Lidershipi në rajon nuk mund të kuptohet më thjesht si një aftësi për të drejtuar apo menaxhuar njerëz. Në një kohë pasigurie, tranzicionesh të zgjatura dhe marrëdhëniesh të brishta ndërkombëtare, ai është kthyer në një proces kompleks që kërkon ndjeshmëri të thellë psikologjike, inteligjencë sociale dhe vetëdije për rolin që një udhëheqës luan brenda dhe jashtë vendit të tij.
Në hapësirën ku jetojmë, liderët shpesh gjenden mes kërkesave të brendshme shoqërore dhe presionit të jashtëm diplomatik. Njerëzit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për problemet e përditshme si varfëria, papunësia dhe mungesa e drejtësisë, ndërsa faktori ndërkombëtar kërkon stabilitet, bashkëpunim dhe vizion të qartë politik. Dhe pikërisht këtu ndodh përplasja: një lider që nuk e njeh mirë dinamikën psikologjike të shoqërisë që përfaqëson, por edhe atë të partnerëve të jashtëm, dështon të ndërtojë ura të qëndrueshme besimi.
Një prej librave më me ndikim në këtë temë, “The 7 Habits of Highly Effective People” nga Stephen Covey, thekson se liderët e vërtetë fillojnë me veten. Ata kultivojnë besueshmëri, përulësi dhe qëllim të qartë përpara se të kërkojnë të frymëzojnë të tjerët. Në kontekstin e rajonit tonë, kjo do të thotë të kesh guxim të përballesh me të vërtetën, por edhe urtësi për ta komunikuar atë pa nxitje konflikti apo populizëm të zbrazët.
Nga një këndvështrim psikologjik, një lider nuk është vetëm figurë autoriteti por edhe pasqyrë e emocioneve kolektive të popullit të tij. Kur qytetarët ndihen të tradhtuar apo të lënë pas dore, ata reflektojnë me mosbesim, apati ose rezistencë pasive. Por kur ndihen të dëgjuar, të përfaqësuar dhe të mbrojtur, shfaqin energji për bashkëpunim dhe ndryshim.
Në këtë drejtim, filozofi i njohur Yuval Noah Harari në librin “21 Lessons for the 21st Century” thekson se lidershipi i së ardhmes nuk do të matet më me fjalët që thuhen, por me aftësinë për të përballuar pasigurinë dhe për të ndërtuar orientim të përbashkët në kohë trazirash. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekste si yni, ku strukturat shtetërore janë ende të brishta dhe ndarja midis institucioneve dhe qytetarëve mbetet e thellë.
Lidershipi i qëndrueshëm nuk është vetëm menaxhim i krizave, por parandalim i tyre përmes vizionit. Ai është aftësia për të parë përtej mandatit politik, për të dëgjuar zërat që zakonisht mbesin në heshtje dhe për të ndërtuar besim jo vetëm me mbështetësit, por edhe me kritikët. Kjo kërkon ndjeshmëri emocionale, mendim strategjik dhe kapacitet për të integruar përvoja të ndryshme në një platformë të përbashkët.
Në rajonin tonë, ku shpeshherë historia, etnia dhe politika përzihen me interpretime të pasakta të udhëheqjes, është urgjente të rishikojmë se çfarë do të thotë të jesh lider. Jo më udhëheqës që flasin më shumë se dëgjojnë, apo që reagojnë më shumë se parashikojnë. Por liderë që edukojnë, përfaqësojnë dhe udhëheqin me vizion të thellë njerëzor dhe profesional.
Në këtë dritë, qasja multidimensionale në lidership nuk është luks intelektual. Ajo është një domosdoshmëri praktike për të mbijetuar dhe për të ndërtuar shoqëri më të drejta, më të qëndrueshme dhe më të hapura ndaj së ardhmes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.