FB

November 20, 2025 | 14:30

Kur shumë lodra bëhen shumë: pse fëmijët humbin përqendrimin kur kanë gjithçka përpara tyre

Nga Klaudja Tafa (Velaj)

Psikologe klinike dhe terapiste zhvillimi

Dhoma plot me lodra, raftet që mezi mbyllen, zhurmë ngjyrash dhe formash, dhe megjithatë, pas pak minutash loje, fëmija vjen dhe thotë: “Nuk kam me çfarë të luaj.” Kjo skenë e njohur për shumë prindër është bërë një pasqyrë e kohëve moderne. Ne duam t’u japim fëmijëve më shumë mundësi, por shpesh përfundojmë duke u dhënë aq shumë zgjedhje, sa truri i tyre lodhet përpara se të fillojë të luajë.

femije-lodra

Një studim i Universitetit të Toledo (2018), i udhëhequr nga Dr. Carly Dauch, tregoi se fëmijët që kishin më pak lodra gjatë lojës, u përqendruan më gjatë dhe i përdorën ato në mënyrë më kreative. Kur lodrat janë të shumta, truri i fëmijës përjeton mbistimulim, një mbingarkesë shqisore që e bën të vështirë përqendrimin. Edhe psikologia Kim John Payne, autore e Simplicity Parenting, e përshkruan këtë periudhë si “epoka e tepricës”, ku fëmijët kanë më shumë nevojë për mjedise të pasura me dashuri sesa me objekte.

Në moshat e hershme, truri i fëmijës po formëson aftësitë bazë të vëmendjes, kontrollit të impulseve dhe organizimit të mendimit. Kur mjedisi është i ngarkuar me shumë objekte, ndodh “fragmentimi i vëmendjes”: energjia mendore shpërndahet në shumë drejtime dhe përqendrimi bëhet më i dobët. Maria Montessori theksonte se mjedisi duhet të jetë i përgatitur dhe i qartë, jo i mbushur. Një hapësirë e thjeshtë i ndihmon fëmijët të qetësohen dhe të përfshihen më natyrshëm në lojë.

Për këtë arsye, psikologët shpesh rekomandojnë luajtjen me radhë me lodrat (toy rotation): një sistem i thjeshtë ku lodrat ndahen në grupe dhe nxirren me radhë çdo 1–2 javë. Kjo ul ngarkesën vizuale dhe rrit përqendrimin. Fëmijët shpesh reagojnë me entuziazëm, sikur çdo rotacion të ishte një lodër e re.

Në realitetin e sotëm, shumë prindër ndihen fajtorë nëse nuk blejnë gjithnjë e më shumë lodra. Por studimet tregojnë se cilësia e ndërveprimit prind–fëmijë ka shumë më tepër ndikim në zhvillimin emocional sesa numri i lodrave. Shpesh, një fëmijë që luan me një kuti, disa lapsa dhe imagjinatën e tij është më i përqendruar sesa një fëmijë i rrethuar nga zgjedhje të panumërta.

Nga përvoja ime disa vjeçare duke punuar me fëmijë 1–12 vjeç, e shoh çdo ditë sa shumë ndikon thjeshtësia. Fëmijët përqendrohen më shumë kur punojmë vetëm me një aktivitet të vetëm, pa nxitim dhe pa shpërqendrime të panevojshme. Ne përpiqemi t’i sjellim te ideja e “të qenit prezent, këtu dhe tani”, duke i ndihmuar të përdorin shqisat e tyre, të kuptojnë trupin e tyre dhe të përfshihen emocionalisht në lojë.

Fatkeqësisht, shumë fëmijë sot ushqehen duke parë video në iPad, kërkojnë stimuj të shpejtë, nuk ngopen me lodrat e tyre dhe duan gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, prindërit, të lodhur nga ritmi i jetës, shpesh dorëzohen për të mos krijuar konflikt, duke mos vendosur kufij të shëndetshëm. Por fëmijët kanë nevojë për kufij po aq sa kanë nevojë për dashuri, sepse kufijtë u japin strukturë, siguri dhe qetësi emocionale.

Zgjedhja e disa lodrave të hapura në funksion, kufizimi i lodrave me zhurmë dhe drita, hapësirat e pastra për lëvizje dhe krijimtari, si edhe momentet e lojës së përbashkët, e ndihmojnë fëmijën të ndërtojë vëmendje të qëndrueshme. Përqendrimi mësohet përmes ritmit, shembullit dhe qetësisë së mjedisit.

Në fund të fundit, kur ulim sasinë e lodrave, rrisim cilësinë e lojës. I japim fëmijës mundësinë të krijojë, të përqendrohet dhe të ndiejë veten kompetent. Lumturia e tij nuk varet nga sa lodra ka, por nga sa hapësirë ka për të eksploruar botën me imagjinatë dhe qetësi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top