Po të flasësh me një adoleshent, femër apo mashkull nuk ka rëndësi, ato flasin për përjetimin e një ndryshimi, që nuk ka të bëj vetëm me ta, por me gjithçka, që ata i rrethon. Ata gjenden edhe një herë, si ‘Liza në botën e çudirave’, ku hapësirat, sendet dhe vetë ata, nuk ruajnë përmasat, por janë gjithmonë në ndryshim.
Një herë ndihen sikur gjithçka varet vetëm nga ata dhe herë tjetër si një fëmijë që ka humbur rrugën në fund të botës. Pra jo vetëm që adoleshenti është pjekur seksualisht, por edhe gjithë universi njëlloj si ai është erotizuar. Shpesh herë i duket sikur është universi, që ja ushqen erotizmin dhe shpesh herë i duket sikur është ai që nuk kërkon gjë tjetër në univers.
Njeriu aq sa dëshiron ti zbulojë gjërat nëpërmjet erotizimit, aq nuk e njeh dhe e ngatërron me organet seksuale. Kur njeriu vjen në këtë botë e vetmja rrugë e njohjes është goja, e cila është edhe e vetmja zonë erogjene në këtë fazë të jetës. Pra, ndërthurja e njohjes me erotizmin tërheq, nxit psihën dhe mendjen e fëmijës, që të përfshihet në proceset njerëzore, në njohjen dhe përdorimin e tyre.
E njëjta situatë, por në përmasa tejet të mëdha, haset në adoleshencë. Foshnja është dipendent ndaj të rriturit si fizikisht ashtu edhe psiko-emocionalisht. Ndërsa trupi i adoleshentit është i pavarur prej të rriturit, por psiha jo. Ajo ka nevojë për shumë po shumë forcë, që të “rritet” e të bëhet e aftë për krijim dhe kjo gjë realizohet vetëm nëpërmjet, të rriturit, modeleve e sistemit të vlerave dhe natyrisht erotizmit. Erotizmi nuk është një proces i thjeshtë e aq më tepër një akt seksual. Erotizmi është baza e krijimit të jetës, artit, shkencës dhe gjithçka njerëzore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.