dhe më njerëzor.
Dhjetë këshilla për të komunikuar me persona që vuajnë nga demenca
1.Jini një dëgjues i mirë, përpiquni të kuptoni atë që personi do të thotë, edhe nëse nuk është e plotë ose e qartë
2.Lejoni shprehjen e emocioneve, nëse i afërmi juaj është i trishtuar, mos e shmangni bisedën. Lejojeni të qajë ose të flasë për dhimbjen e tij.
3.Mos flisni “mbi kokën e tyre”, mos i korrigjoni përpara të tjerëve dhe mos theksoni dobësitë e tyre.
4.Mbani mend: ndjenjat shpesh funksionojnë më mirë se intelekti, edhe kur fjalët mungojnë, emocionet mbeten të forta.
5.Shmangni temat që krijojnë shqetësim, përqendrohuni në kujtime apo ndjesi të këndshme.
6.Mos debatoni dhe mos u përpiqni t’i bindni. Kapuni pas fjalëve kyçe që ata përdorin dhe tregoni se i keni kuptuar.
7.Përçoni siguri dhe lidhje pa fjalë, një përqafim, një prekje e butë ose një buzëqeshje mund të vlejnë më shumë se një fjali e gjatë.
8.Mbani gjithmonë kontakt me sy. Shikojini në sy për të treguar se jeni aty vërtet për ta.
9.Flisni ngadalë dhe qartë. Përdorni fjali të shkurtra dhe të thjeshta, përsëritni kur është e nevojshme.
10.Mos i detyroni të kujtojnë, mos u thoni “A mban mend çfarë bëmë dje?” Nëse nuk ia dalin, mos i kritikoni. Thoni me butësi: Le ta bëjmë bashkë këtë gjë.
Në fund…
Sa më shumë që përparon demenca, aq më e rëndësishme bëhet komunikimi joverbal: gjuha e trupit, toni i zërit, prania juaj. Ndonjëherë nuk duhen fjalë për të treguar dashuri. Sepse edhe kur kujtesa shlyhet, ndjenja e dashurisë dhe lidhjes shpirtërore shpesh mbetet e gjallë. Dhe është pikërisht aty ku duhet të takohemi me ata që duam.
*Aurora Pirraku Nika
Psikoterapiste klinike (KBT, PDT, ACT, trauma)
Magjistër në punë policore dhe lidership
Fil.kand. në kriminologji dhe shkenca të sjelljes në psikologji shëndetësore, pune dhe psikologji ligjore
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.