Është thënë që herët nga filozofë se shpirti nuk vdes kurrë. Dhe nëse njeriu nuk jeton më, shpirti i tij vazhdon të jetë pjesë e gjallë e kësaj bote, e kësaj jete, por edhe e jetës tjetër. Ajo çfarë vihet re në ditët e sotme, fatkeqësisht është se shpirti “po humbet” çdo ditë. E ne njerëzit, vazhdojmë të jetojmë. Apo më saktë, po ecim pa orientim, pa synim dhe pa shpirt….

Nga Elidona Lamnica
Psikologe shkollore
Vetëm ecim, pa shijuar më mjaltin e ëmbël të të ndjerit i gjallë. Të jetuarit me virtyte, të bërit gjëra të vogla, por me shpirt është gjithnjë e më pak e pranishme. Në këtë jetën tonë të shpejtë, të rrëmujshme, pa ditur ku jemi as ku duam të shkojmë, ka kaq pak dashuri. Për pasojë, ka mungesë të shpirtrave të pastër e të dashur!
Sëmundja nga e cila vuan bota sot, është mungesa e dashurisë dhe dashuria është ushqim për shpirtin. Njeriu pa shpirt, është si zogu pa krahë i cili nuk jeton, nuk fluturon, nuk e kryen si duhet misionin e tij. Ashtu dhe njeriu pa shpirt, vetëm vegjeton…
Shpirti e bën krijesën njerëzore, të veçantë dhe madhështore. Shpirti e bën atë të fluturojë, të realizojë gjëra vërtet të mrekullueshme dhe të dobishme.
Por, si mund të themi që shpirti ka humbur?
Ky është fakt që e vërejmë çdo ditë, kudo. Ne nuk dimë të duam, të sakrifikojmë, të tregojmë dhembshuri apo tolerancë, qoftë edhe me prindërit tanë, me familjen tonë. Nuk dimë më të falim dashuri, mirësi pa kushte, miqve tanë, njerëzve të dashur që na rrethojnë. Gjithçka që bëjmë, e bëjmë duke kalkuluar. Çfarë të mire do të na sjellë kjo? Fundja të mirat që bëjmë, a nuk duhet ti bëjmë se na burojnë nga thellësia e shpirtit, pa pritur që kjo të na shperblehen?! Ajo do vijë tek ne e shumfishuar. Çdo e mirë do të na kthehet herët apo vonë. Por, ne nuk duhet ta presim. Ne duhet të gëzohemi kur e japim. Duhet të ndihemi të pasur kur japim, kur lumturojmë të tjerët. Mbi të gjitha familjen.
Si duket ka ardhur koha të kërkojmë për shpirtat e humbur. Çfarë ka ndodhur me këta shpirtra?Ku janë ata? Pse janë zhdukur? Pse fshihen? Si mund të jetojnë ata larg familjes me vite apo me dekada të tëra?
Duhet të rikthejme shpirtin e pastër në gjenezën nga ku është krijuar. Të rigjejmë vetveten. Të jetojmë me vlera, virtyte, dashuri dhe shpirt të madh e të pastër këtë dhuratë që kemi, jetën. Ta përcjellim këtë edhe tek të tjerë, në mënyrë që të jetojmë në harmoni.
Kështu shpirti lartësohet mbi gjithçka. Vetëm kështu mund të jetohet vërtetë, duke konsideruar shpirtin si vlerën më të lartë njerëzore dhe hynjore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.