Dëshmi

December 15, 2022 | 8:59

Lira Gjika: Trishtimet dhe dhimbjet e shenjta, janë e vetmja pasuri që kemi nga njerëzit që nuk janë më

Gjyshja ime kish provuar shumë në jetë, nga gëzimet e mëdha e deri te vdekjet e fëmijëve edhe nipave te saj. Gjyshja ishte e çuditshme, sepse ajo asnjëherë nuk e demonstronte trishtimin e saj. Ne të dyja flinim në një dhomë dhe unë shumë pak herë e kisha pikasur që ajo qante me fotografinë e djalit të saj që ishte vrarë gjatë luftës. Ai kishte studiuar në Francë për mjekësi dhe pasi mbaroi studimet u kthye në Shqipëri. Gjyshja na fliste vazhdimisht për xhaxhain tonë dhe ne të gjithë nipërit e mbesat e saj e donim shumë edhe pse nuk e kishim njohur atë.

lira

Lira Gjika, mjeke pediatre

Një nga këto ditët që unë e zbulova që po qante, mora kurajon dhe e pyeta, pse ajo e bënte këtë veprim vetëm? Ajo më tha me qetësi: “Këto janë ‘dhimbje të shenjta dhe si çdo gjë e shenjtë do qetësinë dhe vetminë personale. Mua nga djali im më ka mbetur vetëm dhimbja dhe kujtimet. Kujtimet i ndaj me ju, por dhimbjen e dua për vete sepse vetëm ajo është e imja dhe e kam të shenjtë”.

h

Unë e dëgjoja tek fliste me atë qetësinë që të jep vetëm trishtimi i eksperiencave të mëdha të jetës. Po unë isha fëmijë atëherë dhe doja të kuptoja dhe kështu, insistova: Po mirë, ti mund të flasësh me mamin apo babin. Gjyshja bëri një buzëqeshje të ëmbël nga ato, që ndodhin vetëm në situata të tilla dhe m’u përgjigj. “E para, nuk duhen bezdisur të tjerët me vuajtjet e trishtimet që jeta na ka dhënë dhe për më tepër, kur ato janë trishtime e dhimbje të shenjta. Ato nuk mund të përdoren, ato janë e vetmja pasuri që kemi nga njerëzit që nuk janë më. Ne duhet t’i duam të gjithë njëlloj pa ua ngatërruar vendet”.

Vërtetë, gjyshja ime nuk bezdisi kurrë njeri. Ajo përpiqej që t’u plotësonte dëshirat gjithsecilit nga fëmijët dhe nipat e saj. Nuk fliste kurrë për vuajtjet e saj. Ajo kishte vetinë që ta bënte ditën të gëzuar për të dashurit e saj.

Gjyshja ime nuk është më, unë nuk jam më fëmijë, por gjyshen dhe fjalët e saj të shenjta i ruaj si pasuri në mendje e zemrën time. Ato janë dhuratat e gjyshes time për mua, për jetën dhe vlerat e saj.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top