Mirëqenie

November 28, 2017 | 7:59

Nga Reti Duka: Vetmia, e pashmangshme si vetë pleqëria

Reti Duka, punonjëse Sociale, Graz, Austri

Reti Duka, punonjëse Sociale, Graz, Austri

Frika të vret, të kaplon shpirtin dhe zë vend në nënndërgjegjen e njeriut. 14 % e njerëzve të pyetur (prej 15 vjeç e sipër) në një pyetësor të zhvilluar nga Market-Institut për arsye studimore, kanë shprehur frikë dhe ndjesi frike nga vetmia në moshën e thyer. Ccdo dy persona të moshës 60 deri 69 vjeç e llogarisin që një ditë do të jenë të vetmuar, pa praninë e familjarëve, shoqërisë apo të njohurve.

Frika nga vetmia nuk ka ndryshuar aspak që nga periudha kohore e viteve ‘80 e deri në kohët e sotme. Mundësitë për humbjen e kontakteve sociale janë rritur edhe më shumë. Vetmia e padëshiruar është realitet i hidhur, por i pashmangshëm ashtu si dhe pleqëria vetë.

reti-foto

Pasqyra e familjes tradicionale, shumë prej shumë anëtarësh është shndërruar në pamjen e familjeve të vogla, moderne. Prindërit kanë maksimumi dy fëmijë. Këtë e vërteton më së miri Graci (qytet në Austri) ku 46% e njerëzve jetojnë në apartamente single. Shoqëria jonë është tashmë një shoqëri në lëvizje, liquide dhe shumë individuale. Rrethi shoqëror është zvogëluar dhe familjet nuk janë më si ato që njohim nga gjyshërit apo filmat në kohët e mëparshme. Familjet e mëdha që jetonin gjeneratë pas gjenerate në të njëjtën shtëpi nuk ekzistojnë më. Kontaktet e ngushta me fqinjët në qytet janë reduktuar aq shumë sa nuk njihen fqinji me fqinjin. Kjo traditë ekziston vetëm në fshatra, por edhe këtu sa vjen e po tkurret. Rritja e popullsisë po ulet, si pasojë e mos lindjes së fëmijëve.

Zhvillimi demografik nuk të gënjen kur thotë: Deri në vitin 2030, sipas Insitutit të Statikave të Austrisë, do të kenë festuar 65-vjetorin 2.15 milionë njerëz. Në vitin 2016 ishin 1.62 milionë mbi moshën 65 vjeç. Në dy apo tre vjetët e ardhshëm do të ketë më shumë se 500.000 njerëz mbi moshën 80 vjeç.

Në një shoqëri ku një pjesë e popullsisë sa vjen e plaket, shkakton edhe pakënaqësi për pjesën aktive të popullsisë tjetër që është forca taksapaguese. Varion eklatant, jo vetëm pakënaqësia me bazë ekonomike, por edhe mirëkuptimi i të rinjve ndaj të vjetërve. Pjesa e plakur e popullsisë është lënë në harresë në shoqëritë moderne. Mjafton të shohësh gjithë propagandën e reklamave nëpër media, televizione ku sheh vetëm të rinj, konsum për të rinj e kështu me radhë. Psikologjikisht ndodh procesi i harresës nga brezi i ri për brezin e vjetër.

Njëri që më së miri e di se për çfarë flitet dhe me shpirt e zemër që prej 17 vjetësh, është Gerhard Hermann. Psikolog klinik që me stafin e tij “Sopha” ( Ndihmë psikosociale në moshën e thyer) shkon në banesat e të moshuarve që jetojnë vetëm, për t’i ndihmuar. Të jetosh do të thotë edhe të humbasësh. Por kur e dëgjon psikolog Gerhardin për mundësitë e shumta për t’i kthyer këta njerëz të vetmuar, të thyer nga pleqëria përsëri në aktivitet social, të rritet besimi.  “Mobile Gerontopsychologie” quhet projekti që funksion prej disa kohësh në qytetin e Gracit, por edhe në periferitë e tij. “Jeta duhet të jetë një zhvillimi i pandërprerë, deri në vdekje” apelon Hermann dhe jo “në vendnumëro, kur vjen pleqëria”. S’ka dyshim: Që të dyja anët, pra të rinjtë dhe të moshuarit janë në situata krejtësisht të kundërta. Por mos të harrojmë që edhe këta të moshuar kanë qenë një herë të rinj dhe anasjelltas, të rinjtë do ta përjetojnë njësoj moshën e thyer. Por kur të moshuarit për arsye nga më të ndryshmet duke nisur që nga ato shëndetësore, statusi familjar, shoqëror bien në një situatë ku janë të detyruar të jetojnë vetëm, në izolim të plotë social dhe domosdoshmërish psikologjik.  Një ide apo këshilla që japin punonjësit socialë, psikologët është krijimi i kontakteve sociale jo vetëm siç ndodh rëndom me brezin e tretë, kontakte moshatarësh, por edhe të moshave më të reja.

Shoqëria humbet shumë kur njerëzit e brezit të tretë izolohen totalisht. Këta njerëz që dikur kanë dhënë shumë për shoqërinë, janë në gjendje edhe në moshën e thyer të japin kontributin e tyre në shumë projekte me përmbajtje sociale.

Në Grac funksionon shumë mirë puna e mobile e drejtuar nga instituti i punës psikosociale. Përveç projekteve të shumta me përmbajtje sociale, ajo që është më kryesorja është: Këta të moshuar të jetojnë në banesat e tyre për aq kohë sa ata dëshirojnë dhe jo të çohen në qendra azilesh. Kjo vetëm kur dëshirojnë vetë ata. Puna mobile ka të bëjë me punën e psikologëve apo punonjësve socialë direkt në shtëpinë e të moshuarve që jetojnë vetëm. Ajo që është më kryesorja, atyre u krijohet ideja se janë ende aktivë kur u besohen detyra të ndryshme.

Në kohët e sotme tejet të digjitalizuara askush kur është i ri nuk llogarit ditët e pleqërisë që mund të kthehen në ditët e vetmisë. Askush nuk mund t’i shmanget periudhës së pleqërisë. Prandaj është shumë i rëndësishëm forcimi i një shoqërie humane, empatike, njerëzore. Mos t’ia lejojmë vetes izolimin social të brezit të ri për arsye të digjitalizimit shoqëror, po ashtu dhe të moshuarit e vetmuar të izoluar jo nga digjitalizimi, por nga jeta. Plakja është një proces i pashmangshëm i jetës.

“Të plakesh nuk është bukur. Të mendojmë atëherë për alternativat!”

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com