Më ka lënë një shije shumë të keqe mllefi dhe pandjeshmëria e një komuniteti të tërë online që guxon të zhvlerësojë humbjen e jetës së dikujt vetëm se bindjet politike e fetare janë në kundërshtim me të tyret.
Vetëvrasja nuk është thirrje për vëmendje, dënim i ndonjë fuqie supreme, snobizëm apo ku di çfarë. Është treguesi pa kthim që individi në fjalë VUANTE nga shëndeti mendor, e si çdokush që vuan, kishte nevojë për ndihmë e mbështetje, që një shoqëri e pandjeshme fatkeqësisht dështon t’ja japë.
Kush vret veten, nuk po kërkon vëmendjen e askujt, as që do t’ia dijë t’i bëjë përshtypje ndokujt, sepse dëshpërimi nuk e lejon dot të shqetësohet nga gjykimi social.
Krejt përkundrazi, vetëvrasja është pashpresshmëri dhe dëshmi e pafuqisë paralizuese që ndjen personi që e kryen.
Vetëvrasja kryhet në kushte dhimbjeje therëse dhe përballë saj ASKUSH nuk ka aspak të drejtë ta gjykojë si akt frikacak, egoist etj, etj, por thjesht të shprehë dhembshuri për atë që ka ndjerë viktima, për humbjen e familjarëve e nëse s’mundet ta bëjë këtë, të paktën të heshte.
Mungesa e thellë e empatisë dhe përçmimi apo komentet e tjera anjerëzore përballë vetëvrasjes së dikujt, kushdo qoftë, s’janë gjë tjetër veçse një dëshmi patetike e një injorance emocionale dhe një mangësi e theksuar njerëzillëku!
Burimi humanum.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.