FB

October 1, 2024 | 11:37

Lediona Braho: Përse konsultat me psikologun duhet të jenë pjesë e paketave të kontrollit shëndetësor?

 

 

Nga pikëpamja e një profesionisti të shëndetit mendor, koncepti i “normalitetit” është shumë më kompleks sesa thjesht mungesa e një çrregullimi. Ai përfshin një gamë të gjerë përvojash dhe sjelljesh që ndryshojnë nga individi në individ. Çfarë mund të konsiderohet “normale” për një person, mund të mos jetë për një tjetër, pasi normaliteti ndikohet nga faktorë të tillë si mosha, gjinia, kultura, orientimi seksual dhe përkatësitë e tjera sociale.

lediona-braho

Lediona Braho, Psikologe Klinike

 

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se jo të gjithë ata që kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor kanë një çrregullim të qartë të diagnostikuar. Disa persona mund të kenë shqetësime më të lehta, ose mund të jenë thjesht duke kaluar përvoja të përkohshme të vështira në jetë, të cilat nuk përmbushin kriteret për një çrregullim. Megjithatë, edhe në këto raste, ndërhyrjet psikologjike janë të nevojshme për të ndihmuar individët të përballen me këto shqetësime dhe të shmangin përkeqësimin e tyre. Në këtë kuptim, diagnoza e një çrregullimi mendor mbështetet në kritere të miratuara dhe standardizuara që ndihmojnë profesionistët të identifikojnë qartë llojin dhe ashpërsinë e problemeve të individit. Për shembull, dikush që vuan nga një fobi apo depresion duhet të plotësojë kritere specifike për t’u diagnostikuar me një nga këto çrregullime, të cilat mund të jenë të ndryshme nga një individ në tjetrin. Çdo njeri është unik në përvojat dhe sfidat e tij, edhe nëse vuajnë nga çrregullime të njëjta, duke theksuar kështu rëndësinë e një trajtimi të personalizuar.

psikologu

Shumë njerëz që kërkojnë ndihmë nga një psikolog ose psikoterapist nuk kanë domosdoshmërisht një çrregullim të diagnostikuar, por shpesh përballen me shqetësime më të lehta ose të përkohshme. Ata mund të përjetojnë ndjenja të pasigurisë, frikëra, trishtim, ndjenjat e fajit ose humbjes, që ndonëse nuk ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tyre të përditshëm, prapëseprapë i pengojnë të jetojnë një jetë plotësisht të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Në këto raste, terapia ofron mbështetje për përballimin e vështirësive emocionale dhe për përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme.

Shqetësimet emocionale dhe stresi që grumbullohen gjatë jetës mund të mos duken gjithmonë serioze në fillim, por ato mund të kenë një efekt kumulativ, duke ndikuar në mënyrë të vazhdueshme shëndetin mendor dhe fizik. Përballja me stresin e përditshëm nga kërkesat e shkollës, punës, marrëdhënieve apo përgjegjësive familjare, për shumë njerëz, është një luftë e vazhdueshme.

Edhe pse fillimisht mund të duket se jemi në gjendje t’i përballojmë këto sfida, stresi i zgjatur mund të ndikojë në mirëqenien tonë emocionale dhe fizike, duke u shfaqur më vonë si ankth, depresion, sëmundje kardiovaskulare ose çrregullime të tjera fizike.

Kërkimet tregojnë se përvojat negative gjatë fëmijërisë kanë një ndikim të fortë në shëndetin mendor dhe fizik në të ardhmen. Trauma të pashëruara nga fëmijëria mund të nxisin zhvillimin e problemeve të shëndetit mendor dhe sëmundjeve kronike në moshën e rritur. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që problemet të identifikohen dhe të trajtohen sa më herët, për të parandaluar përkeqësimin e tyre dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Trajtimi i hershëm, veçanërisht në fëmijëri dhe adoleshencë, mund të ndihmojë në shmangien e efekteve negative afatgjata dhe të reduktojë ndikimin e traumave dhe stresit në shëndetin e përgjithshëm të individit.

Lidhja e ngushtë mes shëndetit emocional dhe atij fizik është një fakt i padiskutueshëm në shkencën mjekësore dhe psikologjike. Studimet tregojnë se trauma të patrajtuara emocionale mund të kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve kronike si diabeti, hipertensioni, migrena dhe sëmundjet autoimune.

Kur përjetohen ngjarje stresuese dhe trauma, sidomos në moshë të re, ndikimi i tyre akumulohet dhe mund të rezultojë në dëmtime afatgjata jo vetëm në aspektin mendor por edhe në atë fizik. Pra, stresi dhe traumat, nëse nuk trajtohen, mund të shfaqen më vonë në formën e sëmundjeve të rënda fizike.

Koncepti i ndërlidhjes midis mendjes dhe trupit sugjeron se ne duhet ta shohim njeriun si një tërësi, duke kuptuar që problemet emocionale ndikojnë në shëndetin fizik dhe anasjelltas. Nuk mund të trajtojmë vetëm simptomat fizike, si një dhimbje koke apo gastrit, pa u thelluar në shkaqet e mundshme emocionale ose mendore që i shkaktojnë ato. Diagnostikimi i saktë dhe trajtimi holistik që përfshin si aspektin mendor, emocional dhe fizik është rruga drejt shëndetit të plotë.

Është për t’u theksuar rëndësia e ndërhyrjes së hershme, veçanërisht në aspektin e shëndetit mendor, për të parandaluar që problemet të përkeqësohen dhe të kërkojnë më shumë kohë, terapi dhe burime më vonë.

Kujdesi për shëndetin mendor duhet të jetë po aq i zakonshëm sa kontrollet e tjera mjekësore, duke filluar sa më herët në jetë. Kjo qasje jo vetëm që përmirëson cilësinë e jetës, por ndihmon gjithashtu në parandalimin e zhvillimit të çrregullimeve më serioze.

Në përfundim, mirëqenia mendore dhe emocionale është themeli i shëndetit të përgjithshëm, dhe për këtë arsye duhet të jetë pjesë e pandashme e paketave të rregullta të kontrollit shëndetësor. Një qasje e integruar që fillon herët dhe fokusohet në tërësinë e individit do të na ndihmojë të përballojmë sfidat komplekse të shëndetit dhe të jetojmë jetë më të shëndetshme e më të balancuara.

 

KLINIKA VERA-VIRHOV | RRUGA ISLAM ALLA
TIRANË TEL: 068 60 64 320 | 04 -222 6441

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top