“Mjedisi është një sektor i rëndësishëm jo vetëm si një nga kriteret kryesore për të mundësuar pranimin e Shqipërisë si vend anëtar në BE, por mbi të gjitha ai ndikon direkt në zhvillimin, rritjen ekonomike të vendit, zhvillimin e turizmit, ka ndikim në nivel global, si dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve të vendit tonë, brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë”.
Me këtë mesazh iu drejtua të pranishmëve, përgjegjësja e Departamentit të Ekonomikut në Kolegjin Universitar “Luarasi”, dr. Aelita Mani, në çelje të kongresit të parë shkencor ndërkombëtar “Menaxhimi dhe trajtimi i integruar i mbetjeve në gjendje të lëngët, të ngurtë dhe të gaztë, organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve, me mbështetjen e KU “Luarasit”.
Ndërsa e cilësoi menaxhimin e mbetjeve një problem global, Mani nënvijëzoi se zonat urbane, në shumicën e Shqipërisë, ende ballafaqohen me sfidën e parandalimit të degradimit të mjedisit për shkak të menaxhimit josistematik të mbeturinave. Sipas treguesve të Bankës Botërore dhe parashikimeve të bëra, rezulton se vetëm në harkun e më pak se 7 viteve, prodhimi i mbetjeve globale do të dyfishohet, nga 1.3 miliardë ton në 2.2 miliardë në 2025-n.
Në këto kushte, përgjegjësja e Departamentit të Ekonomikut në Kolegjin Universitar “Luarasi” u ndal edhe në qëllimet e kongresit. Sipas Manit, me rëndësi, krahas njohjes së problemit, ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe promovimit të një ambienti të pastër, është edhe ndërmarrja e hapave konkrete siç janë: integrimi i përpjekjeve për të zhvilluar një strategji rajonale për reduktimin, ripërdorimin riciklimin dhe menaxhimin e mbeturinave duke konsideruar politikat, legjislaturat dhe mekanizmat e zbatimit, si edhe nxitja e investimeve të mira dhe miqësore me mjedisin në fushën e riciklimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
KONGRESI
Në datat 23-26 nëntor u organizua kongresi i parë shkencor ndërkombëtar “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Kongresi u mbajt edhe në kuadër të Javës Europiane të menaxhimit të mbetjeve. Kolegji Universitar “Luarasi” ka qenë pjesë aktive në organizimin e këtij eventi, duke kontribuar me pjesëmarrje në komitetin organizativ dhe atë shkencor. Në kongres ishte i pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leska, zv.kryetari i bashkisë, Andi Seferi, si edhe akademikë, ekspertë të mjedisit dhe përfaqësues të kompanive të riciklimit dhe menaxhimit të mbetjeve, studentë etj.
Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi ia faturoi përgjegjësinë, për atë që e cilësoi dështim në menaxhimin e mbetjeve, jo vetëm shoqërisë, por edhe shtetit, që me politikat e ndërmarra në këtë çerekshekull nuk kishte bërë mjaftueshëm. Më tej, Klosi siguroi të pranishmit se do të mbështesë çdo përpjekje, që çon drejt një mirëmenaxhimi të mbetjeve dhe drejt një Shqipërie të pastër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.