Nga Adela Kolea
Që më 1 shkurt, në Terni, Umbria, Itali nis “Muaji Valentinian.” Celebrime për Shën Valentinin për një muaj të tërë. Shën Valentini thuhet se pati lindur pikërisht në Interamna Nahars, toponimi i lashtë i qytetit Terni, Umbria, Itali, më 176-ën.

Nga latinishtja Inter-amni, “tra i [due] fiumi” – “midis [dy] lumenjve”.
Qyteza gjendet e shtrirë pra, midis dy lumenjve, Nera e Serra. Më 197-ën ai emërohet argjipeshkëv i qytezës së lindjes, Terni. Shën Valentini vdes në Romë më 14 Shkurt 273, i martirizuar, i pritet koka. Ai ishte martir e shenjtor i krishtërimit.
Në Terni festohet një muaj të tërë Shën Valentini, tërë shkurtin dhe e quajnë shkurtin “Muaji Valentinian.” Ky pra, është qyteti, që Shën Valentinin e ka Shenjtor të vetin, ku ndodhet katedralja e tij, me varrin e shenjtorit dhe ku, festimet valentiane zgjasin një muaj të tërë, gjithë shkurtin dhe jo veç një ditë, më 14 Shkurt.
Shën Valentini e merr origjinën nga përkujtimi i priftit të martirizuar në shek.III në Romë. Ndërsa nga ana etimologjike, emri Valentin vjen nga latinishtja me formën Valente, Valeo, që do të thotë “I Vlefshëm; i shëndetshëm; i fortë.” Kjo, si në kuptimin fizik, edhe atë shpirtëror.
Ndër mite e legjenda, qe një festë pagane e që më tej, u krishterizua. Festa konsistonte në akte e marrëdhënie fizike – seksuale haptas, rrugëve në emër të lindshmërisë. Madje dhe gratë shtatzëna nuk i shmangeshin ca ritualeve, për to, të dhimbshme… Ndaj, gjithnjë Kisha në mes, për të kontrastuar këtë festë pagane dhe disa shekuj pas martirizimit të Valentinit – ky u martirizua në shek.III – i bashkëngjiti asaj date, 14 Shkurtit, festën e Dashurisë, sipas shenjtorit në fjalë, martirizuar më 14 shkurt 273.
Konceptimi në mesjetë i Shën Valentinit dihet se nuk qe ai i sotmi.
Nga vitet ’30 në Itali, sipas Katopedisë “Enciklopedia Katolike”, filloi të shpërndahet mesazhi se Valentinit i pëlqenin trëndafilat, se ai dhuronte trëndafila e filloi tradita asokohe që atë ditë dhuroheshin trëndafila mes çifteve. Kjo, për t’u përhapur pastaj me zakone dhuratash tipike lokale nëpër botë.
P.sh në Gjermani e Austri, përveç luleve dhurojnë dhe një derr atë ditë, që mund të jetë i trajtave të ndryshme i konfeksionuar apo gatuar.
Italia është e madhe dhe me një zhvillim social-kulturor me diferenca përgjatë territorit. Në bazë, kjo mbetet festë e stabilizuar nga feja siç thamë. Por, qendrën e ka në Terni, Umbria. Vendlindja e shenjtorit kjo, e quhet dhe S. Valentino da Terni. Aty është kisha me emrin e vet po ashtu, basilika S. Valentino me varrin e Shenjtit.
Në Terni nuk është festë 1 ditore kjo. Theksojmë, zgjat 1 muaj, e gërshetuar si festë popullore, folkloristike e fetare. Aty e quajnë Muaji Valentinian gjithë shkurtin. Pas Ternit, krahina Umbria, është Verona, krahina Veneto, prej historisë së Romeos e Zhuljetës, të cilësuara si “Qytetet e dashurisë.” Në formë komerciale kuptohet që dhe në Itali ka marrë tiparet vonë, pas viteve ’50 e tutje.
*Sipas Katopedisë – enciklopedia katolike – midis mitit dhe legjendës.

*Foto: Kisha – Bazilika e Shën Valentinit. Terni, Umbria, Itali.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

