FB

May 13, 2021 | 8:06

Kush nuk pret asgjë shpëton nga zhgënjimet

Në përgjithësi, presim që ngjarjet të ndodhin ashtu siç ne dëshirojmë. Krijojmë pritshmëri se si duhet të shkojnë gjërat dhe si duhet të jenë të tjerët me ne. Për shembull, presim që dikush të reagojë pozitivisht për diçka që themi apo bëjmë. Ose shpresojmë se nuk do të bjerë shi kur planifikojmë një turne. Sidoqoftë, sa herë zhgënjehemi nga një situatë apo person? Cili është sekreti për të mos jetuar përvoja të tilla dhe për të ndaluar vuajtjet? E thjeshtë: mos prisni asgjë. Kush nuk pret asgjë, nuk humbet asgjë. Edhe pse mund të duket pak shkurajuese, mund ta riformulojmë konceptin më ndryshe. Është më mirë të mos krijosh pritshmëri, sepse kjo kërkon një fuqi të madhe. Por nuk po ju sugjerojmë të luhateni në divan, duke parë në mënyrë pasive pasqyrimin e jetës. Aspak: nënkuptojmë diçka shumë më aktive dhe dinamike. Po flasim për të punuar me mendjen, në mënyrë që të mos krijojmë shpresa të rreme ose ide të gabuara. Por, pse është kaq e rëndësishme? Sepse kushdo nuk pret asgjë, shpëton nga zhgënjimet.

Pritshmëritë mund të peshojnë si një gur në rrugëtimin ekzistencial çdokujt. Përkundrazi, kush nuk pret asgjë, fiton lirinë e vet.

Kush nuk pret asgjë, ka gjithçka

A është e mundur të jetosh pa pritshmëri? Pak a shumë të gjithë kapen tek ideja se si duhet të ndodhë ajo që do të ndodhë. Çelësi qëndron në konceptin e “të kapesh fort”. Kur kapemi pas një ideje, jemi më shumë të prirur të vuajmë nëse nuk materializohet. E pastaj? Çfarë të bëjmë? Përgjigja qëndron në shkëputjen e vetes nga një rezultat konkret. Për shembull, nëse presim që dikush të bëjë diçka për ne, por na zhgënjen, do të vuajmë. Prandaj, nëse mbetemi të hapur për mundësi që pritshmëritë të mund të ndodhin ose jo, në mënyrë të pandërgjegjshme do të jemi duke i shqyrtuar të dyja opsionet.

Budistët pretendojnë se të gjithë përpiqen të jenë të lumtur, por vetëm disa e zbulojnë rrugën e duhur. Në momentin kur kërkojmë lumturinë tonë, mund të lëndojmë të tjerët. Edhe në mënyrë të pavullnetshme: është një mundësi. Budizmi përgatitet ta pranojë që dikush mund ta mashtrojë ose zhgënjejë; duke pranuar që planet tona nuk do të shkojnë ashtu siç shpresohej, dhe të pranojmë që pritshmëritë tona mund të përfundojnë në një mijë copa, si ato të një vazoje që shpërthen kundër dyshemesë. Mësimet e tij janë kaq të thella, saqë të pranosh që diçka për të cilën besohej se nuk do të ndodhte, nuk përjetohet si një dramë, por si një çlirim.

Ky çlirim konsiston në marrjen e frenave të lumturisë së një personi dhe mos lënien e tij në dorë të ngjarjeve të jashtme. Kushdo që nuk pret asgjë nga një ngjarje ose nga një person tjetër i ka të gjitha. Ai e di se duhet të vlerësojë (dhe pranojë) të gjitha ngjarjet e mundshme. Dhe jo vetëm atë të favorshëm. Nëse miku ynë e mban premtimin e tij, respekti i pritshmërisë do të na sjellë gëzim. Përndryshe, e kishim parashikuar, pra, një skenar aspak dramatik. Gjithmonë duhet të mbajmë parasysh se edhe ne, të paktën një herë, kemi zhgënjyer pritshmëritë e të tjerëve.

Të çlirohesh nga zhgënjimet

Le të shpëtojmë nga vuajtjet e shkaktuara nga ngurtësia mendore. Jeta, fati, ekzistenca, jo gjithmonë do të zbulohet në mënyrën e shpresuar. Shumë njerëz përsërisin fraza si “Nuk do të mësoj kurrë” ose “Nuk bëj gjë tjetër veçse zhgënjehem “. Tani: sa herë keni pritur diçka nga dikush? Ankesat dhe keqardhjet i shtohen pafundësisë për gjithçka që nuk shkon siç duhet. Thelbi i çështjes është të kuptojmë se gjërat po shkojnë ashtu siç duhet dhe jo si duam që ato të shkojnë. Kur ka një mospërputhje midis pritshmërive (shpesh joreale ose e pajustifikuar), atëherë lind vuajtja. Nga njëra anë, do të mësojmë t’i pranojmë të tjerët pa projektuar tek ata pritshmëritë se si duam që ata të jenë. Së dyti, nëse bëhet e qartë se sjelljet e tyre kanë për qëllim të na lëndojnë, mbase ka ardhur koha për të ndërprerë marrëdhëniet me ta.

Gjithçka është e mundur

Lama Rinchen, mësues budist, thotë se “ekziston një mundësi më e madhe që gjërat të ndodhin ndryshe nga sa i presim”. Duke përdorur këtë aforizëm të thjeshtë, na fton të reflektojmë nëse vërtet kemi aq shumë fuqi sa të kontrollojmë çdo situatë, ngjarje apo manifestim të jetës reale. Rinchen përqafon interpretimin se gjithçka është e mundur. Në të njëjtën kohë, ai sugjeron zgjedhjen e kësaj qasjeje si kryesore dhe personale. Nëse gjithçka është e mundur, do të jemi më të prirur të pranojmë se mund të nga shfaqen të papritura. “Ne jemi viktima të vuajtjeve tona mendore, armiqtë e vërtetë të paqes dhe qetësisë. Këto vuajtje, të cilat lidhen tepër me urrejtjen, krenarinë, lakminë, etj., janë gjendje mendore që provokojnë tek ne sjellje që shkaktojnë pakënaqësinë dhe vuajtjet tona.

Shumicën e problemeve tona, të cilat ne vetë i krijojmë, përfundimisht burojnë nga këto emocione negative” thotë Dalai Lama. Për ata që nuk presin asgjë, të gjitha opsionet duken të mundshme. Duke bërë këtë, do të jemi më të hapur për atë që mund të ndodhë me të vërtetë. Projektimi i një ideje ose shprese në të ardhmen mund të jetë e mirë për të na mbushur me energji dhe optimizëm, edhe pse jemi të vetëdijshëm se epilogu pothuajse kurrë nuk do të përputhet me pritshmëritë. Një aspekt vendimtar për të zhdukur përfundimisht vuajtjet që rrjedhin nga pritshmëritë e frustruara, është të lejoni mendjen të pushojë. Siç shprehet murgu budist Thich Nhat Hanh: “Duhet të mësojmë artin e pushimit, duke e lënë trupin dhe mendjen të qetësohen. Nëse kemi plagë të hapura në trup ose në mendje, duhet të pushoni në mënyrë që ato të shërohen”.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top