Në fokus

August 10, 2018 | 8:50

Kuraja e femrave

Shumë shpesh mendojmë se kuraja ka të bëjë me veprime heroike e të jashtëzakonshme, që do të thotë të mos keni frikë nga asgjë. Nuk është kështu. Të jeni kurajoze nuk do të thotë të notoni bashkë me peshkaqenët, t’i ngjiteni Everestit apo të vizitoni vende të humbura. Kuraja nuk ka të bëjë fare me heroizmin…

Termi kurajë vjen nga latinishtja “cor”, zemër dhe tregon aftësinë për të ndjekur pikërisht gjithçka do zemra. Të jeni kurajoze do të thotë të jeni vetvetja, të shprehni atë që ndjeni e mendoni. Të shpalosni nevojat dhe kërkesat tuaja. Ndërkohë që te heroizmi vëmë në lojë jetën tonë, te kuraja vëmë në lojë brishtësinë. Mendja është duke ulëritur se rrezikojmë të na gjykojnë, të na largojnë, të na përqeshin apo të mos na duan. Për këtë arsye, shpesh zgjedhim rrugën që na duket më e sigurt: atë të heshtjes. 

Kur zgjedhim gjuhën e heshtjes dhe nuk vendosim kufij të nevojshëm, kemi shumë shpejt ndjesinë se na kanë përdorur e shfrytëzuar. Dhe ditën kur nuk do të mundemi më, do të shpërthejmë, duke shkatërruar kështu marrëdhëniet. Ne, femrat, jemi kurajoze! Ndonjëherë, kemi vetëm nevojë për dikë që të na e kujtojë këtë gjë.

  1. Ju nuk jeni e kaluara juaj

Mund të bëjmë gabime, por ne nuk jemi gabimet tona. Secili prej nesh bart mbi vete bagazhin e tij emotiv. Nuk do të mund të ishim njerëzit që jemi sot, pa përvojat që kemi pasur dhe që na kanë ndryshuar. Bëni paqe me të kaluarën! Çdo ditë është një mundësi e re për të qenë një njeri më i mirë dhe për të bërë një hap më shumë drejt ëndrrave tuaja. Falini njerëzit që ju kanë lënduar dhe veten për gjithçka që ju bën të ndiheni keq e më pas shihni drejt së ardhmes.

  1. Nuk jeni veprimet tuaja

Një nga argumentet për të cilat edhe sot, fatkeqësisht, ka ende shumë konfuzion është vetëbesimi. Kjo gjë është e dukshme te shumë njerëz, profesionistë, sportistë apo thjesht prindër krenarë për sukseset e fëmijëve të tyre. Çdo rezultat i fituar bën të mundur që vetëbesimi të shtohet. Vetëbesimi është vlerësimi që vjen nga ne, vjen së brendshmi vetëm për faktin që ekzistojmë. Është një e drejtë e lindur dhe nuk varet, ose më mirë nuk duhet të varet, nga asnjë ndikim i jashtëm. Po atëherë, përse është kaq e vështirë që të kemi vetëvlerësim dhe dashuri të pakushtëzuar për veten? 

Problemi është që egoja, ndonjëherë ndërhyn, duke na bërë të dyshojmë mbi vlerat tona e kështu përfundojmë duke kërkuar konfirmime nga jashtë (karriera, mosha, pamja fizike, të ardhurat) dhe jo brenda vetes. Si do të ndryshonin gjërat nëse do të kishit sigurinë se do t’ju donin në çfarëdolloj situate dhe në çfarëdolloj gjëje që ju vendosni të bëni? Mund të vendosni të ndiheni kështu tani, pikërisht në këtë moment.

  1. Jeni më e fortë nga sa mendoni

Të gjitha ne jemi pajisur me një forcë të brendshme të jashtëzakonshme, por ndonjëherë jemi kaq të ashpra dhe kritike me veten, saqë as nuk e kuptojmë. E vërteta është që jeni më e fortë nga sa mendoni. Mendoni për të gjitha rastet kur ngjarjet e jetës ju kanë vënë në provë të vështirë e megjithatë, pavarësisht të gjithave, ia keni dalë me kokën lart. Nuk jeni mposhtur dhe keni reaguar me vendosmëri e kurajë. Ia keni dalë në ato raste, do t’ia dilni sërish.

  1. Mund të jeni ajo çka dëshironi të jeni

Kuraja e vërtetë do të thotë të ndiqni zemrën, edhe kur mendja ju thotë diçka tjetër. Çfarë ëndërronit të bënit kur ishit e vogël? Mos lejoni që kushtëzimet e jashtme, gjykimet, pritshmëritë të shuajnë dëshirat tuaja. Nuk është asnjëherë shumë vonë për të qenë ajo që keni dashur gjithmonë të jeni.

  1. Kuraja nuk do të thotë të mos keni frikë

Frika është një ndjenjë e rëndësishme. Në fakt, shërben si kambanë alarmi dhe na bën të mendojmë para se të veprojmë. Shumë njerëz mendojnë se një njeri kurajoz është dikush që nuk ka asnjëherë frikë. Nuk është kështu. Një njeri kurajoz ka frikë njësoj si të tjerët, por nuk stepet nga kjo gjë. Një person kurajoz e njeh frikën, e pranon, por sigurisht që nuk e largon atë. Kur ndiheni të bllokuar, pyesni: “Çfarë do të bëja nëse nuk do të kisha frika?”. Lëreni zërin e zemrës të flasë, dëgjoheni me besim dhe besoni te jeta!

  1. Është koha që zëri juaj të dëgjohet

Nuk mundet të fshihemi më në zhguallin tonë ose pas shprehjes “nuk jam mjaftueshëm e zonja”, ose “nëse veproj do të më kritikojnë”. Nuk mund të mos e dëgjojmë zërin tonë. Duhet të çlirojmë energjinë tonë femërore dhe ta përhapim në shoqëri. Koha për të ndryshuar ka ardhur. Jemi të gjitha të pajisura me një fuqi të pamatë, të mos e lëmë të pashprehur atë!

 

Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top