Një letër e shkruar dhe e dërguar 80 vjet më parë nga Berlini, ka mbërritur në destinacion vetëm pak ditë më parë. Është një letër e ushtarit Pasquale Aloisio, me origjinë nga Mottola në Itali, i cili ishte kapur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i mbajtur në një kamp burgu afër Berlinit.
Ushtari kishte shkruar disa rreshta për gruan e tij, të cilën donte ta qetësonte për gjendjen e tij. “E dashur Maria shëndeti im është i mirë, ndaj mos u shqetëso për mua”-janë fjalët e tij.
Kryebashkiaku i Mottola-s Giampiero Barulli tregon historinë në Facebook, duke i bashkangjitur postimit të tij edhe imazhin e letrës, gjurmët e së cilës kishin humbur në shekullin e kaluar. Kryebashkiaku shkruan:
“Është viti 1943. Ka luftë dhe të gjithë djemtë janë në front për të luftuar. Midis tyre është Pasquale, një ushtar nga Mottole. Ai është në një kamp burgu afër Berlinit dhe i shkruan një letër, gruas së tij Maria, duke e qetësuar për gjendjen e tij shëndetësore, por letra nuk mbërrin në destinacion. Pasquale kthehet i padëmtuar nga lufta dhe jeton i qetë me gruan e tij duke rritur tre fëmijë. Kalojnë 80 vjet dhe në mënyrë të pabesueshme, disa ditë ajo letër mbërrin në Bashki, dërguar nga një zotëri nga Firence.”
Ajo kartolinë, e cila tregon një dashuri të madhe të penguar nga konflikti, iu dorëzua menjëherë vajzës së ushtarit Pasquale. Letra u dërgua nga një prej kampeve gjermane të burgut Kriegsgefangenenlager dhe mban datën e 21 nëntorit 1943, ndërsa pulla ka datën 26 nëntor të po këtij viti.
Ushtarët e internuar në kampet e paraburgimit në atë kohë u detyruan të dërgonin kartolina për t’i njoftuar se ishin shëndoshë e mirë, edhe pse vuanin vështirësitë e robërisë. Pasquale, falë ndërhyrjes së forcave aleate, arriti të kthehet në Mottola dhe të përqafojë sërish gruan e tij Maria.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.