Shkuan për të ngrënë…, një çift tipik i së dielës. Ajo zgjidhte verën nga menu-ja me një përqendrim të tepruar. Ai shfletonte telefonin, i zhytur në botën e vet. Nuk folën shumë, as nuk e panë njëri-tjetrin. Dukej sikur zhvillonin dialogë paralelë, në hapësira të ndara.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi: çiftet rrallëherë ndahen me zhurmë. Ata largohen ngadalë, përmes tërheqjesh të vogla e të heshtura. Secili mbyllet në vetvete, në një cep të brendshëm ku tjetri nuk arrin më. Ajo ndihet e pavënë re dhe ai i mbingarkuar. Asnjëri nuk e sheh tjetrin. Secili përballet vetëm me shqetësimin e vet.
Kjo nuk është heshtja e intimitetit, ajo që lind kur prania mjafton. Kjo është heshtja e largimit…, një tërheqje e qetë, por e thellë, që thotë: “Jam ende këtu, por jo më me ty.” Marrëdhënia shndërrohet kështu në dy njësi që bashkëjetojnë, pa u takuar më emocionalisht. Jo sepse mungon dashuria, por sepse mungon vëmendja.
Terapia në çift nuk nis nga pyetja kush ka të drejtë. Zakonisht, secili e ka të drejtën e vet. Ajo nis me përpjekjen për të kuptuar…, për ta kthyer vështrimin jo vetëm nga vetja që dhemb, por edhe nga tjetri që dhemb ndryshe. Sepse, nëse secili mbetet i mbyllur në botën e vet, e vetmja gjë e përbashkët që do të mbetet…, do të jetë fatura e restorantit.
Kujdes nga distancat e vogla që, me kohën, bëhen normalitet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

