Lifestyle

December 13, 2017 | 14:56

Luçiano Boçi: Bartja e vlerave politike nuk mund të ngatërrohet me mbartjen e vlerave familjare

I lindur në qytetin e Elbasanit, ai është diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani. Më pas do të diplomohej për juridik në UT. Karriera e tij politike nisi në vitin 2009 si deputet i PD. Por që herët emri i tij ka qenë i njohur në botën akademike, që prej vitit 1991, kur ishte pedagog, por jo vetëm, edhe kur mbante funksionet si shef departamenti, zv/rektor i universitetit të Elbasanit. Luçiano Boçi është një zë kritik në radhët e PD për qeverinë aktuale. Ndërsa jo të rralla kanë qenë daljet e tij publike, veçanërisht për çështje e problematika në arsim.

I ftuar në “Këndi i Ekselencës” në News24, ai pohoi se pozita e sotme ishte pak e vështirë, pasi pothuajse gjatë të gjithë jetës profesionale ka marrë studentë në provim, ndërsa sot u gjend ai si para një provimi.

Luçiano Boçi, deputet i PD

Luçiano Boçi, deputet i PD

Pjesa studentore, periudha më e bukur për çdo student. Cili është ai detaj që ka ndikuar nga ajo periudhë?

Kanë qenë vitet ’85-’89 dhe ai detaj që më ka lënë mbresa ka qenë pjesa e parapërgatitjes sime si misionar i dijes dhe kur u ballafaqova me realitetin ku kishte një diferencë të madhe të dijes. Brenda meje lindi një revoltë e cila u konkretizua më pas jo si personale, por si sociale. Pra në qoftë se ai imazhi për Shqipërinë, arsimin, shoqërinë shqiptare ishte i dhënë shumë bukur përmes propagandës, ballafaqimi rezultoi ndryshe me atë çka isha përgatitur.

Kishte meritokraci në aspektin të punësimit në atë periudhë?

Punësimi ishte i planifikuar, do shkoje diku. Nuk mund të pretendoje. Unë isha një nga studentët  që dola shumë mirë dhe më kujtohet momenti kur mora fletën e emërimit. E lexova menjëherë dhe shoh Labinot. Një fshat afër Elbasanit dhe ishte emërtimi i skuadrës së basketbollit dhe futbollit të qytetit tim. Në momentin që u ballafaqova, nuk ishte një katund, por një vend larg një orë e gjysmë në këmbë. Pra, megjithëse kisha mbaruar shumë mirë, u emërova në një vend që nuk e imagjinoja. Parapërgatitja ishte që ne mund të shkonim kudo, jo në qytet.

Ishit aktiv në dhjetorin e asaj që solli demokracinë shqiptare?

Sot ka një koincidencë. Është data 13, nesër 14. Në fakt, në Elbasan ka pasur një lëvizje dhjetori pas themelimit të PD në Tiranë. Sigurisht që jehona, mjetet e komunikimit nuk kanë qenë këto që janë sot. Ka pasur një organizim dhe protestë qytetare e thirrur paksa nën zë e paksa e organizuar, themelor për qytetin e Elbasanit. Ne u bashkuam si shoqëri, kam qenë me dy kolegët e mi pedagogë si pjesë e dëshirës së ndryshimit. Kjo inicioni një lëvizje tjetër dhe themelimin e degës së PD në Elbasan.

Shumë pak përflitet pjesa juaj familjare. Jeni baba i dy fëmijëve. Bashkëshortja vjen si dhe ju nga pjesa e mësimdhënies. Ç’mund të na thoni për publikun?

Këtë pjesë e kam zgjedhje personale. Nuk kam dashur asnjëherë ta përfshij në reklamë, është modesti. Jo me dëshirën për ta mbajtur fshehur, por për të mos e përdorur shumë nga politika. Ku ka qenë një detyrim që më është dashur ta kompensoj si detyrim ndaj familjes. Bartja e vlerave politike nuk mund të ngatërrohet me mbartjen e vlerave familjare. Mendoj që janë dy gjëra të ndryshme. Janë vlera që ose më ndihmojnë ose më pengojnë në politikë.

Sa vite martesë keni?

Kam 20 vite martesë. Bashkëshortja është drejtuese e Qendrës së Autizmit në Elbasan. Ka punuar në fushën e edukimit, është psikologe.

Një foto klasike, periudha bardhezi…

Fotografia e ka humbur magjinë dhe ka humbur befasinë e momentit. Fotoja ka shumë elementë dhe tani ka ndryshim midis përjetimit të saj.

Çfarë kujtoni nga periudha e fëmijërisë?

Lojën pakufi dhe pa asnjë lloj kufizimi nga familja. Një formim spontan, krejtësisht i domosdoshëm. Asnjëherë nuk mbaj mend të kem qëndruar brenda përveç momenteve kur merresha me detyra. Mbaja çelësin 3 vjeç në qafë, por në fakt dera ishte e hapur. Mbaj mend që kur shkonim te Zaranika, është lumë afër qytetit ku shkonim e laheshim.

Nëse e krahason me fëmijërinë e fëmijëve të tu, a ka humbur deri diku fëmijëria?

Në aspekt me lojën, ka humbur lojën dhe për mua fëmijëria është loja më e bukur. E nxis djalin që vazhdimisht të dalë dhe të shkëputet nga teknologjia, të cilat nuk japin formimin e duhur, nuk ndodh procesi i duhur motorik i zhvillimit të duhur të fëmijës, lëvizja fizike është lëvizja natyrore që çdo fëmijë duhet ta bëjë.

Sa në borxh ndiheni ndaj familjes?

Më shumë me djalin. Në momentin kur unë i hyra politikës në 2007 ka lindur djali. Ishte disamuajsh kur unë kandidova për kreun e bashkisë së qytetit të Elbasanit. Pothuajse nuk e kam kaluar unë si detyrim atë pjesën e lidhjes shpirtërore që krijon prindi si detyrim. Ndërsa me vajzën, e merrja e shëtisja. Politika është full time. Dashuri-urrejtje që nuk e humbasin kurrë vlerën. Profesioni është ai që nuk do të heq kurrë dorë.

***

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi iu rikthye sërish ‘debatit’ që shkaktoi kafja që konsumoi 1 vit më parë me kryeministrin Edi Rama dhe dy kolegët e tij. Gjatë bashkëbisedimit me studentët ekselentë, Boçi tha:

“Marrëdhëniet politike nuk bashkohen me ato personale. Ndonjëherë politika ka qëndrimet e veta, nuk është goditje personale. Ardhja e Ramës në kafe ka qenë fill pas një debati të ashpër që kemi bërë në Parlament për pranimin e maturantëve në universitet. Ai gjeti një moment kur ishim më të qetë bashkë me kolegët dhe tha se fajin e kishin sekretaret. Ai e ndjeu të nevojshme të shpjegohej dhe të mos mbante fajin vet, duke ia faturuar sekretareve të universitetit”.

Përgatiti Orjona Tresa / Burimi Balkanweb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top