Jo të gjithë dinë të duartrokasin kur të tjerët ngjiten lart. Për disa njerëz, lajmet për suksesin e dikujt tjetër nuk nxisin frymëzim, por ngrenë mure të padukshme të tensionit, xhelozisë dhe ndjenjës së mungesës. Ata nuk e fshehin dot ngërçin në mimikë, nuk e formojnë dot një buzëqeshje të sinqertë, dhe shpesh përfshihen në një mënyrë të heshtur (apo të hapur) në zbehjen e arritjeve të të tjerëve. Por përse ndodh kjo? A është thjesht zili? Apo gjendet diçka më e thellë, më e rrënjosur në përvojat e hershme dhe ndërtimin emocional të individit?
1.Rrënjët e hershme: Fëmijëria si themel emocional
Psikologët janë të një mendimi se përvoja e fëmijërisë luan një rol vendimtar në formimin e strukturës emocionale dhe sociale të një individi. Alice Miller, në librin e saj The Drama of the Gifted Child, argumenton se shumë njerëz të rritur që vuajnë nga paaftësia për të ndjerë gëzim për të tjerët, janë fëmijë që nuk kanë marrë dashuri të pakushtëzuar, ose janë rritur në mjedise ku janë ndjerë të pavlerë, të krahasuar vazhdimisht, apo të injoruar. Në këto raste, suksesi i të tjerëve mund të përjetohet si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj vetëvlerësimit të tyre, sepse ata nuk kanë ndërtuar brenda vetes një identitet të qëndrueshëm emocional. Një tjetër person që shkëlqen, për ta është si një pasqyrë që thekson më fort dritën që atyre u mungon.
2.Teoria e krahasimit social
Sociologu Leon Festinger zhvilloi teorinë e krahasimit social, sipas së cilës individët kanë tendencën të vlerësojnë veten përmes krahasimit me të tjerët. Kjo është një sjellje normale psikologjike, por kur vetëvlerësimi i një personi është i brishtë, atëherë çdo sukses i tjetrit mund të perceptohet si “humbje personale”. Në vend që të shohin arritjen e dikujt si një shembull që mund t’i frymëzojë, ata e përjetojnë si një “provë” se janë pas, se nuk janë mjaftueshëm të suksesshëm. Kështu lind zilia toksike, një ndjenjë që shoqërohet me mllef, përbuzje të fshehur dhe që shpesh manifestohet me koment negativ, indiferencë, apo ftohtësi emocionale.
3.Narcizizmi i fshehur dhe mungesa e vetë-reflektimit
Sipas psikologes Kristin Neff, mungesa e vetë-dhembshurisë është një ndër arsyet kryesore pse shumë njerëz nuk dinë të lidhen pozitivisht me të tjerët. Nëse një individ nuk e pranon veten me të metat dhe dështimet e veta, ai fillon të ndërtojë një maskë narcisiste, përmes së cilës fshihet pas një egoje të brishtë dhe mbrohet me krenari fallco. Çdo sukses që ndodh jashtë kësaj “mburoje” personale, shihet si sulm ndaj mbijetesës së tyre psikologjike. Këta individë rrallë e bëjnë një analizë të sinqertë të vetes, sepse e kanë të dhimbshme të përballen me boshllëkun e brendshëm që ndjejnë. Për këtë arsye, përqendrohen në gabimet e të tjerëve, nënçmojnë suksesin dhe ruajnë një qëndrim emocional të ngurtë.
4.Mungesa e ndjeshmërisë sociale dhe aftësive ndërpersonale
Shpesh, negativiteti ndaj të tjerëve nuk është vetëm çështje emocionesh personale, por edhe mungesë e aftësive sociale dhe inteligjencës emocionale. Daniel Goleman, në librin e tij Emotional Intelligence, argumenton se individët që nuk dinë të identifikojnë dhe menaxhojnë ndjenjat e tyre, dhe nuk arrijnë të ndiejnë empati për të tjerët, kanë më shumë gjasa të izolohen emocionalisht dhe të shfaqin sjellje të ftohta apo armiqësore. Këta njerëz nuk kanë mësuar (ose nuk janë mësuar) të gëzohen për të tjerët, sepse nuk e kanë zhvilluar atë ndjeshmëri që e bën individin pjesë të një komuniteti emocional. Mungesa e empatisë shpesh maskohet pas ironisë, indiferencës apo një “realizmi të ftohtë”, që në të vërtetë është një mënyrë për të shmangur përballjen me boshllëkun e brendshëm.
Në përmbyllje, kur negativiteti është një simptomë, jo një cilësi
Për t’i kuptuar njerëzit që nuk dinë të gëzohen për të tjerët, nuk mjafton të etiketojmë sjelljen e tyre si “zili” apo “ligësi”. Shpesh, ky është vetëm sipërfaqja e një historie më të thellë: mungesë sigurie, vetëbesimi i brishtë, përvoja fëmijërie të paregjistruara emocionalisht, apo thjesht një model i të jetuarit që nuk ka përfshirë kurrë gëzimin për të tjerët. Nga perspektiva psikologjike dhe sociologjike, këto sjellje nuk janë të pandryshueshme, por kërkojnë reflektim të thellë, ndihmë profesionale dhe një hapje të sinqertë ndaj vetvetes. Deri atëherë, ata do të vazhdojnë të reagojnë me ngrirje, me heshtje, apo me një buzëqeshje të pashprehur, sa herë që dikush tjetër ndriçon. Jo sepse janë të këqij, por sepse ndoshta, nuk e kanë njohur kurrë dritën brenda vetes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.