Editorial

October 27, 2015 | 13:20

Kurajë femërore!

Nga Orjona Tresa

Gjithmonë ka nevojë për paqe. Pas luftës, ajo bëhet edhe më e domosdoshme.

Historia e Malala Yousafzai është e thjeshtë, por e jashtëzakonshme. Dëshmi e rrëfyer nga një fëmijë që nuk kërkon gjë tjetër veçse të arsimohet. Ishte 12 vjeçe kur zgjodhi të shënojë në një ditar personal të gjitha vuajtjet, marrëzitë dhe dhunën e një regjimi të pamëshirshëm. Nëpër rreshta ndihet dëshira për të qenë e lirë për t’u rritur, për t’u shkolluar, për t’u mbrojtur. … Pesë vite më vonë, ajo u laureua me Çmimin Nobel. Gjithçka erdhi pasi Malala u sulmua nga talebanët në tetor 2013 teksa gjendej në autobusin e shkollës. Pasi u kurua në një spital britanik në Birminghan u bë aktiviste e paepur për të mbrojtur të drejtën e femrave dhe fëmijëve për arsimim.

Shqiptarët kanë me çfarë mburren në këtë drejtim. Ata i dhanë botës gjithashtu një tjetër Nobeliste për Paqen. Nënë Terezën. Mesazhet e saj janë të qarta dhe duhet të na nxisin njëkohësisht t’i lëmë pas mëritë, urrejtjet.

“Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftëra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim me pushkë, as me bomba dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mbanë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqe dhe vëllazërimi”, thotë Nënë Tereza.

Por asgjë nuk mbaron këtu.

Për të mbrojtur të drejtat e femrave dhe fëmijëve për arsimim do të na duhet një tjetër misionare paqeje. Gjakmarrja, kjo plagë ende e pambyllur, frikshëm u ka mohuar të drejtën e jetës shumë femrave shqiptare. Për shkak të ngujimit të bijve nga gjaku i hasmit, jeta e tyre ka marrë rol të shumëfishtë. Janë kthyer në gra “burra”. Përkushtim prej nga i cili numërojnë mbrapsht ditët e lirisë. Sipas Komitetit të Pajtimit Kombëtar të Gjaqeve, në Shqipëri janë 6500 persona që rezultojnë të fshehur ose të ngujuar si pasojë e gjakmarrjes, ndërkohë që mbi 6000 fëmijë rezultojnë të mos shkojnë në shkollë. Kush do t’i nxjerrë ata në rrugë, të lirë dhe të qetë? Po për ato nëna, motra dhe vajza kush do të përkujdeset po kaq?! E në këtë fenomen të dhimbshëm, të rrezikshëm brenda llojit, dhuna shfaqet edhe në trajtesa të tjera. Bashkëshorti godet, i merr jetën nënës së fëmijëve të tij, djali qëllon nënën, babai vret bijën i përulur nga mendësia zakonore e një mëkati të papajtueshëm për shoqërinë. Ndërgjegjja qytetare ende mëkon nga shpirtra të ndikuar, të trazuar dhe të katiltë në mbrujtjen e llojit. Sa e sa raste shënohen çdo ditë, dhe fatkeqësitë pasojnë njëra-tjetrën. Shqipëria në fillim të vitit ka firmosur për herë të parë Konventën Europiane kundër dhunës ndaj femrave dhe diskriminimin brenda llojit. Shumë OJF trumbetojnë me kast, marrin në mbrojtje aq sa kanë mundësi të bëjnë, ndërsa pabarazia sociomorale këmbëkryq shfaq të njëjtin imazh. Ne bijtë e shekullit të ri duhet të zhvishemi nga paranoja, inferioriteti i mendësive të vjetra. Pajtimi me filozofinë e kohërave moderne nuk është mëkat.

Si shtet me popullsinë më të re të regjistruar, duhet të tregojmë ato vlera që na i ka fal toka jonë.

Të mbrojmë identitetin, të ruajmë traditat e vyera të të parëve, të duam Familjen tonë të madhe sikundër nuk ua lejojmë të tjerëve të na e prekin.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top