FB

November 18, 2022 | 8:00

Lira Gjika: “Kur prindërit kanë zakon të zihen”

Ju prindër ziheni dhe silleni kështu sepse nuk jeni të zotë që të silleni ndryshe. Dhe harroni që askërkush nuk do që të jetë dëshmitar i dy njerëzve që zihen. Kështu edhe fëmijët tuaj.

Nga Lira Gjika, pediatre

 

Kur ju shohin që ziheni a ju ka vajtur ndonjëherë në mend se çfarë ndjejnë dhe se çfarë mendojnë? Me siguri asnjëherë. Se përndryshe nuk do të vazhdonit më të ziheshit.  Dhe të krijoni situata të pakëndshme në familje.

Arsyeja që po e shkruaj këtë artikull është kërkesa e një nëne e cila thotë se në familjen e saj jetohet në këtë mënyrë duke u zënë. Ajo kërkon që të dijë se sa e dëmshme është kjo gjë për fëmijën. Ajo kërkon ndihmë për vete dhe fëmijët.

Çdo njeri kur shkon në shtëpi kërkon që të çlodhet dhe të jetë rehat fizikisht dhe psikoemocionalisht. Në këtë rregullsi nuk bëjnë përjashtim edhe fëmijët. Pra si të rriturit, ata kur vijnë në shtëpi duan të jenë të qetë, të dëgjuar, të parë dhe t’u jepet përgjigje pyetjeve të tyre të pafund.

Të dashur prindër, fëmijët nuk janë pronë por përgjegjësi e juaja. Kështu kur të ziheni sqaroni fëmijët tuaj se ju jeni burrë e grua dhe ashtu siç bëni dashuri ashtu edhe ziheni kur nuk merreni vesh. Sepse midis një çifti ndodhen të tëra dhe nuk ka të bëjë fare me fëmijët. Edhe një herë mos harroni që para se të ziheni të sqaroni fëmijët që grindja juaj nuk ka të bëjë fare me ata. Mirë është që pasi të mbaroni të zënën dhe të jeni qetësuar t’u drejtoheni fëmijëve të dy. Dhe t’i thoni: tani jemi në dispozicionin tuaj. Ju mbase vazhdoni edhe mbas grindjes që të rrini të mërzitur dhe të tensionuar, natyrisht që këto gjëra nuk janë të lehta, po fëmijët tuaj ju kanë prindër dhe është detyra juaj dhe përgjegjësia juaj jo të vdisni për ata por t’i ndihmoni që të rriten të përballojnë jetën dhe t’i mësoni se ajo duhet shijuar, madje edhe kur grindesh.

Nëse ju vazhdoni me inatin me papërgjegjshmërinë që burojnë nga frika dhe impotenca juaj si njerëz edhe fëmija juaj mos dyshoni fare, do të vazhdojë në këtë rrugë. Do të jetë po kështu, me probleme, i paaftë të ndërtojë një mjedis të këndshëm për veten dhe për ata që do të ketë afër. Pra do të thotë që të vijë dhe të iki në këtë botë nëpërmjet bezdisë dhe mërzisë.

Jeta juaj është kështu një bezdi dhe mërzi, ndërsa grindeni dhe nuk dini të mbaroni të zënën që të bëni paqe të pajtoheni, pra të çlodheni.

Të rritesh në një mjedis ku të rriturit grinden do të thotë të jetosh në pasiguri, ku dëmi i parë është kompromentimi shëndeti mendor i fëmijës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top