Ka një shpjegim për modelin se si komunikimi tek ne është i ndërtuar në bazë të dialogëve me toneve të larta, madje deri në nivele të bërtiturash. Në qasjen që pediatrja e njohur Lira Gjika bën, thotë se këto janë procese automatike që ndërtohen që në fëmijëri.
Zëri ka një efekt të fortë te njeriu. Zëri luan me memorien dhe emocionet tona “si macja me miun”. Zëri memorizohet në fëmijëri si gëzim apo frikë, si model se si duhet përdorur. Ne flasim me zë të lartë, më saktë bërtasim dhe nuk jemi të ndërgjegjshëm për këtë sjellje tonën, për këtë mënyrë të foluri. Këtë e vërteton edhe mënyra jonë e të reaguarit, që gjatë bisedës i drejtohemi njeri tjetrit: Pse bërtet?
Ne nuk jemi në gjendje të dëgjojmë zërin tonë pasi në memorien tonë është regjistruar si normale e bërtitura e nënës e babait e gjyshërve deri dhe mësuesve. Pa dashur edhe ne bëjmë të njëjtën gjë edhe pse e bërtitura e tjetrit na shqetëson. Kemi brendësuar në fëmijëri të bërtiturën e të rriturve pranë nesh dhe frikën që ajo na provokonte dhe tani që jemi të rritur pa e kuptuar, pa na shkuar në mendje bëjmë të njëjtën gjë. Në vend që të dialogojmë, bërtasim sidomos kur kundërshtohemi e nuk biem dakord.
Proceset automatike që ndërtohen në fëmijëri diktojnë sjelljen kur njeriu rritet. Do shumë vullnet dhe vetëdije që t’i mposhtësh apo mos të lejosh që të të diktojnë. Për fat të keq ne ende nuk jemi të vetëdijshëm për sjelljet tona, me veten, fëmijën dhe tjetrin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.