Marrëdhënie

December 14, 2017 | 8:56

Dashuria në çift…Fenomeni “Mikelanxhelo”

Përgatiti: Manjola EREQI

Fenomeni “Mikelanxhelo” do të thotë të ndihmoni partnerin që të bëhet ashtu siç dëshiron realisht të jetë, për të plotësuar në një mënyrë apo një tjetër diferencën që ekziston mes asaj që është, nga ajo që pret të jetë, duke nxjerrë në pah difektet e tij dhe duke e mbështetur në aspiratat që ka, në mënyrë që të shndërrohet në njeriun ideal. Njësoj siç bënte skulptori i madh Mikelanxhelo. Ky është përfundimi i një studimi që kanë bërë studiuesit e “Weinberg College of Arts and Sciences” në Northwestern University në Evanston. Studiuesit këshillojnë që ndjenja për partnerin duhet të shndërrohet në një mbështetje konkrete për të realizuar një imazh koherent me ambiciet që ai ka.

1

“Fenomeni Mikelanxhelo” është sekreti i një lidhjeje perfekte në çift dhe një marrëdhënie të lumtur dhe të gjatë së bashku. Sekreti qëndron që të ndihmoni partnerin të arrijë të bëhet personi që realisht dëshiron të jetë. Është njësoj siç bënte Mikelanxhelo, skulptori i madh, i cili gdhendte dhe krijonte kryeveprat e tij nga një bllok mermeri. “Fenomeni Mikelanxhelo” në thelb do të thotë të kuptoni se ku qëndron modeli i jetës dhe i sjelljes që partneri dëshiron të bëjë dhe t’i ofroni atij mbështetje e bashkëpunim, që të arrijë sa më pranë këtij ideali. Dhe nëse ka diçka që e pengon në rrugën mes asaj që realisht ai është dhe perfeksionit ku ai dëshiron të paktën t’i afrohet, duhet që difektet dhe pengesat ngadalë-ngadalë “të gdhenden” dhe të latohen, duke larguar atë që është tepër, në mënyrë që të dalin në pah aspiratat e vërteta deri sa të marrë formën që dëshiron. Vlerësimi për këtë punë të gjatë, qëndron në një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe të fortë, ku shpërblehen të dy partnerët. Megjithatë, duhet të jeni të vetëdijshëm që nuk bëhet fjalë vetëm për dashurinë: efekti “Mikelanxhelo” kërkon që ndjenja për partnerin të shndërrohet në një mbështetje konkrete që ai të realizojë një imazh koherent me aspiratat e tij. Sigurisht, që bëhet fjalë për një metaforë, por duke i shkuar nga pas aspiratave që partneri ka dhe duke e ndihmuar që t’i realizojë ato, duke i dhënë një mbështetje të madhe emotive, ju bëni një gjest shumë të madh empatie dhe altruizmi. Por cilët janë përbërësit e një marrëdhënieje të lumtur? Si komunikojnë dhe si ndërveprojnë çiftet e lumtura? Sipas disa autorëve (Branden, 1990) ka disa sjellje dhe zakone mes partnerëve në këndvështrimin komunikativ, që lidhen me një kënaqësi të madhe të lidhjes në çift.

2

1. Shprehjani dashurinë partnerit

Nëse e dashuroni njeriun me të cilin keni një lidhje dashurie, duhet që t’i thoni shpesh se sa shumë e doni, duke i bërë ballë sikletit apo turpit që mund të ndjeni në momentin që ia shprehni ndjenjat.

2. Interesohuni për jetën e partnerit

Kushtojini vëmendje çdo të reje pozitive që ju thotë partneri, edhe nëse bëhet fjalë për një interes të tij, për punën apo të tjera gjëra. Tregojani pjesëmarrjen tuaj me gëzim dhe nëse është e mundur gjeni një mënyrë për ta festuar lajmin e mirë.

3. Hapuni me njëri-tjetrin

Mësoni të komunikoni gjendjen shpirtërore. Duke ia bërë të ditur njëri-tjetrit se si ndiheni, do të shtohet ndjenja e intimitetit dhe mbështetjes reciproke. Kjo mund të jetë e rëndësishme jo vetëm për ngjarjet negative, por edhe për ato pozitivet. Në fakt, të bashkëndani një situatë pozitive që i ka ndodhur njërit prej jush, ju bën të afroheni më shumë dhe të keni një ndjenjë sigurie për marrëdhënien.

4.Ndihmohuni emotivisht

Kjo do të thotë që të bëni kujdes se si është partneri juaj, ofrojini mbështetjen tuaj dhe jepini hapësirë dëgjimit dhe dialogut. Por gjithashtu duhet të mësoni edhe të shprehni ndjenjat tuaja: ndani me të shqetësimet, ankthin, momentet e vështira. Kjo gjë lehtëson perceptimin mbi vështirësitë dhe problemet dhe ju bën të kuptoni se keni mbështetjen e partnerit. Është një gjest që forcon shumë lidhjen në çift.

5. Pranoni kufijtë e partnerit

Perfeksioni nuk është pjesë e kësaj bote dhe asnjëri prej nesh nuk është perfekt. Mos pretendoni nga partneri që të jetë perfekt, përkundrazi pranojeni me difektet dhe dobësitë e tij, ashtu siç edhe ai duhet të pranojë tuajat.

6.Shihni pozitiven te çdo gjë

Orientojeni vëmendjen tuaj te gjërat pozitive dhe korrekte që bën partneri juaj, në vend që të përqendroheni te gabimet që ai bën. Në fund të fundit, nëse kërkoni një gabim të tij, do ta gjeni me se s’bën. Nga ana tjetër, mund të shihni se çfarë ka pozitive në sjelljen e tij. Çdo gjë varet nga gjërat që ju dëshironi të gjeni.

7.Ndani momentet së bashku

Sidomos për çiftet me fëmijë, por jo vetëm, është e rëndësishme të keni një hapësirë që ta ndani vetëm dhe ekskluzivisht si çift. Ndaj programoni mbrëmje vetëm për ju, në kinema, restorant dhe pse jo, nëse është e mundur, ndonjëherë edhe një fundjavë së bashku. Kushtojini vëmendje të plotë partnerit, nëse është e mundur, lini në shtëpi telefonin të paktën për disa orë.

Në fund… Një çift mund të jetë i lumtur kur të dy partnerët ndjejnë një lidhje reciproke, lidhje ku të referoheni jo vetëm në momentet e vështira dhe negative të jetës, por edhe në ato pozitive e të lumtura. Në fund të fundit, për ne qeniet njerëzore, marrëdhëniet intime janë ndër buri met më të rëndësishme të lumturisë dhe kënaqësisë, duke qenë se biologjikisht dhe kulturalisht jemi të predispozuar të ndërtojmë dhe të ruajmë në kohë lidhjet afektive.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top