Pika referimi

September 27, 2018 | 8:10

Linditë Ramushi Dushku: T’i përshtatesh ambientit, na çliron nga ankthi i të qenit i “huaj” në trup

Po mendoja sot, tek pija kafene time të zakonshme, pothuajse në vendin e njëjtë, rrallëherë ndërrim kafeneje, por jo dhe lokacioni, se çfarë do të thotë të përshtatesh me mënyrën e jetesës në Shqipëri. Në Tiranë, të madh, e të vogël, si kjo lagjja e qendër-skaji e saj. Nuk i gjej dot unë pikat e përbashkëta, të afërta mes ne të dyjave apo, nuk jam “vetja ime”, për këtë mes?!

Linditë Ramushi Dushku, diplomuar në shkollën e mesme të mjekësisë "Dr. Asllan Elezi", profili pediatri në qytetin e lindjes në Gjilan. Studimet universitare i filloi në vitin 2004 në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, dega Psikologji.

Linditë Ramushi Dushku, diplomuar në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, profili pediatri në qytetin e lindjes në Gjilan. Studimet universitare i filloi në vitin 2004 në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, dega Psikologji.

Është kjo pyetje që ia bëj vetes, në çdo situatë të mos përshtatjes. Kam krijuar një përshtypje se për të qenë “vetja” kushton shumë në këtë shoqëri. Çdo gjë ka një kompromis dhe një kosto në jetë, por kur bëhet fjala për veten tonë, mënyrën si shprehemi, mënyrën e jetesës sonë, se si e shohim ne veten tonë në një mes shoqëror, është gjithmonë në pikë të parë rëndësia e asaj çfarë duam të jemi dhe cili është  roli ynë në atë vend pune, shkolle a ku do qoftë aktiviteti ynë.

Të tregohesh ajo çfarë do dhe je, është një kompromis që s’duhet të bësh me shoqërinë, para se ta vendosësh qëllimin tënd. Është kushti i vetëm që të arrish të “mbijetosh”. Në Tiranën e sotme, që është shumë afër shoqërisë së civilizuar, nuk po them botërisht, sepse po të thoja botërisht, do të më duhej të saktësoja se cilat janë mangësitë edhe më të voglat që shoqëria këtu i ka. Prandaj, shpeshherë duhet të bësh sjellje të cilat nuk varen nga ty gjatë një komunikimi apo veprimi ndërpersonal me persona të tjerë. Ndodh se duhet të shtiresh ose mos të kesh fare komunikim. Ose do të bëhesh “mendjemadhja”, ose do të bëhesh shoqja e ngushtë e “dëshirave” se si të tjerët të pranojnë, shohin.

1Një femër me shkollim të lartë, me status civil, e martuar, me fëmijë dhe e papunë, do provohet nga disa përvoja interesante në momentin kur i duhet të shpalosë se kush është dhe çfarë bën. Sigurisht, të tregohesh se kush je, në këtë lagje të vogël Tirane, është çelësi kryesor për të ndjerë veten të atyshme. Është një nga kurset që duhet të kalosh patjetër. Pra, të jesh “vetja” në këtë komunitet lagjeje, ka një kosto, si në çdo vend tjetër.

Por, është një kompromis që duhet bërë me kohë! Shqipërinë e kam njohur nga librat e shkrimtarëve të njohur, shkrimtarëve të një kohe ku edhe shkruhej siç u kërkohej. Shqipërinë e kam njohur që çdo cep të saj nga filmat e kinematografisë së dikurshme të filmit shqiptar. Kisha njohur një Shqipëri tjetër, por tani që e kam përballë, kuptova se kisha njohur një shoqëri e cila duhet të ishte. Më ndodh shpesh ta përmend faktin se unë jam një e papunë për disa arsye, po i quaj teknike deri tani, si e “huaj” në këtë vend. Dhe kam rënë shpeshherë në “kthetrat” e njerëzve që ndonjëherë i kam takuar ndoshta edhe kalimthi gjatë një blerjeje në dyqan. Pyetje të llojit, “çfarë pune bëj”, dhe pasi nuk punoj, “çfarë bëj tërë ditën”.

visit-tirana-26-593x396

Njerëzit i shqetëson problemi i tjetrit, njerëzit këtu më flasin gjithë kohës se është një gjë e kotë të shkruash, të merresh me shkrime siç jam unë. Është një humbje kohe të shkruash për të tjerët, nëse ajo çfarë bën nuk të sjell të mira materiale. Është normale, ne bëjmë punë për përfitime materiale, por ajo çfarë jemi ne a blihet? Po kthehem sërish tek fillimi i kësaj që po flas, të qenit vetja është të jesh një zog i lirë, që zgjedh vetë në cilën pemë do thurësh çerdhen. Një bletë që do ta zgjedhë vetë lulen, pjalmin e së cilës do ta marrë.

Të qenit vetja në Tiranë është diçka abstrakte. Shoqëritë që kanë kaluar sisteme të ndryshme, tendosen kulturalisht, jo se në Shqipëri apo në Tiranë nuk ka grupe, shoqëri apo dhe individë të cilët e vlerësojnë zhvillimin individual dhe kulturor, por duke folur në përgjithësi, masa e madhe është ajo çfarë ka në dorë frena tek e fundit. Dhe në Tiranën që po njoh unë, masa ka ndikim të madh në përfshirje të detyrueshme të çdo individi në të.

Ndoshta, për të gjetur përgjigjet e sakta të asaj se çfarë në të vërtetë ndodh në këtë marrëdhënie, njerëzit dhe komuniteti, të qenit vetja dhe aftësia jote për përshtatje, do të duhet të bëjmë disa pyetje të thjeshta. Kjo ndoshta për shkak se njerëzit kanë frikë nga jeta në Shqipëri, në kuptimin e mungesës së të ardhurave të mjaftueshme. E thashë edhe më herët, shoqëritë që kanë përjetuar dy sisteme politike brenda një periudhe të njohur ende për popullin, ndikon në një thyerje, kolaps të ndryshimit kulturor, është një zinxhir i cili i bën njerëzit të sillen në atë formë.

milingona-city-center

Ndonjëherë të bën përshtypje edhe kur ble bukën në furrë, dhe dëgjon njerëzit tek thonë, “më jep një bukë pesëdhjetë lekëshe”, apo kur shitësja të propozon artikuj të tipit, “e do simite tridhjetë lekëshe, njëzetepesë, apo këta dyzet lekë”, blerësi duhet t’i kërkojë për herë të dytë se cila ishte kërkesa e tij. Nëse e donte me krem çokollate, të thatë apo me reçel të një lloji që dyqani ka. Apo edhe kur një blerës tjetër në dyqan të pyet nëse ëmbëlsirat aty janë të shijshme, dhe ti i thua “më pëlqejnë disa”, pastaj shitësja i thotë, “merr një të plotë moj motër”, përgjigjja e blerëses vijon me jo, “se nuk ble unë kot gjëra ç’kujton ti?”, dhe vazhdon me shitësen që flet pas shpinës tënde, kur je duke dalë nga dyqani. “Pse ajo në terezi e ka?! Çdo tre ditë ble ëmbëlsira…”.

Epo, dielli nxeh shumë në Tiranë, edhe shi bie shumë në dimër e vjeshtë, vetëm kafja ime dhe unë s’jemi takuar ende!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top